Nga Bahri Cani-
Një ngjarje që ka zgjuar shumë vëmendjen: Në veri është zhvilluar sot një operacion i Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Operacioni në komunat e Zveçanit dhe Zubin Potokut është kryer me kërkesë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, lidhur me rastin e rëndë të vitit 2013, ku ishte vrarë pjesëtari i UNMIK-ut, Audrius Senavicius.
Në kuadër të këtij operacioni janë identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar për veprat penale “Rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “Vrasje e rëndë” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Të arrestuarit janë: Lj.M., S.K. Dhe R.K., të gjith serbë.
Operacioni është zhvilluar në tetë lokacione të Zveçanit dhe Zubin Potokut. Janë sekuestruar: telefona celularë, pajisje elektronike, uniforma të Policisë së Kosovës, uniforma ushtarake, gëzhoja, fishekë, thika, bajoneta, antiplumba dhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Në total, janë intervistuar tre persona si të dyshuar dhe katër si dëshmitarë, ndërsa një person tjetër ndodhet ende në arrati.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Më 19 shtator 2013, në fshatin Ballaban të Zveçanit, gjatë një operacioni policor, ishte vrarë pjesëtari i UNMIK-ut Audrius Senavicius, por rasti deri tani nuk është zbardhur deri në fund.
Lidhur me këtë operacion, siç është pritur, ka reaguar edhe Beogradi dhe Lista Serbe.

