Pezullimi i Ballukut, JoridaTabaku: Përgjegjësia nuk është personale, përgjegjësia është politike

3 Minuta Lexim

Deputetja Jorida Tabaku thotë se pezullimi nga detyra i zëvendëskryeministres Balluku nuk është çështje personale e saj, por rezaton më gjerë përgjegjësinë politike të qeverisë në raport me korrupsionin. Në një postim të saj Tabaku shkruan:

Ky është rasti unikal në botë ku gjykata pezullon nga detyra një Zëvendëskryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës, dhe ky është një zhvillim i pritshëm duke parë akuzat dhe mbi të gjitha duke parë mënyrën si ka operuar qeveria socialiste në këto 12 vite.

Ky është vendimi i dytë për një zëvendëskryeministër, pasi një tjetër është në kërkim ndërkombëtar prej mbi 2 vitesh, e kryetari i bashkisë në burg. Kjo është një dëshmi e një krize të madhe morale dhe politike që ka prekur qeverisjen prej vitesh, ku qeveria njolloset me skandalet dhe kryeministri shmang përgjegjësinë e tij morale dhe politike.

Për asnjë moment ne nuk kemi parë asnjë reflektim dhe as ndjeshmëri ndaj faktit se një nga portofolët më të rëndësishëm të shtetit është vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera; përkundrazi u mor në mbrojtje — jo për një, por për dy tendera tashmë — ndërkohë që dosjet janë kapicë edhe për afera të tjera, duke nisur me “tigrat” e duke vijuar me rrugën e Ersekës.

Kjo nuk është vetëm një çështje individuale. Është fjala për një model qeverisjeje që ka prodhuar një seri skandalesh, një pas një, për vite me radhë — nga bashkëpunëtorët më të afërt deri te zyrtarët më të lartë të kabinetit.

Kur një ministre e linjës më të rëndësishme të qeverisë dhe një zëvendëskryeministre merret e pandehur dhe pezullohet nga detyra, përgjegjësia nuk është personale: përgjegjësia është politike. Dhe kjo përgjegjësi fillon në zyrën e Kryeministrit.

Tashmë një shtet i kapur është fytyra e një Shqipërie që nuk mund të fshihet pas kapitujve të hapur për të shmangur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit. Shqiptarët meritojnë një qeverisje që mbron interesin publik, jo tenderat me paracaktim; që jep shembull me integritet, jo me arrogancë politike; që është e përgjegjshme, jo e pashqetësuar.

Këtë model duhet ta rrëzojmë, këtë duhet ta thyejmë!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull