Një projekt nismë e re, për përsosjen e rendit ndërkombëtar

5 Minuta Lexim
Nga  Aleksandër Çipa 

Nisma kineze për qeverisjen globale, e mbështetur sipas ligjëruesve të saj në pesë parime kryesore; si barazia sovrane, ligji ndërkombëtar, multilateralizmi,( madje ky si qasje themelore e konceptuesve), parimi “njeriu në qendër” dhe përpjekja për rezultate reale dhe efektive, përbën  produktin politiko publik që i ofrohet komunitetit ndërkombëtar.

Në brendinë e kësaj nisme është koncepti për sistemin e qeverisjes globale, ku sic pretendohet, duke mos i cënuar qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, por që natyrshëm shtron nevojën e reformimit dhe përmirësimit të sistemit të kësaj qeverisjeje në nivel botëror.

Sfidat është e vështirë të përballohen nga një shtet apo qoftë edhe një grup aleancash të pamjaftueshme shtetërore.

Në mbështetje të këtij investimi për harmoninë multilaterale, Kina ofron referencën e traditës vetjake kulturore, duke rikthyer në vëmendje të politologëve dhe analistëve doktrinën e konfucianizmit, e cila promovon kryesisht idenë e stabilitetit dhe harmonisë sociale, si kushte për një rend të drejtë gjithënjerëzor.

Kjo nismë pretendon të synojë reduktimin e dominimit të fuqive të mëdha, hegjemoninë, duke inkurajuar pjesëmarrjen e vendeve të zhvilluara, njëkohësisht uljen e tensioneve ndërkulturore si dhe pranimin e diversitetit kulturor për përplasje.

Kritikët e këtij projekti sjellin argumente të përkundërta, duke e trajtuar këtë Nismë si projekt për zgjerim ndikimi, apo si instrument gjeopolitik.

Skeptikët gjithashtu pretendojnë se kjo mund të mos ketë ndikim real në zvogëlimin e konflikteve të cilët aktualisht kanë shpërthyer në disa vatra ndërkombëtare.

Mirëpo kuptimësia e kësaj nisme, në botën aktuale, mund të formësojë një reagim potencial ndaj tensioneve globale,  mund të kontribuojë për afirmim të pluralizmit ndërkombëtar si dhe të inkurajojë mbështetshëm vendet në zhvillim.

Rendi aktual liberal ka krijuar diferenca dhe mungesa përfaqësimesh dhe kjo ka bërë të mundur që aktualisht të vihet re asimetria në raportet mes entiteteve gjeopolitike si dhe organizmave të tilla, kryesisht në raportet rajonale dhe atyre të fuqive të mëdha.

Përpjekjet për të vendosur një kornizë të re normative në nivel ndërkombëtar janë shumë evidente, por ende të pastrukturuara  për të sjellë efikasitet dhe përcaktueshmëri afatgjata.

Analiza e kësaj Nisme nuk mund të mos shihet në kontekstin e rivalitetit me SHBA-në, në kushtet e fragmentimit global, të rritjes së nacionalizmit dhe kërkesës për alternativa matanë modelit perëndimor.

Aktualisht janë kristalizuar fragmentime globale dhe është imponues realiteti i shumëpalësisë ndërkombëtare.

Dobësimi i institucioneve ndërkombëtare, rritja e blloqeve rajonale, shtimi i pasigurisë, etj,.etj., kanë krijuar hapësirë që projekte si Nisma (GCI) të shihet me vëmendshmëri atipike ndërkombëtare.

Në entitete të caktuara gjeopolitike, kjo Nismë ka fituar simpatinë, duke impaktuar edhe koalicione të vendeve në zhvillim si vendet e Azisë, Afrikës apo Amerikës Latine.

Në këtë impakt është i mirëpritur nga disa aktorë ndërkombëtarë, diskursi që nuk imponon standard politike. Por mungesa e strukturave konkrete mbart riskun e të mbeturit retorikë dhe pa fuqi konkrete transformimi në ndryshim nga projekte si BRI, e cila ka vlerën e një komponenti ekonomik të prekshëm për vendet e përfshira.

Nga ana tjetër Perëndimi e sheh këtë Nismë si sfidë jo vetëm ndaj sistemit aktual, institucioneve liberale dhe aleancave, por edhe si një premisë për thellime përplasjesh gjeopolitike dhe polarizim të mëtejshëm.

Sidoqoftë kjo Nismë dhe projektet e propozuara marrin vlerë në kushtet e aktualitetit të sotëm gjeopolitik, i cili është i mbarsur me shumë përplasje moderne, të cilat lidhen me burimet natyrore, teknologjitë, sigurinë, cështjet e territoreve etj.

Përcaktimi zyrtar për harmoninë si parim të politikës së jashtme të Kinës.Brenda parimit të harmonisë mund të interpretohet kauza kineze për rikthim modern tek vizioni i konfucianizmit.

Në interpretimin konsistent zyrtar të Kinës, në këtë projekt nënvizohen respekti, stabiliteti dhe moskonfrontimi, si elemente që i japin bazën filozofike konceptit të mosndërhyrjes. Por afirmimi në ligjërimin publik ndërkombëtar i Nismës (GCI), është edhe trajtë  e posaçme e përpjekjes së autorit-shtet, pra Kinës, për riformulimin e rregullave, normave dhe institucioneve ndërkombëtare në këtë botë me kaq shumë dilema të sotme dhe me më shumë paqartësi për të ardhmen.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull