Multilateralizmi i pranuar si proces reformimi

7 Minuta Lexim
Nga Aleksandër Çipa
Përgjatë vitit 2025, rendi global është paraqitur më multipolar dhe i kushtëzuar nga interesa kombëtare, duke krijuar variante të reja të multilateralizmit. Në arenën e zhvillimeve ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe, fuqitë kryesore janë pozicionuar në raporte dhe qëndrime të ndryshme, duke shënuar një fazë të re rikonfigurimi të roleve të tyre globale.

Shtetet e Bashkuara, veçanërisht gjatë vitit që lamë pas, janë shfaqur dhe po aktivizohen në një fazë të re për rolin e mëtejshëm të tyre. Politikat e fundit të administratës së kryesuar nga Presidenti Trump kanë shfaqur dhe konfirmuar hezitim ndaj angazhimit të thellë multilateral. Në ditët e këtij viti, nga SHBA janë rishikuar marrëveshje dhe organizata në të cilat amerikanët janë anëtarë. Kjo ka ngjallur shqetësime se mbështetja ndaj sistemeve multilaterale mund të dobësohet në disa fusha. Kjo konkurrencë dhe reflekset unilateraliste kanë vënë në diskutim edhe aftësinë për të punuar së bashku me aleatët e tyre në çështje si klima, tregtia dhe siguria.

Konferenca e 30-të e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ndryshimet Klimatike (COP30) u zhvillua nga 11 deri më 22 dhjetor të vitit 2025, në Belem të Brazilit./Foto nga VCG

Analistët europerëndimorë shpesh argumentojnë se SHBA-ja mbetet e domosdoshme për multilateralizmin global, por, sikundër dëshmuan zhvillimet e vitit 2025, tashmë duhet gjetur një ekuilibër midis interesit kombëtar dhe obligimit ndaj bashkëpunimit shumëpalësh.

Vendet e Bashkimit Evropian janë parë si mbrojtës të qëndrueshëm të multilateralizmit. Krerët e lartë të BE-së vijueshmërisht nënvizojnë rëndësinë e bashkëpunimit për të adresuar sfida globale si ndryshimet klimatike, paqja dhe zhvillimi. Sipas Borrell (2024), multilateralizmi për BE-në nuk është vetëm politikë e jashtme, por pjesë e identitetit të saj politik. BE-ja e sheh rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla si mënyrën më efektive për të mbrojtur paqen, tregtinë dhe të drejtat e njeriut.

Madje, në samitet e BE-së me partnerë si Bashkimi Afrikan, mbështetet një rend global efektiv dhe demokratik përmes bashkëpunimit multilateral. Analistë proevropianë shpesh theksojnë se BE-ja kërkon të mbajë institucionet multilaterale jo vetëm si mekanizma dialogu, por edhe si mekanizma veprimi për problemet që asnjë vend nuk mund t’i zgjidhë i vetëm.

Në një raport më specifik shfaqet Kina, në kushtet e tanishme të riformatimit të multilateralizmit dhe pranimit të tij si një realitet imponues. Madje Kina e ka avancuar interpretimin e vet përgjatë vitit që lamë pas, në konceptin e saj të emërtuar “multilateralizëm i vërtetë”. Sipas pikëpamjes së kësaj fuqie të madhe, institucionet ekzistuese globale nuk përfaqësojnë në mënyrë të barabartë interesat dhe Vendet e Jugut Global. Për këtë arsye, ajo promovon një qasje që kërkon bashkëpunim më të drejtë për zhvillim dhe siguri jo tradicionale. Në këtë vizion theksohet bashkëpunimi në fusha si siguria ushqimore, klima, qeverisja digjitale dhe zhvillimi, jashtë fokusit klasik të aleancave ushtarake.

Analistët kinezë dhe të huaj vlerësojnë se strategjia e Pekinit po tërheq vendet në zhvillim, duke ofruar një alternativë ndaj modeleve tradicionale multilateraliste. Analisti Shambaugh (2024) thekson se Kina nuk synon të shkatërrojë rendin multilateral, por ta riformësojë atë sipas interesave të saj strategjike dhe të Vendeve të Jugut Global.

Në këtë strategji, samitet e BRICS-it në vitin 2025 dhe shtrirja tij përbëjnë një sinjal të qartë të një forme të re të multilateralizmit. Jo më kot, BRICS është duke u zgjeruar, duke përfshirë vende të Vendeve të Jugut Global si Argjentina, Irani dhe Arabia Saudite, të cilat sinjalizojnë një rend shumëpalësh më multipolar. Në raportet dhe samitet e iniciuara apo të organizuara nga Kina janë kristalizuar ide për reforma të qeverisjes globale.

Analistët dhe vëzhguesit e tablosë aktuale ndërkombëtare nënvizojnë se, pavarësisht nevojës për bashkëpunim, fragmentimi gjeopolitik dhe polarizimi ekonomik po dobësojnë besimin në institucionet multilaterale ekzistuese dhe po kërkojnë reforma strukturore. Këto zëra shprehen për evolucionin e multilateralizmit dhe zgjerimin e perimetrit të përfaqësimit, duke përfshirë vendet e vogla dhe ato në zhvillim.

Në këtë kuadër, shtetet me fuqi të mesme po e përdorin multilateralizmin jo vetëm si mjet dialogu, por edhe si platformë për promovimin e interesave rajonale dhe forcimin e ndikimit në skenën globale.

Mirëpo, pavarësisht këtyre përpjekjeve, multilateralizmi në kontekstin aktual dhe në dritën e zhvillimeve të vitit 2025, do të përballet edhe më thellë në vitin e ri me: rritjen e nacionalizmit dhe proteksionizmit në disa vende; nevojën për reforma të institucionalizmit ndërkombëtar; si dhe me sfida që kërkojnë jo vetëm dialog, por veprim të bashkërenduar, besueshmëri midis fuqive globale dhe realizëm se problemet nuk mund t’i zgjidhë i vetëm asnjë vend.

Samiti i BRICS në Rio de Janeiro, Brazil, 7 korrik 2025./Foto nga VCG

Trendi i zhvillimeve përgjatë vitit 2025 dëshmoi se multilateralizmi po transformohet në një sistem ku fuqitë globale kërkojnë një ekuilibër midis interesave kombëtare dhe bashkëpunimit shumëpalësh. Patrick (2025) argumenton se zgjerimi i BRICS-it është një shenjë e qartë e fragmentimit të multilateralizmit klasik dhe e krijimit të formave paralele të bashkëpunimit shumëpalësh.

Në këtë kapërcim kalendarik, multilateralizmi nuk është në krizë përfundimtare, por në transformim. Fuqitë globale e pranojnë atë në mënyra të ndryshme. E ardhmja e multilateralizmit do të varet nga aftësia për ta bërë atë më gjithëpërfshirës, më fleksibël dhe më efektiv, por natyrisht edhe nga gatishmëria e aktorëve globalë për të pranuar sistemin e ri ndërkombëtar që do të formësohet pas shembjes të rendit ekzistues.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull