Arrestohet ish-drejtori i burgut të Durrësit

1 Minuta Lexim

Policia e Durrësit njofton arrestimin e ish-drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, Indrit Cërloj, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Cërloj u shkarkua nga detyra dy ditë më parë, pas arratisjes së Altin Ndocit, i akuzuar për disa vepra të rënda penale nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ngjarja ndodhi të martën në drekë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Indrit Cërloj, 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””.

Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banues në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shkruan ATSh.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull