” Nga Rudolf MARKU
“Romani Banka e Ankesave, ashtu si dhe veprat e mëparshme të Zija Çelës, vjen me njetin e një furtune që do të shkundë përgjumjen e botës shqiptare, të asaj letrare, në radhë të parë. Sepse çdo shkrimtar i kësaj bote, përpara se të mendojë për marrëdhëniet e tij me botën e përditshme, i duhet të zgjidhë ca kontrata që ai vetë ka me kodet estetike.
I parë në këtë këndvështrim, duke nënkuptuar begatinë estetike, “Banka e Ankesave” është një roman shumë më tepër e më kompleks se kaq. Libri ndërtohet me logjikën e arkitekturës danteske të Ferrit: shkatërrimi infernal i qenies njerëzore nga mekanizmat shtetërore burokratike e kontrolluese, me gjithë pasojat e një procesi të tillë – mozohizimi i viktimave dhe, si kundërgoditje, degradimi i vetë aparatit diabolik që survejon.
Jemi shumë afër gjenetikisht me një ndër veprat më të njohura të Franc Kafkës, me “Koloninë Penale”. Ndërsa në letërsinë tonë, i afërmi më gjenetik i romanit të Çelës do të qe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, njëri ndër dy librat më të famshëm të Kadaresë.
Kjo vepër e Zija Çelës ka më pak personazhe nga romanet e tjera të tij, midis të cilëve ndonjëri e kalon edhe numrin njëqind. Autori e ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u qëndruar gjithnjë afër karaktereve, në mënyrë që t’i bëjë sa më të prekshme, duke u dhënë mish e frymë. E po kështu, gjatë leximit, ndihet se veprën e përshkon një dhembshuri autoriale më direkte, më e shpallur para lexuesit.
Romani fillon me një glob, teksa drejtor Zamarini, në ritualin e përditshëm të shtrirjes së krahëve, përfytyron se ka vetë rruzullin e Botës në duart e tij. Pastaj sërish përfundon me një glob tjetër, por këtë radhë me rruazën e pikës së lotit, me sekretin hyjnor të vuajtjes së qenies njerëzore, me globin e vërtetë jo vetëm të planetit Tokë, por të vetë Universit tonë.”