Nga Dashnor Kokonozi-
Berberi i aeroportit të Rinasit edhe sot mendon se bënte punën e tij.
Nuk vuante nga asnjë dileme. Në të vërtetë, shkencat sociale e politike ende nuk e njohin një “dilemë të berberit”.
Dilema e marksistëve që vizitonin Shqipërinë, përkundrazi, ekziston.
Historia thotë se asnjë i huaj me mjekër të rritur, cilado qoftë ngjyra e saj, nuk duhej të kalonte kufirin e Shqipërisë. Por po aq e vërtetë është se, askujt nuk ia rruanin mjekrën me zor. Nëse doje të hyje te atdheu i proletarve, urdhëro e ulu në karrigen e berberit (versioni i Prokustit mitik).
Berberi nga ana e tij na siguron se kurrë nuk kishte parë njeri të kthehej mbrapsht.
Marksistët e vlerësonin mjekrën e tyre (ishte ajo që i afronte më shumë me Marksin), por nuk u mungonte kureshtja të shihnin çfarë ndodhte aty brenda. Këtu ishte edhe origjina e dilemës së tyre. Shqipëria në një farë mënyre u qe paraqitur si paradhomë e të ardhmes së njerëzimit. Të hyje aty, qe njëlloj si të shihnin të ardhmen e botës në një poçe qelqi.
Siç kam dëgjuar nga një numër berberësh të besueshëm, qëllonte që midis marksisteve ndonjë kërkonte të lidhej menjëherë me ambasadën shqiptare që i kishte lëshuar vizën, për t’i kujtuar premtimin për mos cenimin e integritetit fizik. Ata me mirsjellje spiuni u kujtonin se mjekra nuk ishte organ jetik.
Koha nuk priste. Atyre u duhej të gëlltisnin sa më shpejt traumatizmin dhe të uleshin te karrigia mitologjike.
Kishte edhe nga ata që vinin me ndonjë përvojë të luftës guerile, duke djegur makinat në lagjet e pasura të Parisit, Londrës, Bonit a Amsterdamit (por rrallë tregonin se edhe vetë e kishin një të tillë).
Pas refleksionesh të gjata, ndiheshin disi më të kthjellët.
Historia nuk e thotë nëse kuptonin gjësendi gjatë atyre vizitave falas në Shqipëri. Por berberët e shumtë japin siguri të plota se në kthim nuk shihnin gjurmë të dilemës në fytyrat e tyre.
Kishin kuptuar se ose duhej t’i pohonin botës se Ferri ekzistonte dhe se ne Rinas ishin portat e tij, ose të mbronin ideologjinë e tyre duke këmbëngulur marrëzisht se ekzistonte një vend ku populli ishte vërtet zot i fateve tij.
Nëse në mendjen e tyre mbijetonin ende elementë të dilemës së fillimit, ata kishin edhe premtimin e një vizite të të dytë falas.
Aty ku koha kishte ngrirë në rrënojat e sapohapura të një qytetërimi të pamundur!

