“Lirojeni Lame Kodrën, pastaj vij unë”, sfida që Fan Noli i bëri Enver Hoxhës! Sejfulla Malëshova, intelektuali që tha “askush s’duhet burgosur” dhe vetë u internua nga diktatura

22 Minuta Lexim

Nga Ymer Dëshnica=


-Sejfullai ishte eruditi klasik, që qante dhe qeshte me popullin, luftonte e fitonte me popullin

Edhe pse Sejfulla Malëshova nuk jetoi gjatë, bëmat, vuajtjet dhe vepra që ai la pas ka dimensionet e kombit shqiptar. Ai lindi si një fidan i brishtë rrapi, që fati e solli të mbillej në një “vazo lulesh”, rrahur nga tufane e stuhi të ashpra luftërash dhe përndjekjesh të egra. Por, Sejfullai kishte lindur për t’u bërë një rrap madhështor. Prandaj, në sa mund të hidhte rrënjë të thella një fidan i brishtë rrapi, mbjellë në një “vazo”, mes një honi të acartë, që s’e zinte as dielli, aq do të mbijetonte dhe shpirti e mendja e një njeriu me zemër të madhe si Sejfulla Malëshova. Jeta e tij nisi në një ditë marsi të vitit 1900. Jeta e tij ishte sa e vrullshme, aq edhe e trishtë, përmes luftërash e vuajtjesh, kulmesh e rëniesh, përndjekjesh dhe përçmimesh, deri sa dha shpirt në vitin 1971, në një bujtinë të ftohtë të Fierit, i vetmuar dhe në varfëri të plotë, i përcjellë për në banesën e fundit vetëm nga karroca me punëtorët e komunales dhe vështrimi i trishtë i Zenepes, motrës së tij të vetme.

KUSH ËSHTË SEJFULLA MALËSHOVA

Që në vitin 1920, ai shfaqet në Itali si kryetar i Konfederatës Studentore dhe aktivist i shquar i Shoqërisë “Bashkimi”, bashkë me Avni Rustemin, Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin. Kur ai ishte vetëm 24 vjeç, Fan Noli e emëroi kryesekretar të qeverisë së tij. Pas rënies së qeverisë demokratike, ashtu si idhulli i tij, Noli dhe shumë djem të tjerë që nuk mund të pajtoheshin me dhunën e monarkut, edhe Sejfulla Mallëshova mori udhët e mërgimit, për të punuar për Shqipërinë demokratike dhe shqiptarët. Në këto vite të vështira, atë do ta gjejmë veprimtar të shquar të KONARE-së, simpatizant të Luftës së Spanjës, pedagog në Universitetin e Moskës etj.. Ndërsa në vitin 1935, ai kthehet klandestin në Elbasan, si i dërguari i KONARE-së. Më vonë, si pjesëmarrës në lëvizjet revolucionare të kohës, do të dergjej burgjeve të Francës. Në vitin 1943 kthehet në Shqipëri për të marrë pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare dhe zgjidhet anëtar i Këshillit të Shtabit Përgjithshëm të Ushtrisë.

Prej Kongresit të Përmetit, Sejfulla Malëshova nisi të luante një rol të madh në shërbim të luftës për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Pas çlirimit të vendit në vitin 1945, ai do të kryente detyra të rëndësishme shtetërore e shoqërore si ministër i Kulturës dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndërsa në vitin 1956, ai ngarkohet me detyrën e ministrit të Arsimit. Pas Konferencës së Beratit nis, për të rënia dhe kalvari i përndjekjes dhe i persekutimit të tij të egër, i mbetur në vetmi dhe në varfëri të plotë, deri sa u përcoll në banesën e fundit. Edhe pse tërë jetën ia kushtoi lirisë dhe zhvillimit të vendit, ai jo vetëm që nuk u dëgjua kurrë, por dhe u përbuz e u përçmua vetëm se kishte ëndrra të bukura për një Shqipëri demokratike, me një ekonomi të hapur, që t’i ngjante një Zvicre të vogël. E donte atdheun dhe njerëzit e tij, ndaj ulej me ta portë më portë, për të kuvenduar shtruar. I vlerësonte njerëzit që i kishin shërbyer vendit. Ndaj shpesh udhëzonte që, askush të mos hidhte baltë mbi njerëz e shkrimtarë si Fishta dhe Konica, krijimtaria e të cilëve ndrinte si Rubini.

Sejfulla Malëshovën e përndoqën dhe e baltosën, sepse thoshte të vërtetën. Dhe, të thuash të vërtetën, thotë Bjelinski, duhet të kesh guxim dhe fisnikëri. Për Sefulla Malëshovën, askush nuk duhej burgosur, persekutuar e vrarë. Dhe, si për ironi të fatit, Sejfullai u përndoq e u internua, vetëm se dashuronte fjalën dhe mendimin e lirë. Kur Enver Hoxha i kërkoi Nolit të kthehej në Shqipëri, ai i përgjigjet: “Ju e keni Fan Nolin te Lame Kodra, internuar baltrave të Myzeqesë. Liroeni atë dhe më keni mua”. Edhe pse diktatura kishte dashur ta digjte Sejfulla Malëshovën si meteor, ajo nuk mundi ta shuante dot ndriçimin e tij të përjetshëm. Te personaliteti i tij poliedrik janë harmonizuar bukur: figura e kalorësit të demokracisë me njeriun largpamës, figura e poliglotit 14 gjuhësh me shqipëruesin origjinal të veprave të mëdha me famë botërore si “Internacionalja” e Hajnes, “Punëtorët e avëlmendit” e Gëtes, “Mbreti i Tulës” e Pushkinit, “Kënga e Zgalemit” e Gorkit, “Kopshti i qershive” e Çehovit etj.. Por, për ironi të fatit, ai u detyrua të punonte në një magazinë që tregtonte 14 lloj zarzavatesh. Të gjithë e këndonin “Internacionalen” e përkthyer aq bukur nga ai, por askush nuk e përmendi kurrë emrin e shqipëruesit, gjuhëartë, Lame Kodra. Për Ymer Dëshnicën, ai ishte eruditi klasik, që qante dhe qeshte me popullin, këndonte dhe luftonte me popullin, shpresonte dhe fitonte me popullin”.

LAME KODRA DHE ZËRI I TIJ POETIK

-Unë e dua Shqipërinë/ Për një stan në Trebeshinë-

Ajo që e bëri Sefulla Malëshovën, me emrin artistik “Lame Kodra”, të pavdekshëm për kohën që jetoi, është poezia. Ai ishte dhe mbeti një nga poetët më të mirë të letërsisë shqipe të viteve ‘20-‘30. Poezia shqipe e këtyre viteve, thekson kritiku Koço Bihiku, do të ishte e mangët pa emrin e Lame Kodrës. Ndërsa për Nolin, ai ishte poeti popullor, që meriton notën më të lartë. Lame Kodra ishte dhe mbeti poeti rebel dhe i protestës ndaj shtypjes dhe mungesës së lirisë kombëtare e shoqërore.

Pikërisht në këtë aspekt qëndron vlera e padiskutueshme e krijimtarisë së tij poetike, të cilën e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve. Një punë serioze për ribotimin dhe sistemimin e krijimtarisë së Lame Kodrës, ka bërë dhe bën shtëpia botuese “Argeta-LMG” që drejtohet nga Mehmet Gëzhilli, i cili përgatiti dhe botoi serinë e krijimtarisë së tij në 3 vëllime: me poezi, me shqipërime dhe publicistikë, të shoqëruar edhe me mendimet e kritikës dhe studiuesve të krijimtarisë së tij. Po, le të rikthehemi tek vlerat e poezisë së Lame Kodrës, për kohën që ai jetoi. Për Agim Vincën, poezia e tij është shkruar me një gjuhë të kulluar shqipe. Ndërsa Noli, kur lexoi poezitë e para të L. Kodrës, shkruante se, poezitë e tij ishin të frymëzuara nga zjarri i shenjtë. Vargjet e tij të para, shkruar në kohën kur ishte student në Itali, u ngjanin notave të një simfonie të bukur muzikore. Ai hyri në arenën poetike, kur në botën ballkanike dhe shqiptare frynte era e indipedencës dhe lirisë kombëtare. Lame Kodra, duke ardhur nga shtresat e varfra të popullit, e ndjente akoma më të domosdoshme nevojën e lirisë së Atdheut dhe kërkesën për barazi shoqërore. Duke vlerësuar lart natyrën luftarake të poezive të tij, inteligjencën e mprehtë dhe ndjenjat e kulluara patriotike, Noli dhe Konica e quanin Lame Kodrën dishepullin e kohës dhe bashkëpunëtorin e tyre të radhës së parë. Ai ishte i bindur se, vetëm populli shqiptar dhe bijtë e saj do ta bënin Shqipërinë të lirë e demokratike.

TRUMBETË E LUFTËS PËR LIRI

Koha bëri, që poezia e L. Kodrës të kthehej në trumbetë për t’i inspiruar shqiptarët në luftë për liri. Me vargjet e poezisë “Vlora”, shkruar në vitin 1938, që nga Franca, Lame Kodra hidhte kushtrimin për lirinë e Shqipërisë. Kjo poezi është shkruar në kohën kur dukej qartë, se Shqipëria kontrollohej plotësisht nga Italia fashiste. Ndaj, poeti, i syrgjynosur larg atdheut shkruan vargjet: “Me turp e gjak Atdheu po mbulohet/ Po rripet e po shtypet Shqipëria/ Më thoni vëllezër, a durohet/Flamuri dhe liria që të shkelet e poshtërohet?!”. Dhe, pasi merr zemër, hedh kushtrimin: “Kudo filloni luftën për liri/ Rrokni flamurin, prapë dil në ballë!/ Vlorë, o moj Vlorë, sulu përsëri!”. Nëse është pranuar nga të gjithë, se fryma e luftës për lirinë e Shqipërisë erdhi nga Federata e emigrantëve shqiptarë të Francës, një meritë të veçantë pati Sejfulla Malëshova dhe poezia e tij luftarake, e cila u bë shpirti i rebelimit të popullit dhe frymëzuesi i Luftës Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve.

HERONJTË E LIRISË

Poeti revolucionar Lame Kodra u inspirua nga gjaku i Avni Rustemit, nga fjala e ngrohtë e Ali Kelmendit dhe shembulli heroik i Qemal Stafës e Vojo Kushit. Ishin këto shembuj heroizmi, që e bënë poezinë e Lame Kodrës të binte erë baruti. Në ato kohëra luftërash, një shkrimtar amerikan shkruante se, në ka vjersha më të mira që i vlejnë drejtpërdrejt luftës për liri, ato janë vjershat e Lame Kodrës.

Nga që ato mbajnë brenda notat e universalitetit, lexohen, ndihen e shijohen në çdo kohë. Kjo ndodh edhe për shkak se poezia e L.Kodrës ecën në gjurmët e gurrës popullore dhe nën shembullin e vjershërimit të Naimit, Çajupit, Asdrenit e Nolit. Ato karakterizohen nga pathosi heroik, muzikaliteti ritmik dhe origjinal. Lame Kodra është një erudit klasik, që di të harmonizojë bukur brendinë me formën. Dëshiron që t’i pasqyrojë njerëzit, jo vetëm ashtu siç janë, por edhe si duhet të jenë. Në brazdat e poezive të tij për luftën trokëllin aksioni, veprimi, shpresa dhe guximi. Një nga poezitë e tij më të bukura është ajo me titullin “Klithma e Dragobisë”, shkruar në vitin 1941. Nga stili, ajo të kujton vjershërimin luftarak të Çajupit.

Ishte koha kur kishte marrë udhë Lufta për çlirim kombëtar. Për t’i frymëzuar më tej luftëtarët e lirisë, Lame Kodra u kujton atyre shembullin e ideatorëve dhe heronjve shqiptarë në luftërat shekullore. Për të treguar këtë, mjafton të citojmë vargjet: “Ja, nga brigjet e Tiranës/ Del Naimi:/ Dyllë i verdhë, syshkëlqyer nga mejtimi”, për t’u tretur si qiriri për Shqipërinë. Ndërsa më poshtë, ai u kujton Bajram Currin, që ka dalë e sokëllin për liri, Selam Salarinë, i cili “del nga Vlora/ Me shark, qylaf të bardhë/Si dëbora”. U kujton Avni Rustemin, zemërluan, Riza Cerovën, i cili nga thellësitë e tokës, ku ka rënë për të mos vdekur kurrë, nxjerr “xixa zjarri”. Poezia tjetër me kolorit të thellë popullor dhe heroik është ajo me titullin tepër poetik “Bilbilenjtë”, kushtuar 13 trimave të Kurveleshit, të cilët, nga që kishin dalë malit kudër pushtuesve turq, të tradhtuar, kapen befasisht, për t’u varur në Janinë. Por ata nuk zbrapsen kurrë, as para litarit. Ndaj poeti Lame Kodra, duke u frymëzuar nga heroizmi shkruan vargjet: “Një nga një te rrapi vjetër/ një mëngjes i Shënëndreut/ Bilbilenjtë trembëdhjetë/ vanë në litare vetë”, duke iu drejtuar vrasësve me fjalët: “Dale bej të dredh mustaqet/ Dale bej të ndez cigarë/Se nuk jam çanak me dhallë, /Po jam bilbili me pallë”. (74)

DASHURIA PËR ATDHEUN DHE VENDLINDJEN

Motivi i dashurisë për atdheun dhe vendlindjen zë një vend të rëndësishëm në poezinë e Lame Kodrës. Vjersha “Fshatit tim”, shkruar në vitin 1920 është një poezi me ngjyrime të thella meditative. Fshatit të tij, ku rrinë shkabat, ai i drejtohet përulësisht nëpërmjet vargut “Unë ty të falem”.

Ai krenohet me të, jo se ka pasuri përrallore, por vetëm, se “ka lisa të mëdhenj e plot forcë”, por veçanërisht, sepse “ka burra trima e vajza bukuroshe”. Prandaj, në fund të kësaj poezie, duke kërkuar ndjesë që ishte larguar prej tij, shkruan premtimin emocional poetik: “Pritmë, o fshat i bardhë/ Aty po vij, aty ku qesh natyra/ Ku zemra ime gjen pushim e qetësi!”. Akoma më e bukur tingëllon në penën e Lame Kodrës poezia me titull “Si e dua Shqipërinë”. Ajo është një himn i bukur kushtuar tokës dhe Atdheut. Në Shqipëri, shkruan poeti, “s’kam as çifligje, as pallate”. Megjithatë, vazhdon ai më poshtë: “Unë e dua Shqipërinë/ Për një stan në Trebeshinë/ Për një shkarpë e për një gur/ Për kasollen mi Selishtë,/ Unë e dua Shqipërinë/ Si bari dhe si fshatar”. Lame Kodra e do Shqipërinë, “Për tërfilin mi lëndinë/ Për një vajzë gjeraqinë”.

Ai e do Shqipërinë/ Për një lule trëndelinë/ Për bilbilin që këndon/ Që nga Shkupi në Janinë”. Në poezinë “Atdheu”, Lame Kodra e thellon më tej motivin e atdhedashurisë, nëpërmjet vargjeve: “Ashtu siç është e dua Shqipërinë/ me shpella e shkalla, buza e gremina”. (100). Në poezinë “Pragu”, shprehet dyzimi shpirtëror i djalërisë shqiptare të atyre viteve të vështira luftërash e mosbesimi. Heroi i kësaj poezie, duke kërkuar të kapërcejë pragun, humbet nëpër humnera e hije të mjegullta. Poezitë e Lame Kodrës, ka raste që ndikohen ndjeshëm nga vjershërimi i Majakovskit, i cili shkruante vargje të tillë, me brendi revolucionare: “Dhe vargu dhe kënga/ është bombë e flamur”. I ndikuar dukshëm prej vjershërimit të tij, poeti rebel Lame Kodra, më vonë do të shkruante vargjet “Vjershë, o vjershë, shko si bombë/ Me tërbim/ Shko përhapu si flamur/ Si kushtrim”, brendia e të cilëve buron nga koha revolucionare dhe qëllimi utilitar për të cilin janë shkruar. Ndërsa vargjet, kushtuar Qemal Stafës kanë zërin e trumbetës dhe ritmin e kushtrimit për liri. Pas asaj trumbete metaforike “rreth e qark, si yje zjarri/ ngrihen shokët e Qemalit për liri”.

Në vëllimin poetik “Vjersha” të Lame Kodrës, duket qartë ndikimi i stilit vjershërues të Naimit, Çajupit, Nolit dhe Lasgushit. Heronjtë kryesorë të poezive të tij janë njerëzit e thjeshtë të popullit, punëtori, fshatari dhe intelektuali i vetëdijshëm e poeti revolucionar, që rebelohet ndaj pushtuesit dhe shtypjes e shfrytëzimit të bejlerëve dhe të agallarëve. Universi poetik i vjerëshrimit të tij ka dimensionet e realitetit politiko-shoqëror shqiptar të kohës. Për poetin Lame Kodra, atdheu, edhe kur duket i ngrysur e i drobitur, është kurdoherë i bukur. Nga atdheu ai nuk kërkon as grada as ofiqe. Ai e do atdheun, ashtu siç është, me shkëmbinj e gremina. Dëshpërohet thellë, kur sheh, se disa djem e braktisin vendin e tyre pa e kthyer kokën mbrapa. Kur e sheh se bijtë e tij janë stepur e ftohur me vendin e tyre, duke parë vetëm interesat e ngushta vetjake, shkruan vargjet: “Mallkuar ata që harrojnë mëmëdhenë/Mallkuar bejlerëve e mbretërve shpirtmizorë/ Mallkuar njerëzve që verbohen nga luksi pa fre” dhe harrojnë mëmëdhenë. Në antitezë me njerëz të tillë, poeti vë heronjtë, që shkëlqejnë si yje zjarri dhe mbetën të përjetshëm si flamuri i lirisë. Për kritikun Razi Brahimin, Lame Kodra është pionier i poezisë revolucionare.

Ai ishte poet i angazhuar, që me poezitë e tij luftarake i priu lëvizjes çlirimtare të vendit nga pushtuesit dhe veglat e tyre. Nuk mund të themi se ai krijoi vjershërimin modern, por me stilin dhe motivet e papërsëritshme, shkroi kohën e vetë të papërsëritshme. Për kritikun letrar Adriatik Kallulli, Lame Kodra është zejtar i poezisë. Poezia e tij ishte e lidhur ngushtë me fatin dhe pulsin e kombit e të atdheut. Shumë poezi të Lame Kodrës janë pasqyrë e shpirtit, vuajtjeve dhe ëndrrave të popullit tone, në situata e kohëra kthesash të rëndësishme politike dhe shoqërore. Poezitë e këtij poeti janë një vazhdimësi e bukur e vjershërimi të Rilindjes Kombëtare.

Krahas timbrit ritmik të luftës, në to zënë vend të dukshëm edhe dukuritë natyrore, kataklizmat, metamorfozat dhe ndjesitë, që herë ndëshkojnë e gjymtojnë shpirtra, e herë ngazëllejnë e forcojnë dëshira e ëndrra njerëzish. E tillë është poezia “Shtrëngata”, botuar në vitin 1940, brendia e së cilës lidhet me ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore. Nga ana kompozicionale, ajo i ngjan një pikture të bukur metaforike. Rrapëllima e shtrëngatës në këtë poezi përfshin detin e qiellin, malin e fushën dhe gjithçka që ndodhet përreth. Njeriu, i tmerruar nga kjo rrapëllimë e frikshme shfaqet si një qenie e pafuqishme, që përplaset si një kataklizmë e frikshme, si një dëm i pariparueshëm, si dukuri absurde e mbinatyrshme, që qëndron mbi njeriun. Ndaj njeriu që e pikas i pari këtë dukuri të pafre, përhap tek njerëzit e tjerë klithmën që ata të parapërgatiten për gjëmën e madhe që i kërcënon. Në poezitë e Lame Kodrës, shkruan gjuhëtari Emil Lafe, ndihet edhe ndikimi i poezisë gjermane. Kjo ndodh, sepse edhe Lame Kodra ndjek shembullin e heronjve të Hajnes, siç është Karl Libknehti. Ndaj, nën shembullin e H.Hajnes, në vitin 1924, do të shkruante vargjet: “Njerëz, mjaft duruat/ Ngrehuni/ Ne jemi si furtuna/ Vrullin tonë, askush nuk e ndal”.

Poezitë e L.Kodrës, për Koço Bihikun, janë persiate liriko-filozofike. Ato janë poezi luftarake, joshëse dhe meditative, që bien erë barut, si koha që i solli. Vlera e tyre qëndron tek fakti, që ato fiksojnë një kohë të ashpër luftërash që brezat duhet t’i njohin e përjetojnë, për të mos u përsëritur kurrë. Lame Kodra do të mbetet si një zë i përveçëm i poezisë shqiptare, që i këndoi kaq bukur luftës për liri. Zëri i tij poetik mbeti si një shpuzë e ndezur brenda hirit të një kohe të padrejtë, që donte ta fshihte zjarrin e saj të pashuar. Këtë e shprehin edhe vargjet e Lame Kodrës, shkruar mes territ të barakave të internimit: “Kudo poetit iu vërsul rrëmeti/ në luftë për liri e fitore”. Edhe pse të huajt, poezinë e Lame Kodrës e njohën si një vlerë të rrallë, ne e baltosëm dhe e fshehëm nën hirin e harresës. Por, akoma më e çuditshme është baltosja dhe përbuzja e kësaj figure poliedrike, që gjithçka e bëri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe diktatorët e kënduan “Internacionalen” e përkthyer aq bukur prej tij, por askush nuk donte ta dinte, se ato vargje të bukura i kishte shqipëruar mjeshtëri i fjalës, Lame Kodra. Edhe pse ai që në vitin e parë të lirisë kishte botuar 3 vëllime me poezi, gjithçka ia shumëzuan me zero. Megjithatë, emri Sefulla Malëshovës dhe zëri poetik i Lame Kodrës, s’ka për t’u harruar kurrë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull