Nga Aleksandër Çipa
Goditja ushtarake e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit nuk është thjesht një episod i ri tensioni në Lindjen e Mesme. Ky kapitull i ri është ndoshta prova më serioze për rendin ndërkombëtar, fatin e mëtejshëm të tij dhe për mënyrën se si fuqitë e mëdha do ta përdorin dhe interpretojnë të drejtën ndërkombëtare në kohë krize.
Në episodet tronditëse të goditjeve të ndërsjella dhe sidomos në këtë moment delikat për historinë e njerëzimit, Kina po përpiqet të projektojë imazhin e një fuqie që u mbetet ende parimeve klasike të së drejtës ndërkombëtare: sovranitetit, integritetit territorial dhe ndalimit të përdorimit të forcës pa autorizim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Natyrisht, kjo situatë dhe sidomos pasimi i reagimeve me tone të larta në arenën ndërkombëtare, nga shtete të ndryshme,( kryesisht fuqi rajonale dhe vende me potenciale të mëdha në arenën gjeopolitike globale), na jep të drejtën të mbesim në skepticizëm dhe dyshim të shtuar më të ardhmen e afërt ndërkombëtare. Parimisht Kina dhe vendet kryesore të BE, po shprehen përmbajtshëm për përmbajtje dhe mbrojtje të rendit juridik ndërkombëtar ekzistues. Vëmendja e diplomacisë ndërkombëtare po përqendrohet sidomos në reagimet dhe qëndrimin e Europës, si një kontinent me peshë specifike politike ndërkombëtare, por me një papërgatitje dhe pasivitet në prag të kësaj situate e cila ka përmbysur dhe thyer shumë prej rregullave dhe raporteve ekzistuese.
Mbledhje emergjente e Këshillit të Sigurimit për situatën në Iran, 1 mars 2026, Nju Jork, ShBA/Foto nga VCG
Në stuhinë shokuese të goditjes amerikano-izraelite mbi Iranin, faktorët shumëpalësh dhe me individualitete të ndryshme në skenën globale nuk kanë shpejtuar të ndajnë pozicionime, por gjithashtu nuk kanë hezituar të sjellin në apelet e tyre përmbajtjen dhe respektimin e ligjeve të së drejtës ndërkombëtare. Principialisht është përmendur apeli për mbrojtjen e sovranitetit. Në këto reagime Kina ka qenë e parashikueshme, duke apeluar për përmbajtje, kundërshtim të përshkallëzimit dhe theksimin e rolit qendror të OKB-së. Në diskursin zyrtar të Pekinit paraqitet se goditja mbi Teheranin është një veprim që rrezikon minimin e normave dhe rregullave themelore të sistemit ndërkombëtar. Ky është një qëndrim tradicionalist i politikës së jashtme të fuqisë aziatike. Natyrisht në këtë konfirmim dëshmohet edhe pragmatizmi kinez. Ekzistojnë shumë projekte strategjike të ngritura dhe projektuara në marrëdhëniet mes Kinës dhe rajonit përreth Iranit, çka do të thotë se në një realitet konflikti, cenohen interesa të fuqisë së Kinës. Kjo situatë e bën edhe më me peshë konsistencën dhe pozicionin e Kinës në kuadër të nevojës së përbotshme për sistem dhe norma ndërkombëtare. Risqet prej përdorimit të forcës dhe risqeve të vetëmbrojtjes, pa pasur mandat të Këshillit të Sigurimit, shkaktojnë dhe inspirojnë goditje serioze dhe me pasoja sismike në arealin ndërkombëtar. Kjo e shtyn edhe më tej në paqëndrueshmëri rendin ndërkombëtar.
Në një qasje afruese po shfaqet edhe Europa, e cila duket se përballet me dilemën e ndërmjetme midis aleancës dhe ligjit ndërkombëtar, prej ndodhive përplasëse në Iran.
Foto nga VCG
Reagimet e deritanishme të udhëheqësve europianë kanë qenë dhe mbeten më komplekse. Brenda Bashkimit Evropian po spikat një tension, dukshëm i qartë mes dy vektorëve: Zgjedhjes së solidaritetit transatlantik. Mbështetja e SHBA dhe njohja e së drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje. Apo, legalizmi multilateral, de-eskalimi dhe respektimi i kornizës së OKB-së?!
Shumë drejtues të diplomacisë europiane po e venë theksin tek rreziku që paraqitet për sigurinë rajonale. Sikundër disa vende të BE-së po pozicionohen me diferencë dhe distancim, duke paralajmëruar për pasoja përshkallëzuese si dhe rikthimin emergjent tek diplomacia. Pozicionimet e Spanjës, madje duke refuzuar edhe vënien në dispozicion të aftësisë dhe infrastrukturës aeroportuale, ka hapur një hendet të ri brenda kuadrit të trashëgimisë partneriale si euroatlantikas.
Kjo qasje po riaktualizon një dilemë strategjike europiane: A do të mbetet Europa e lidhur ngushtë me interpretimin amerikan të sigurisë, apo do të forcojë autonominë e saj strategjike duke mbrojtur me më shumë konsekuencë rendin juridik ndërkombëtar?
Ecuria e mëtejshme e zhvillimeve me Iranin pashmangshmërisht do të përcaktojë edhe testimin global për rendin ndërkombëtar. Tashmë duket sikur Perëndimi dhe Kina po ndërrojnë vendet për sa i përket rolit si promotor kryesor për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
BE-ja organizon mbledhje mbi situatën e Iranit, 3 mars 2026, Bruksel/Foto nga VCG
Nëse shkohet më tej dhe shtohen rastet e përdorimit të forcës, atëhere po bëhen praktikë veprime apo ndërhyrje jashtë kornizës së OKB-së. Tashmë arkitektura e SHBA-së dhe BE-së në kuadër ndërkombëtar po dobësohet në mënyrë të pariparueshme dhe po degradohet. Qëndrimi kinez, brenda të cilit natyrisht që ekzistojnë edhe qëllime strategjike pragmatiste kombëtare, rezonon me shqetësimin real juridik ndërkombëtar që ndan opinioni masiv shumëkombësh.
Nëse kjo situatë zgjat dhe shton pasojat e veprimeve luftarake që palët kanë parashikuar apo zbatojnë, atëhere Europa mund të lëvizë nga pozicioni dhe zgjedhja e heshtur, duke u afruar me qasjen kineze për primatin e ligjit ndërkombëtar.
Goditja SHBA-Izrael ndaj Iranit ka rihapur debatin mbi kufijtë e përdorimit të forcës dhe mbi natyrën e rendit ndërkombëtar. Kina po ndan formalisht rolin e mbrojtëses së parimeve ekzistuese juridike, ndërsa Europa po lëviz mes besnikërisë ndaj aleancës transatlantike dhe përkushtimit ndaj multilateralizmit.
Matanë fatit të konfliktit çështja është nëse rendi ndërkombëtar do të vazhdojë të mbështetet mbi rregulla të përbashkëta, apo do të rrëshqasë drejt një epoke ku interpretimi i forcës bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm.

