“Rezoluta, Dovleti dhe Paratë e Huaja”

4 Minuta Lexim

Nga Auron Tare-

Në librin e tij monumental me Kujtime, Ekrem Bey Vlora ka një pasazh i cili përmbledh, në një farë mënyre, të gjithë retorikën, servilizmin dhe hipokrizinë patriotike të politikanëve gjatë këtyre 100 viteve të shtetit të shqiptarëve.
I ati i Ekrem beut, Syrja Vlora, një diplomat i njohur i shtetit osman që pati një rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare, e pyeti një prej bejlerëve të kohës, i përfshirë në ngjarjet e vitit 1912, se përse shprehej pro politikave franceze, aq më tepër kur nuk e lidhte asgjë me atë vend dhe nuk fliste as gjuhën e tyre.
Përgjigjja e beut shqiptar mbetet një lapidar i mentalitetit të mercenarizmit të politikës shqiptare:
“Syrja bej, austro-hungarezët i ke ti, Libohovat kanë Italinë, pasha i veriut ka serbët, me turqit janë gjysma e miletit. Po unë nga do ta marr rrogën nëse Dovleti bie?”
Kjo përgjigje, e sjellë me humor nga një vëzhgues i hollë i politikës shqiptare si Ekrem bej Vlora, në fakt është një nga dilemat më të mëdha të ekzistencës së shtetit të shqiptarëve.
M’u kujtua ky moment historiko-letrar, pasi sot isha në një panel mediatik ku një prej bashkëbiseduesve u shpreh se në fakt shteti i Iran, i cili sot u shpall një shtet terrorist nga parlamenti shqiptar, ka mbi 30 vjet që ka qenë i pranishëm në hapësirat shqiptare, duke financuar një seri institucionesh, por në veçanti politikanë shqiptarë.
Zotëria në panel tha se ish-kryetari ynë i parlamentit ka qenë financuar prej kohësh nga shteti i Iranit, dy presidentë të republikës po ashtu, klerikë, akademikë, punonjës të institucioneve të sigurisë, si dhe një ish-nënkryetar bashkie i Tiranës ishin mbështetur apo sponsorizuar prej vitesh nga shteti i Iranit.
Në fakt, imagjinoni kur një shtet periferik, pa ndonjë arsye të fortë politiko-territoriale, është kaq prezent në Shqipëri (nëse e marrim të mirëqenë deklarimin publik sot në TV). Çfarë mund të themi për fqinjët tanë?
Sa politikanë, personalitete shkencore, gazetarë, punonjës të sigurisë kombëtare, liderë politikë e kështu me radhë financohen fshehurazi nga shërbimet e fqinjëve tanë?
Sa politikanë apo njerëz me influencë në spektrin politik, në biznes, në kulturë, në sferën fetare dhe në media janë në shërbim të politikave të shteteve të tjera?
Sa projekte me interes kombëtar sabotohen apo ngadalësohen nga vendimmarrësit e shtetit tonë në dobi të politikave të fqinjëve tanë?
Sa veprime politike merren në interesa të ngushta dhe jo kombëtare?
Sigurisht, keto jane pyetje te vështira për të marrë një përgjigje të saktë. Por nëse shqiptarët nuk do të ndërpresin një herë e përgjithmonë influencat e huaja në çështjet tona kombëtare, vendi do të vazhdojë të marrë rrokopujën.
Dhe politikanët tanë do të vazhdojnë politikën e Beut te dikurshem që me rënien e Dovletit do të hidhen në prehrin e një Dovleti tjeter , mjafton që ata të paguajnë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull