Beteja për Himarën: Prapaskenat e një propozimi për zhvendosjen e Qendrës Administrative (1940)

4 Minuta Lexim
Nga Aleksandër Cangonja-
Në korridoret e administratës shqiptare të vitit 1940, midis raporteve sekrete dhe analizave të rrepta politike, fshihet një histori tensionesh të larta për kontrollin e bregdetit jugor. Dokumentet që gjenden sot në Arkivin e Shtetit (Fondi 152, Ministria e Punëve të Brendshme, Dosja 103), hedhin dritë mbi një përplasje vizionesh midis periferisë dhe qendrës, ku në lojë ishte jo vetëm administrimi i një krahine, por vetë identiteti kombëtar i saj në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Arsyet e Prefektit: “Vunoi, shkamb i Shqiptarisë” dhe “Lista e zezë” e Grekomanëve.
Gjithçka nisi me një propozim radikal të Prefektit të Vlorës, Faik Quku, i cili përmes një shkrese zyrtare drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, kërkonte zhvendosjen e menjëhershme të qendrës së Nënprefekturës nga Himara në fshatin Vuno. Arsyetimi i prefektit ishte i ndërtuar mbi një dikotomi të fortë politike dhe patriotike. Ai e cilësonte Himarën si një vatër të rrezikshme të “grekomanizmës”, ku figurat lokale si Spiro Milo ushtronin një influencë që minonte autoritetin e shtetit shqiptar. Sipas Qukut, popullsia e Himarës, Dhërmiut dhe Palasës, duke folur greqisht, ishte bërë pre e propagandës së huaj, duke e kthyer këtë zonë në një “gerdhe” që infektonte edhe pjesën tjetër të popullsisë që vinte aty për punë zyrtare. Në këtë kontekst, Vunoi paraqitej si antiteza perfekte: një “shkëmb i shqiptarizmës” i vendosur strategjikisht mes fshatrave problematikë. Prefekti argumentonte se Vunoi ishte toka e burrave që i kishin bërë nder Shqipërisë, si familjet Brillo e Kasneci, dhe se lartësia e tij gjeografike ofronte një pozicion më të mirë për të vëzhguar dhe kontrolluar lëvizjet në krahinë. Përveç anës politike, Quku përpiqej ta shiste idenë edhe përmes estetikës dhe modernizimit, duke pretenduar se Vunoi kishte shtëpi më moderne dhe ishte më i shëndetshëm se Himara e vjetër dhe e degraduar.
Refuzimi i Tiranës: Strategjia e “Përballjes”
Megjithatë, Tirana zyrtare nuk u bind. Në përgjigjen e saj të prerë të datës 21 shkurt 1940, Ministria e Punëve të Brendshme e rrëzoi propozimin me një logjikë sa administrative, aq edhe strategjike. Për qeverinë e kohës, braktisja e Himarës do të ishte një dorëzim përpara elementëve fillogrekë. Ministria argumentonte se nëse Himara ishte vërtet qendra e propagandës, atëherë prania e shtetit duhej të ishte më e fortë se kurrë pikërisht aty, për t’i luftuar këto rryma “sistematikisht”. Largimi i autoriteteve do t’u linte shteg të lirë kundërshtarëve për të ushtruar aktivitetin e tyre pa asnjë pengesë. Për më tepër, Tirana evidentoi edhe pamundësinë logjistike të këtij ndryshimi. Himara ishte qendra natyrale e rrethit dhe, mbi të gjitha, kishte daljen në det. Zhvendosja në Vuno do të bënte të pamundur funksionimin e Kapitenarisë së Portit dhe të Doganës, institucione jetike për ekonominë dhe sigurinë e vendit. Në vend të ikjes, ministria urdhëroi prefektin të merrte masa të rrepta për “shkatërrimin e asaj gerdheje” dhe të bindte popullsinë vendase që të kthente sytë nga fati i përbashkët i Shqipërisë. Kështu, ky shkëmbim dokumentesh mbetet sot si një dëshmi e rëndësishme e betejës së heshtur për të ruajtur integritetin administrativ dhe kombëtar në një nga zonat më delikate të hartës shqiptare.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull