Nga Yzedin Hima-
Lajmi për ikjen e parakohshme të Namir Lapardhasë ra mbi Berat si një heshtje e rëndë, nga ato që nuk i fashit dot as koha. Nuk iku thjesht një djalë i ri, as thjesht një krijues, gazetar apo mësues. Iku një prej atyre pak njerëzve që shërbejnë si busull morale për një komunitet të tërë. Namiri ishte mishërimi i thënies se “stili është vetë njeriu”: i matur, i drejtë, i ndershëm dhe me një mendje që rrezatonte dritë edhe në debatet më të errëta.
Namiri rridhte nga një prej familjeve më të njohura dhe më të vjetra beratase, një degë e trashëgimisë sonë që provoi mbi supe goditjen e pamëshirshme të regjimit komunist. Persekutimi që familja e tij pësoi do të kishte mjaftuar për të mbjellë mllef në çdo zemër tjetër. Por te Namiri, kjo histori vuajtjeje u shndërrua në një përkorë mahnitëse.
Ai nuk e njohu kurrë urrejtjen për persekutuesit. Besimi i tij i palëkundur dhe i përkorë te Zoti ishte mburoja që e mbajti shpirtin e tij të pastër nga helmi i hakmarrjes. Namiri na tregoi se si mund të jesh mendjehapur dhe modern, duke qëndruar njëkohësisht besnik ndaj rrënjëve dhe vlerave tradicionale të familjes dhe qytetit.
Në peizazhin e sotëm mediatik, ku shpesh mbizotëron zhurma dhe servilizmi, Namiri ishte një ishull integriteti. Si gazetar dhe kritik letrar ai ishte penda e bukur, që nuk u dorëzua kurrë përballë hipokrizisë dhe mashtrimit: Ai shkruante me një vërtetësi që të bënte të reflektoje. Ishte kundërshtari natyral i çdo dukjeje të rreme dhe çdo kompromisi me të keqen.
Analizat e tij shquheshin për një delikatesë gjuhësore të rrallë. Ai nuk kishte nevojë për britma për të thënë të vërtetën; i mjaftonte forca e argumentit dhe një shije e hollë ideoestetike që buronte nga dashuria e tij për artin dhe letërsinë. Ai ishte zëri i njerëzve të thjeshtë dhe mbrojtësi i palodhur i të përbuzurve, duke e parë profesionin jo si mjet për famë dhe para, por si mjet për drejtësi.
Për nxënësit e shkollës se mesme ku ai dha mësim, Namiri nuk ishte thjesht mësuesi i radhës. Ai ishte një mentor i formimit njerëzor. Ai nuk kërkonte vetëm që nxënësit të mësonin lëndën, por që të bëheshin qytetarë me dinjitet, duke përcjellë te ta të njëjtën frymë drejtësie që e udhëhoqi gjithë jetën.
Jashtë klasës dhe zyrave të redaksisë, Namirin mund ta gjeje në ngjitjet e maleve të vendit. Ky adhurim për natyrën nuk ishte thjesht pasion sportiv, por një nevojë shpirtërore për t’u lidhur me krijimin, me pastërtinë e majave, atje ku ajri është i hollë dhe mendimi bëhet më i kthjellët.
Namir Lapardha ishte vazhduesi i denjë i një brezi të artë intelektualësh që i kanë dhënë dritë këtij qyteti dhe më gjerë. Ai u rreshtua natyrshëm pranë emrave si Islam, Iliaz, e Jusuf Vrioni, Vexhi Buharaja, Namik Mehqemeja, Kristaq e Margarita Tutulani, Luan Myftiu, Sotir Capi, Simon Vrusho.
Ashtu si ata, Namiri besonte se Berati nuk është thjesht një qytet gurësh, por një qytet mendimi. Ai ishte miku i mirë i të gjitha moshave; komunikonte me të moshuarit me respektin e traditës dhe me të rinjtë me vizionin e së ardhmes.
Namir Lapardhaja është autor i tre librave të mirëpritur nga lexuesi.
Ja çfarë shënon në faqen e tij: “Tre librat e shkruar prej meje, janë dëshmi e rrugëtimit si aktivist dhe qytetar i angazhuar, publicist dhe lexues i kujdeshëm i letërsisë. Veç të tjerash, shkrimin e shoh si shprehje të vetes, ndaj ne veç atyre që lexojmë, jemi edhe ato që shkruajmë. Nëpërmjet librave nuk synoj të tregoj, por të orientoj; nuk ndërtoj mure, por ura; nuk rrekem ta shteroj çështjen, por të hap një shteg të ri. ”
dhe më tej në prezantimin e vetes shkruan:
“Unë jam Namir Lapardhaja, publicist, kritik letrar dhe aktivist i përkushtuar për të sjellë ndryshim në shoqërinë tonë. Me një përvojë të gjatë në mësimdhënie dhe një angazhim të vazhdueshëm në median e shkruar dhe vizive, unë besoj se fjala dhe këmbëngulja në të drejtën dhe të mirën mund të kontribuojnë për një Shqipëri të drejtë, ku gara dhe barazia para ligjit janë vlera thelbësore.” Më tej ai tregon se çfarë synon:
“Një Shqipëri të drejtë, ku liria është bazë e zhvillimit ekonomik, ku korrupsioni luftohet pa kompromis dhe ku shoqëria edukohet përmes një arsimi cilësor dhe shembujve pozitivë. Unë besoj se çdo individ ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një të ardhmeje më të mire. Ndaj, puna ime synon forcimin e individit nëpërmjet:
• Edukimt si baza e një shoqërie të shëndoshë.
• Transparenca dhe drejtësia në çdo nivel të jetës shoqërore.
• Angazhimi për të promovuar histori që frymëzojnë
Synimi im është të ndikoj pozitivisht në opinionin publik dhe në shoqërinë e trazuar shqiptare, duke promovuar një qasje jokonformiste me pushtetin dhe të keqen. Nëpërmjet shkrimeve dhe aktivizmit tim, ofroj një perspektivë të re që synon frymëzimin e të rinjve jashtë modeleve të tranzicionit.”
Namir Lapardhaja e donte fort qytetin, vendin, me një dashuri thellësisht intelektuale, larg romantizmave boshe dhe hipokrizisë. Shpirti i tij kritik e bënte këtë dashuri të thellë dhe vepruese për të kërkuar ndryshim e përsosje.
Iku i ri, shumë i ri, duke na lënë pas peshën e një jete që, ndonëse e shkurtër në vite, ishte e gjatë në vepra dhe vlera. Namiri na la trashëgim modelin e njeriut që nuk përkulet, që nuk shet shpirtin për pushtet dhe që e do qytetin e tij me një dashuri të qetë e vepruese.
Nuk ka mbyllje më kuptimplotë për jetën e Namir Lapardhasë sesa vetë fjalët e tij. Në një prej shkrimeve të tij më reflektuese, ai ndalet te “spektakli i vdekjes” dhe harresa e shpejtë që karakterizon shoqërinë tonë moderne. Sot, ato radhë lexohen si një testament shpirtëror që na fton të ndalemi.
Namiri vëren me një trishtim të butë se si sirenat e ambulancave dhe lajmet e zeza konsumohen me kureshtje, por pa lënë gjurmë. “Sot i kemi harruar të gjitha,” shkruante ai, “harrojmë shpejt dhimbjen, frikën, gëzimin.” Por ai na paralajmëronte se ky harrim ka një çmim: humbjen e vlerësimit për njeriun që kemi pranë sa është gjallë. Thirrja e tij ishte e thjeshtë, por hyjnore:
“Të mos u biem në qafë njerëzve dhe të mos u hyjmë në hak. Të dimë të kërkojmë “më fal” pa pritur të nesërmen. Të shpërndajmë dashuri e respekt, sepse gjurma që lëmë pas nuk varet nga titujt, por nga mirësia.”
Ai e mbylli meditimin e tij me një dorëzim të plotë te Krijuesi: “Ne jemi të Zotit dhe, herët a vonë, tek Ai do të kthehemi.”
Namiri u kthye te Zoti ashtu siç jetoi: i qetë, i virtytshëm dhe me dorën e zgjatur drejt tjetrit. Për ne që mbetëm këtej, penda e tij do të jetë gjithmonë një kujtesë se jeta vlen vetëm nëse jetohet me dinjitet dhe dashuri.
Faleminderit, Namir! Për dritën që na dhe, për fjalën që na le, për gjurmët prej njeriu që le në rrugëtimin tënd të shkurtër dhe për faktin se na kujtove se të jesh i virtytshëm është guximi më i madh në këtë botë.

