Nga Dashnor Kokonozi-
E prisnim prej vitesh. U vonua për shumat kolosale të sigurimit, por më në fund, vepra e jetës së Vasili Kandinskit mbërriti në fshatin tonë. Më lejoni të them se është fat i madh. Nuk ka mënyrë më të mirë për të kuptuar tërësinë e veprës së një artisti.
Nuk është hebre, siç kisha menduar. Ka lindur në Moskë dhe, nëse gjithnjë kisha idenë se ishte hebre, kjo ka ndodhur sepse më 1933 ai u largua nga Berlini, ku ishte vendosur prej kohësh, dhe shkoi në Paris.
Kjo nuk ndodhi për shkak të origjinës, por sepse arti i tij abstrakt ishte cilësuar nga nazistët si “art i degjeneruar”.
Nga ekspozita del qartë se ai ka pasur një periudhë të mirëfilltë figurative: ka vizatuar izba të vendlindjes, oborre fshatare, madje edhe këmisha të nderura në oborr për t’u tharë. Një prej tyre më pëlqeu shumë.
Një sërë ngjarjesh të thjeshta të jetës e shtynë drejt një abstragimi shpirtëror. E tregon vetë: më 1896, ndërsa ndiqte Lohengrin-in e Wagnerit në një sallë të Moskës, pati përshtypjen e çuditshme se një numër ngjyrash dhe formash nisën të ngriheshin ngadalë në ajër. Nuk ishte thjesht një transpozim i ngjyrave. Ai kuptoi se arti mund të ndikojë drejtpërdrejt në shpirt, me një rezultat krejt tjetër nga vepra që ke përpara syve.
Kjo është thelbësore për t’u kuptuar. Po e shpjegoj me fjalët e mia: është një trajtë sublimimi, pra procesi kur një lëndë e ngurtë kalon drejtpërdrejt në avull, pa kaluar më parë në gjendje të lëngët.
Është e rëndësishme të mos bëni gabimin tim: duke parë tablotë e tij (ato që ai i quan “kompozime”, për analogji me muzikën), jam përpjekur të rindërtoj një imazh më figurativ sesa drejtëzat, këndet apo rrathët e tij. Kështu nuk shkon askund.
Ai nuk ka për qëllim të na shtyjë të ndërtojmë imazhe të njohura mbi njëra-tjetrën në imagjinatën tonë. Në kompozimet e tij, që duken aq të thjeshta (ndonëse ka punuar deri në 10 vjet për secilën), ai synon të rindërtojë te shikuesi një univers krejt tjetër ndjesish. Madje, pas atyre drejtëzave ai na fton të shohim simfoni të ndërtuara me ndihmën e ngjyrave.
Për të, edhe ngjyrat përfaqësojnë instrumente muzikore: bluja e thellë evokon organon, e verdha trompetën, e kështu me radhë.
Në Bauhaus, ku jepte mësim, ai ua mësonte pikturën studentëve si një gjuhë zanore.
Deri këtu, këto mund t’ua shpjegojnë të tjerët më mirë se unë. Tani dua të flas për diçka tjetër.
Në çast pata përshtypjen se vepra e Kandinskit ka një vazhdimësi, një jehonë të saj, te një piktor i talentuar shqiptar: te Bujar Luca.
Po shpjegoj më parë se nga fundi i shekullit XIX, Kandinski interesohej të bënte të perceptueshme fenomenet psiqikë të padukshëm. Duke u interesuar për zbulimet e fundit shkencore me rrezet X, ai kuptoi se ekziston një lloj magnetizmi i padukshëm, një “fluid vital”. Më tej, u interesua edhe për “format e mendimit” të teozofëve Annie Besant dhe Charles Webster Leadbeater. Të gjitha këto e inkurajuan të zhvillonte një pikturë që transmetonte mendimin dhe ndjenjat, pa ndërmjetësinë e formave të njohura të botës së dukshme.
Duke parë dje Kandinskin, më erdhi menjëherë ndër mend ekspozita e Lucës, 2–3 vjet më parë në Tiranë. Titullohej: “Të prekësh të padukshmen”. Për të shkrova që atë natë, nën përshtypjet e para (të cilave u besoj shumë). Nuk ishte e lehtë për t’u interpretuar.
Diku, te paraqitja “Heshtja e të palexueshmes”, Luca thotë se “nuk është e nevojshme të shohim për të pikturuar”. Duke kërkuar përtej asaj që shihet në punët e Lucës, m’u duk sikur më shfaqej një botë imazhesh me një lidhje të largët me fizikën kuantike, me ato imazhe që panë me mendjen e tyre disa shkencëtarë gjenialë që kërkonin atë që nuk dukej…
Ai nuk e thotë por mua, imazhet e tij më sollën ndermend një si koreografi “dredhëzash vibruese” (një nga zbulimet e fundit ne quantikë) që paraqiteshin te seria ALPHAIMAGIQUE, e më tej. Në një tablo si Twilight, m’u duk se Luca kishte marrë vetëm një element auantik, e kishte zmadhuar dhe shtrirë në telajo, për të kapur më mirë natyrën e atyre elementëve të rinj të sapo zbuluar, që në kuantikë, pra të “dredhëzave vibruese”.
Fizikantët e dinë për çfarë flas.
Me kete rast me lejoni të perfundoj duk shtuar se tek përqasja kërkimet e këtyre dy artistëve, në kohë dhe vende të ndryshme, pashë veten përballë veprash tejet të veçanta, por me një esencë kuptimore e filozofike që i afron, duke ruajtur secili individualitetin e vet artistik.
Të paktën, ky është interpretimi im, që po e ilustroj me tablonë e fundit dhe të parafundit, ku i kam vënë pranë e pranë.

