Prej ditësh disa banorë të Divjakës kundërshtojnë vendosjen e një trau që të çon në zonën e parkut. Pavarësisht se Ministria e Turizmit sqaroi se tarifa vlen vetëm për turistët, sot protestuesit vijojnë me të njëjtat kundërshtime.
Me banderola të ndryshme që mbajnë në duar, banorët sot thanë se janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre. Kreu i PD-së për Divjakën, Eduard Sharka tha se trau është vendosur në mënyrë të paligjshme. I pranishëm ishte edhe deputeti Saimir Korreshi.
“Ai park i mban të gjallë, me oksigjen. I vetmi tra i ligjshëm është ai që ndan kufijtë, por jo një rrugë nacionale. Çdo qytetar i Divjakës, dhe çdo turist e ka të drejtë që do të shkojë drejt plazhit. Mënyra e vendosjes së traut është simbol i arrogancës, i mungesës së lirisë. Qëllimi i vetëm i kësaj qeverie është punësimi i disa patronazhistëve. Bizneset paguajnë taksa, por do të preken nga vendosja e këtij trau.”, tha Sharka që është edhe kandidat për bashkinë e Lushnjes në primaret e Sali Berishës.