Nga Dashnor Kokonozi-
Më është bërë ves, sapo shoh një grup njerëzish që bërtasin, u bashkohem dhe nis të bërtas me ta. Më ka ndodhur në shumë vende. Një vit isha në Pragë, kur pashë disa protestues dhe iu bashkova menjëherë. Për fat, e kuptova me kohë që ishin militantë LGBTQ. Gjithsesi, nuk më njihte askush që do të mund ta interpretonte praninë time si një akt i munguar.
Meqë u ndodha, as që bëhej fjalë t’i kaloja anash protestës së sotme të opozitës në Tiranë. Arsyet janë te shumta. Ka ndodhur ajo që përmendi vetë kryetari i PS-së. në fillimet e tij kur tha: “Nuk do të lejojmë që të konsumohemi nga pushteti”. Janë tejkonsumuar, për ta thënë me një eufemizëm.
U interesova për orarin dhe, fiks në orën 19:00, isha në krye të bulevardit.
Kishte mjaft njerëz, por prisja pjesëmarrje më të madhe. Gjithsesi, i kuptoj organizatorët, nuk është e thjeshtë. Unë i propozova edhe zonjës sime të vinte, por nuk pranoi. Më tha se do të rrinte në shtëpi të përgatiste një sallatë të mirë për mua. Motiv tmerrësisht bindës!
Nga altoparlantët gjëmonte një këngë për Edi Ramën. Mode e re kjo. Meqë nuk e njihja, herën e parë e dëgjova. Pastaj filloi të më bezdiste.
Ora shkoi 19:15, mitingu nuk po hapej ende. Meqë ruaj një ide për korrektësinë e këtyre anëve, vendosa të pres edhe pak. Më intereson të kuptoj rrugëzgjidhjen që propozon opozita.
Ora19:30. Cuditesha që nuk po shihja asnjë nga ata që, me qofte e raki përpara, më hidhen në grykë sapo bëj ndonjë vërejtje për PD.
Eci ngadalë midis turmë dhe kudo shoh sy njerzish të thjeshtë që kam përshtypjen se janë aty që nga viti 1991. Gjithnjë në kërkim të diçkaje që nuk e gjetën kurrë.
Dikur vendosa të afrohem te tribuna e ngritur para Kryeministrisë. Kërkoj gjithnjë për ndonjë figurë të opozitës. Në ballë të saj vetëm foto të Rames. Poshtë saj, më në fund dallova një deputet shkodran të PD-së.
Fillikat dhe pak si i hutuar.
Ajo kënga për Edi Ramën po më çmendte. Të ishte këngë për mua, gjë që nuk ka shumë gjasa, prapë nuk do ta duroja.
Diku pashë se ora shkoi 19:45. Vendosa të kthehem në shtëpi.
Të paktën shpresoja që aty të më priste sallata e premtuar.
Fundjava ka filluar dhe qeveria me sa duket ka ende ditë të bukura përpara.

