Duket se është e pamundur që të ketë një çështje me interes madhor kombëtar, e cila nuk do të përdorej në mënyrë aq të papërgjegjshme në Shqipëri nga dy taborët politikë për beteja të brendshme në shtet. As qëllimi për integrim në Bashkimin Evropian, që pas shumë vjetësh pritje mori hov vitin e shkuar, nuk kursehet përkundër faktit se në Shqipëri për këtë ekziston një konsensus mbarëkombëtar me një mbështetje jashtëzakonisht të madhe të qytetarëve, mbështetje që kurrë nuk është parë në asnjë shtet tjetër kandidat në histori.
Shqiptarët e kanë të vështirë ta kuptojnë edhe vetë procesin, pasi për të njoftohen kryesisht nga burimet politike, shpesh në mënyrë të kufizuar apo edhe të pasaktë. Procesi edhe ashtu është i ndërlikuar. Komisioni Evropian dhe vendet anëtare nuk kanë shumë transparencë për këtë proces pasi puna më e madhe bëhet prapa dyerve të mbyllura. Prandaj as mediat nuk e kanë të lehtë ta zbulojnë “të vërtetën e plotë” vetëm duke u bërë pyetje institucioneve të Bashkimit Evropian. Sepse nga to marrin vetëm përgjigje formale që kryesisht janë sqarime të procedurave e jo saktësim se çfarë po ndodh.
Nga përgjigjet “diskutimet po vazhdojnë në grupet punuese“ apo “Komisioni ka dorëzuar raportin dhe tash është në duart e vendeve anëtare të vendosin“ nuk mund të nxirren konkludime të sakta dhe ndonjë “e vërtetë e plotë“. Pikërisht kjo po ndodh tash në momentin vendimtar për fatin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Shqipëria vitin e kaluar ka hapur të gjithë kapitujt negociues. Pa dyshim ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm i cili kompensoi pritjet shumëvjeçare, të padrejta sepse Shqipëria për hapjen e këtyre kapitujve ishte e gatshme shumë më herët. Dhe për këtë vit Shqipëria, e edhe Komisioni Evropian, sikur edhe vendet që mbështesin Shqipërinë, kishte synimin që të avancojë shpejt duke mbyllur një numër të madh të kapitujve. Dhe për mbylljen e cilit do kapitull së pari duhet që BE-ja ta miratojë një raport të ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare nga fusha e sundimit të ligjit. Ky raport në fjalorin e BE-së tashmë njihet me shkurtesën IBAR. Ky raport është propozuar nga Komisioni Evropian, por nuk është miratuar në këtë formë, dhe me këto performanca të Shqipërisë nga vendet anëtare.
Dhe kjo është një situatë fantastike për manipulim. Përderisa kundërshtimin e disa vendeve anëtare opozita e merr si argument për të thënë se “Shqipërisë i është bllokuar procesi i anëtarësimit“, Qeveria dhe strukturat e pushtetit kanë zgjedhur të fokusohen në raportin pozitiv të Komisionit Evropian për të konstatuar se “gjithçka po shkon sipas planit dhe sipas procedurave“.
Opozita sikur i gëzohet mossuksesit të vendit, duke e ekzagjeruar peshën e mosmiratimit të IBAR-it në këtë moment dhe në këtë formë. Mund të ndodhë që brenda disa javësh ai të miratohet dhe Shqipëria menjëherë mund të nisë mbylljen e një varg kapitujsh që tashmë janë gati. Dhe një opozitë e përgjegjshme që ia do të mirën vendit, do të lobonte te partnerët nëpër BE që sa më parë të miratohet IBAR-i. Nëse pret që të fitojë zgjedhjet dhe të vijë në pushtet vetëm për shkak se Shqipëria po has në pengesa në rrugëtimin drejt BE-së do të priste edhe shumë. Opozita duhet ta kuptojë se problemin e ka në radhët e saj e jo në Bruksel, Berlin, Paris apo Romë.
Në anën tjetër, edhe insistimi i Qeverisë se “asgjë e paparashikuar nuk po ndodh“, dhe potencimi i tepruar i mbështetjes nga Komisioni Evropian nuk është mënyrë e duhur për të reaguar. Sepse në procesin e zgjerimit, në secilin hap, vendosin vendet anëtare njëzëshëm. Dhe në këtë moment nuk është sekret që nuk janë të gjitha vendet anëtare në favor të miratimit të IBAR-it për Shqipërinë. Dhe arsyet që kanë përmendur disa prej këtyre vendeve për të mos mbështetur miratimin e këtij raporti janë të tilla që nuk do të mund të tejkalohen brenda disa ditësh apo javësh. Disa shtete vështirë do të ndryshojnë qëndrimin pa ndonjë sinjal të qartë nga Tirana zyrtare se i merr seriozisht vërejtjet. Dhe disa vende për ta miratuar këtë raport duhet të kenë edhe pëlqimin e parlamenteve të tyre. Në këtë moment diskutimi për raportin është në një nivel të grupeve punuese. Pra, akoma nuk ka arritur as në nivel politik, në atë të ambasadorëve apo përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare, COREPER.
Tashmë jemi nga fundi i muajit prill dhe muaji maj duket po ashtu joreal për miratimin e këtij raporti. Kështu Shqipëria me gjasë do të presë muajin qershor pa e pasur të hapur rrugën për të nisur mbylljen e kapitujve. Këta gjashtë muaj gjithsesi do të jenë një humbje e madhe e kohës nëse vërtet seriozisht është besuar se deri në fund të vitit 2027, Shqipëria do t’i mbyllë të gjithë kapitujt. Nuk është e pamundur, por me kalimin e secilës javë arritja e këtij synimi do të jetë më e vështirë.
Sidomos kjo përbërje e Komisionit Evropian duket shumë e papërgjegjshme në prononcimet rreth procesit të zgjerimit dhe kjo po i irriton shumë vendet anëtare dhe Këshillin. Përmendja e afateve joreale nga ana e Komisionit Evropian për të pranuar vende të reja anëtare dhe raportet përmes të cilave relativizohen disa probleme në vendet kandidate kanë krijuar një mosbesim të madh mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare.
Vendet anëtare kanë ambasadat e tyre në vendet kandidate dhe marrin informacione edhe nga ato ambasada për procesin e reformave, sundimin e ligjit, gjendjen e mediave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe ndodh që raportet që marrin nga tereni të mos jenë gjithmonë në përputhje me atë që raporton Komisioni Evropian. E Komisioni Evropian, duke dashur të promovojë procesin e zgjerimit, nuk dëshiron të jetë tepër i ashpër në vlerësime për të mos u dhënë vendeve anëtare justifikime për ta ngadalësuar procesin edhe ashtu të ngadalshëm.
Në këto rrethana Shqipëria nuk ka çka të bëjë tjetër pos të vazhdojë, dhe ta përshpejtojë punën për t’i përmbushur kriteret për mbylljen e kapitujve. Në vlerësimin e përmbushjes së kushteve për mbylljen e kapitujve, BE-ja është shumë më e ashpër sesa për hapjen e tyre. Dhe këtë duhet ta ketë parasysh edhe Shqipëria. Nëse do të mbrohet duke thënë se “procesi vazhdon“, atëherë procesi vërtet vetëm do të vazhdojë, por me një ritëm shumë më të ngadalshëm sesa që do të duhej nëse synohet mbyllja e kapitujve në një periudhë prej një viti e gjysmë.

