Një antologji mendimesh si publicistikë e shkencëtarit Boriçi

11 Minuta Lexim
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 60

Nga Aleksandër Çipa-

Prej disa kohësh në cilësinë e redaktorit po merrem me përgatitjen e një përmbledhjeje me artikuj, publicistikë shkencore dhe përmbledhje intervistash, post mortum,  të Akademikut të Asociuar, Prof. Artan Boriçi. Në pjesën më të madhe të lëndës shkrimore të autorit kam pasur një raport të pashkëputshëm me konstatimin gati aksiomatik të  filozofit Emil Cioran, i cili ka shkruar:” Shumë më përpara se të lindëte fizika dhe psikologjia, dhimbja shpërbënte materien dhe marazi shpirtin”.

Akademiku i Asociuar Artan Borici në përmbledhjen e vet publicistike është fizikanti rigoroz, por edhe qytetari i angazhuar.

Është profesori skrupuloz, por edhe intelektuali aktiv në shprehje. Është studiuesi I thellinave të pafundme, por edhe zëri mbi sipërfaqe.

Është autoriteti me dije dhe i dituri që nuk heq asnjë grimë dorë nga fetaria për njohuri dhe sidomos për krahasim.

Them është, sepse respektoj qenësinë e përhershme autoriale të tij në përmbledhjen e përgatitur, pamvarësisht se shpirti i gjendet në amëshim.

Në këtë përmbledhje artikujsh, intervistash, refleksionesh dhe letra publike akademiku ka vokacionin dhe regjistrin e lartë të intelektualit që i shkon si mishërim trokari i Senekës: ’Jeto mes njerëzve si të jesh para syve të Zotit dhe fol me Zotin si të jesh duke u dëgjuar nga njerëzit”.

Në tri cikle artikujsh të vëllimit të ardhur spikasin pesha e dijeve dhe njohurive, shumësia e referencave dhe adresimeve autoritare që autori Borici kishte si zotërim shkencor dhe intelektual vetiak.

Ai mbartte  ndërgjegjen e pacunguar, vlerën e zërit që dëgjonte dhe dëgjohej prej njerëzve të shoqërisë së të diturve.

Sepse intelektualisht,  akademiku Borici jetoi me marazin e zbrazjes mendore të shoqërisë sonë dhe sidomos të asaj publike shqiptare.

Publicistika e tij spikat  jo vetëm për zhanret, kryesisht artikujt, polemikën, intervistat dhe opinionet, por edhe për refleksionet dhe epistolaret që duhen vlerësuar si shenja gjurmëlënëse të angazhimit intelektual  në gjallje të profesorit.

Autori në këtë materie shkrimore spikat për përjetimin qytetar dhe sidomos si ekspert dhe dijetar i angazhuar.

Një cikël shkrimesh për reformat e pretenduara në arsimin e lartë shqiptar në harkun kohor të 20 viteve të fundit deri në jetëndërrimin e tij, përbëjnë një doracak të cilësishëm idesh, krahasimesh dhe sidomos projektimesh të sistemit të lartë arsimor shqiptar në kontekst krahasimtar me sistemet ndërkombëtare e kryesisht ato europiane. Ambicia e tij debatuese mbarte si brendi të teksteve përqasjen me modelet dhe format më të sprovuara, mishëronte ambicien për një arsim europianist shqiptar dhe sidomos të një universiteti shqiptar në tërësi që meritonte nivele të lartësishme rankimore, nga sa përfaqësohet.

Artikujt polemistikë të tij më reformat dhe systemin e arsimit të lartë nuk karakterizohen nga fryma konstatuese, por nga qasja analitike, krahasimtare, nga kërkesa kualitative dhe sidomos prej referimit mbi përvoja dhe racionalitete arsimore e shkencore që i njohu dhe i vërejti nga afër në praktikën e vet lektoruese dhe auditore-ligjeruese, kërkimore shkencore jo vetëm në Zvicër, Britani, France, etj, por kryesisht edhe në kryeqytetin tonë, Tiranë….

Përmbledhja e re e autorit mbart një cikël artikujsh për arsimin e lartë, një tjetër me artikuj pë probleme dhe njohuri shkencore, një cikël si kontribut akademik tej mësimdhënies si dhe një cikël intervistash të cilat përfshijnë edhe rolin e tij si intervistues në një intervistë të ndërprerë, (pra e papërfunduar) me Profesor Niko Thomon, një mentor të cilit i kushton edhe një tekst të virtytshëm eulogjik, me pengun e mospërfundimit të intervistës së fundit me të.

Në ciklin e artikujve për çështje të arsimit të lartë, të botuar në të përditshmet më të rëndësishme të kësaj kohe në shtypin shqiptar, si gazetat: Shqip, Panorama, Gazeta Shqiptare, Korrieri etj., etj.

Tituj të tillë si: “Për vazhdimin e traditës shqiptare në Arsim”, “ Arsimi i lartë privat dhe kapja e shtetit”, (Gazeta Shqiptare tetor 2007, “Përse Komision “Penelopa” ( Ligji i ri i arsimit të lartë dhe shansi i humbur i reformimit të universiteteve”, ” Pabarazia në reformën e arsimit të lartë”, ” Pandershmëria politike ndaj arsimit të lartë”, “ Si të pastrosh para me anë të ligjit të arsimit të lartë?” , “Roli i bordit dhe projektligji për arsimin e lartë”, (Gazeta “Shekulli”, 9 mars 2006, “ Shoqëria dhe universiteti” Korrieri, 3 korrik 2006, “Tregu i punës mbi shkollimin e vazhdueshëm pasuniversitar”, “Reforma pa rregullator në arsimin e lartë”(Gazeta “Shqip”, Tiranë,  2011)  etj., janë artikuj në të cilët autori nuk ndan me lexuesit iluzionet, por drejtgjykimet për aspektet më kruciale të reformës së pretenduar arsimore në Shqipëri. Jo vetëm teorikisht, por mbi kritere të rogorozitetit të cilësisë dhe historisë së arritjeve. Autori akademik i mëshon për lexuesit, sikundër e vetëshkruan, faktin që: “Shqipëria duhet që në reformën arsimore të shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e shëndosha që duan me dëshirë të çojnë përpara idealet e Rilindasve të Mëdhenj. Ne duhet të vazhdojmë në gjurmët e Frashërit, të famshmit manifest të tij, të Gurakuqit, të drejtorit të parë të normales, të Nolit, shqiptarit erudit të Harvardit, e shumë e shumë të tjerëve. Të Mëdhenjtë hodhën themele të thella të një Shqipërie multifetare, me të cilën “kakariset” politika e ditës përballë Evropës. Ne duhet të vazhdojmë në frymën e shkollës shqipe të krijuar prej tyre, e cila ka mbijetuar për 100 vjet”

Në këtë antologji publicistike, Akademiku i Asociuar na ka lënë edhe Publicistikën e vet politike. Në një cikël të plotë artikujsh që po poshtërendis, Akademiku Boriçi shpërfaq një thellësi të kulturës politike dhe koncepteve sociopolitike.

Artikuj të tillë si :” Fundi i Republikës”, “Përse nuk e duan vizitën e Ramës në Beograd”, “ Anëtarësimi në NATO si përgjegjshmëri e shtuar rajonale”, “ Etnonacionalizmi i shekullit XX përballë Europës së rajoneve”, “ Fundi i Lajcizmit turk dhe rreziku i shthurrjes evropiane”, “ Nacionalizmi primitiv dhe vasaliteti i Tiranës” ( Gazeta Shqip”), “Himara në kumarin Athinë-Tiranë”, (Gazeta Shekulli, 17 prill 2008) ,”  Statusi i mbikqyrur” Gazeta Shekulli, 23 tetor 2007), “Goditja e projektit të paqes! (Brexit), “Kosova court decision and “Greater Albania” 2.0”, “Përse Nacionalizëm ?”,” Pikënisjet e Strategjisë së Zhvillimit”,(Gazeta Shqip, 7 maj 2010),”Intuita e homogjenit dhe realiteti I dyshtetësisë”, “Një komb një qëndrim, jo një komb e dy luftëra”,(GAZETA SHQIPTARE, Tiranë, 15 janar 1999), “ Kujt i shërben fushata kundër  Qeverisë Shqiptare ?”,(Gazeta “Rilindja”, Tiranë, 27.08.1997), etj., janë lëndë e posaçme mendimtarie, metodologjie dhe stili shkrimor. Në këtë cikël artikujsh akademiku shpërfaq njohjen jo vetëm teorike të debatit ndërkombëtar dhe rajonal për çështjet më të diskutuara publike, por edhe dëshmon kapacitetin e vet sugjerues dhe orientues, sikundër ngjet me bashkëkohësit elitarë të tij në vendet ku udhëtoi për kualifikime dhe qëndroi për kërkime shkencore. Në këtë plan autori nuk është thjesht volterian dhe iluminist në ndërgjegjen dhe orientimin e vet, por si racionalist dhe logjicien nuk nguron edhe të qesëndisë dhe sarkastojë realitetet absurde dhe groteske të vendimarrjeve apo çudirave ala shqiptare të qeverisësve në këtë vend.

Akademiku I Asociuar Artan Boriçi është një emër I njohur në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”. Ai bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), etj.

Në antologjinë e mendimtarisë së vet të sjellë si një përmbledhje  artikujsh shumëfushësh, nuk ka se si të mungojnë tekste që kanë vlerën e çmuar të të qenit platforma individuale që u vihen në dispozicion entiteteve të ndryshme intelektualësh dhe studiuesish. Shkruan për çështjet më kruciale të botës kërkimore shkencore në lëmi dhe disiplina të lakmuara dhe imponuese për ekzistencializmin ekonomik, shkencor, bërthamor, energjitik etj. Si protonist e çmoi botën si kuantike, duke kërkuar me këmbënguljen e urtësishme që të shumohet dhe të inkurajohet ekselenca, kontributi akademik, produkti kërkimor dhe investohet  veçanërisht në infrastrukturën dhe shtimin e kapaciteteve laboratorike të atdheut.

Ky libër mbart lëndën e vizionarizmit të tij, jo thjesht si autor, por si profesor dhe mentor gjenerate në shkencë e posaçërisht në Fizikë. Devizën e tij të ndërprerë e mbajti të përqëndruar si shkencëtar I mirëfilltë “në ndjekje të “thërrmijës” e zanafillës. Duke ndjekur “thërrmijën” e zanafillës…Nga sot e në pakohësi, do ta kemi Profesorin në gjendjen e të qenit atje; tek ajri dhe fryma; lart, në papërcaktueshmërinë fizike, por në praninë shpirtërore.
Jeta e ndërprerë është një copëtim shkëlqimi dhe laurimi vijues, të lakmueshëm jo vetëm prej shoqërisë sonë, por prej entitetit më të rëndësishëm shkencor të kërkimit dhe studimit, në viset fqinje dhe ato të botës.

Në 56 vitet e jetës, Tani ia doli të vijojë dhe shtojë pasurinë dhe përfaqësimin intelektual të familjes prindërore, traditën shkencore të Shkodrës dhe Atdheut, si dhe të përfshihej në kuotat e elitës akademike të Europës së sotme.
Profesor Artani nuk iu shqit fetarisë së punës dhe kërkimit.

Duke u shtuar leximeve tona edhe këtë libër, ne dhe pasardhësit marrim një lëndë të godasim skepticizmin tonë të pandreqshëm se në kohën e kaosit dhe tranzicionit absurd kur jetoi autori, kishte të tillë si Profesori që pamvarësisht ndërprerjes së pamëshirshme, mbetet bir i mendimit dhe i gjenerues i mendimeve të çmuara, prej intelektuali euro-shqiptar.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull