Ilir Metes i rane ne qafe vetem kur e arrestuan

4 Minuta Lexim

Nga Mustafa Nano-

Disa kolegë të mij kanë kaluar në histeri me këtë historinë e kafazit të xhamit, brenda të cilit panë Ilir Metën, ish presidentin e ish kryeministrin. Disa syresh u traumatizuan edhe nga pamja e Metës: i hequr në fytyrë, me flokët të qethur zero, e si më i plakur, duke lënë të nënkuptohet se është keqtrajtuar apo është droguar. S’e kuptoj pse bëhen më katolikë sesa Papa. Vetë Meta nuk është ankuar për ndonjë keqtrajtim. Është ankuar për gjëra të tjera (procesi politik, etj), por jo për keqtrajtim. Është hequr në fytyrë, pasi ka kohë që bën palestër (ju kujtohet kur postonte video duke u larë në lumë apo u ngjitur nëpër pemë?). Është qethur zero, siç ka bërë rëndom (s’e kemi parë kurrë me balluke apo flokët e lëshuar mbi supe). Dhe në fund, domosdo që është më i plakur. Kështu na duket çdo njeri, të cilin e shohim për herë të parë pas dy-tre vjetësh.
Kthehemi te kafazi i xhamit, që është tanimë një praktikë e njohur dhe e vjetër në sallën e gjyqeve shqiptare. Kafazi ka qenë fillimisht me hekura, dhe më vonë, nën sugjerimin (presionin) e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, u bë me xham. Dhe është e qartë se një praktikë e tillë në sallat e gjyqit është e panevojshme. Kafazin nuk e shoh si fyes, por si të panevojshëm. Sipas meje, ai duhet të jetë në sallë, por duhet të përdoret veç për raste ekstreme (kur gjykohet një kriminel me damkë, apo një grup i fuqishëm mafioz). Për të tjerët, duket një objekt pa kuptim. Dhe kjo vlen për të gjithë, e jo vetëm për Ilir Metën. Ky i fundit, kur ishte me pushtet, mund ta kishte marrë një nismë për heqjen e (apo përdorimin e kufizuar të) kafazit, por as që i shkoi mendja ta bënte këtë gjë. Ashtu si nuk na shkon mendja ne të tjerëve, kur në kafaz përfundojnë njerëz, të cilët nuk i njohim e me të cilët nuk kemi ngrënë e kemi pirë.
Sidoqoftë, histeria “në mbrojtje” të Ilir Metës është e tepërt. Ai kafaz nuk është aq poshtërues sa e bëjnë. Turp është të përfundosh në sallën e gjyqit, e jo “të të mbyllin” në kafaz. Edhe pa atë kafaz, Meta do të ishte i rrethuar nga dy a tre policë, gjë që për mua – edhe për ata që kanë vajtuar këto dy ditë me lotë e qurre – është më e rëndë. Kështu që të mos japim kotmëkot shfaqje dhembshurie e keqardhjeje.
Në gjithë këtë histori, Ilir Metës i kanë rënë në qafë veç në një rast: kur e arrestuan. Arrestimi i tij në mes të rrugës, dhe nxjerrja me dhunë prej makinës, ishin veprime të frikshme banditeske, për të cilat – kjo është e çuditshme – nuk mbajti përgjegjësi askush. Askush nuk kërkoi falje. Askush nuk u shpjegua për atë që ndodhi. Dhe askujt, as policëve-banditë, as drejtuesve të tyre, nuk u hyri asnjë gjemb në këmbë.
Sa për të tjerat, nuk ka ndodhur asgjë për të vënë kujën. Ngjarja është e thjeshtë: Në ngarkim të Ilir Metës ka një akuzë e po zhvillohet një gjyq. Le të presim fundin e tij.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull