Nje toke ku mbin e lulezon kotesia

3 Minuta Lexim

Nga Ervin Nezha-

Nga të gjithë absurdet që prodhon kjo tokë, më i madhi së fundmi, është ky që mbështjell dëgjesat për Reformën e re territoriale, dhe e çuditshmja është që ka tre- katër muaj pa ndalim. Absurdi është kaq i madh sa edhe të duash nuk ka si mos të çuditesh me të. Aty është përherë një banak që quhet podium dhe një sallë. Përpara banakut është një sahat.
Në podium është ulur një gazetar dhe anash tij, nga një përfaqësues i forcave më të mëdha politike dhe nga dy -tre ekspertë. Duket qartazi se ata e kanë me kaq përtesë këtë punë, sa fytyra e tyre shkruan- medet si do i ngrysim këto 3-4 orë. Çdo njeri në sallë ka tre minuta për të folur. Rreth 200 veta marrin fjalën dhe thonë çfarë u vjen ndër mend dhe çfarë s’u vjen. Gazetari u lutet thuajse të gjithëve, u thotë, aman kohën, përmblidhe. Ndërsa kur mbledhjet i drejton një zonjë që nuk e njoh, ajo thuajse u thotë të gjithëve “jeni jasht teme”, “dilni në temë”. Pastaj kur mbaron koha u thotë “faleminderit” kot. Me pak fjalë, bjeri usta bjeri se i bije mirë. Po çfarë të thotë njeriu i shkretë për tre minuta në një vend ku hallet për t’u rrëfyer do donin të paktën tre vjet.
Asnjë nuk shënon asgjë. Askush nuk mban mend asgjë. Gjëja më e mirë që prodhohet aty, është ndonjë batutë folklorike. Më tragjikët janë ata, që kanë menduar që në shtëpi, se me ta thënë fjalën, të deleguarit do u hidheshin në qaf e do u thoshin “ku paske qënë o talent i pazbuluar se na zbardhe faqen”. Por kjo nuk ka asnjë mundësi të beftë.
Me pak fjalë është një formalitet më formal se formaliteti si përkufizim. Dhe e gjitha shfaqja ngjan me një dramë të Sartrit. Aty, personazhet, janë të dënuar të dëgjojnë njëri-tjetrin deri në mërzi ngaqë mendojnë se nuk shpëtojnë dot nga njëri -tjetri. Fjalët vijnë rreth e qark derisa bëhen pjesë vetvetiu e mbylljes. Është një mbyllje pa motiv, e rrafshët dhe e vdekur, një tokë ku mbin dhe lulëzon vetëm kotësia.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull