Nga Thoma Gellci
Më 20 janar 2025, Presidenti Donald Trump firmosi urdhrin ekzekutiv me titull “Mbrojtja e kuptimit dhe vlerës së shtetësisë amerikane”. Urdhri synonte të mos njihte si qytetarë amerikanë disa fëmijë të lindur në territorin e Shteteve të Bashkuara, nëse nëna ishte pa qëndrim të ligjshëm ose kishte qëndrim të përkohshëm, dhe babai nuk ishte qytetar amerikan ose rezident i përhershëm i ligjshëm. Me fjalë të thjeshta, Presidenti u përpoq të kufizonte shtetësinë nga lindja me urdhër ekzekutiv.
Dje, Gjykata e Lartë e SHBA-së, në një vendim historik, e shpalli këtë urdhër ekzekutiv të paligjshëm dhe antikushtetues, duke konfirmuar se Amendamenti i 14-të i Kushtetutës garanton shtetësinë për çdo person të lindur në tokën amerikane, pavarësisht statusit të prindërve.
Çështja dukej e thjeshtë në shikim të parë. Seksioni 1 i Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane thotë: “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara, dhe që janë nën juridiksionin e tyre, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë.”
Ky amendament u ratifikua në vitin 1868, pas Luftës Civile. Ai ishte pjesë e programit të Rindërtimit dhe kishte si qëllim të garantonte të drejta civile dhe ligjore për qytetarët me ngjyrë, sidomos për ish-skllevërit, të cilëve më parë u ishte mohuar shtetësia. Një nga synimet kryesore ishte të mbyllej përfundimisht çështja e shtetësisë dhe të mos lihej më në dorë të politikës së ditës.
Gjykata e Lartë e kishte trajtuar këtë çështje që në shekullin XIX. Në çështjen Shtetet e Bashkuara kundër Wong Kim Ark, të vitit 1898, Gjykata shqyrtoi rastin e një burri të lindur në San Francisko nga prindër kinezë që nuk ishin qytetarë amerikanë, por banonin në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ishin diplomatë. Gjykata vendosi se Amendamenti i 14-të afirmon rregullin themelor të shtetësisë nga lindja në territorin amerikan. Ajo theksoi se fëmijët e lindur në SHBA nga prindër të huaj, përveç përjashtimeve të njohura si diplomatët ose forcat armike në pushtim, janë qytetarë amerikanë.
Pika kryesore është kuptimi i shprehjes “nën juridiksionin e tyre”, pra “nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara”. Juridiksion nuk do të thotë që prindi duhet të jetë qytetar, rezident i përhershëm ose me dokumente të rregullta. Juridiksion do të thotë që personi ndodhet nën pushtetin ligjor të Shteteve të Bashkuara. Nëse një person pa dokumente është në SHBA, ai mund të arrestohet, gjykohet, dëbohet, gjobitet, paditet dhe detyrohet të respektojë ligjet amerikane. Kjo tregon se ai është nën juridiksionin amerikan.
Kjo është arsyeja pse prindërit pa dokumente nuk janë jashtë juridiksionit të SHBA-së. Përkundrazi, vetë fakti që qeveria amerikane mund t’i ndalojë, t’i procedojë dhe t’i dëbojë tregon se ata janë nën autoritetin e saj. Prandaj edhe fëmija i lindur prej tyre në territorin amerikan është i lindur në SHBA dhe nën juridiksionin e SHBA-së. Gjykata e Lartë e tha qartë në vendimin e vitit 2026: fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër të pranishëm në mënyrë të paligjshme ose të përkohshme janë nën juridiksionin e SHBA-së dhe janë qytetarë që në lindje.
Rasti i diplomatëve është ndryshe. Diplomatët e huaj nuk trajtohen si persona të zakonshëm nën ligjin amerikan, sepse ata kanë imunitet diplomatik. Ata nuk mund të arrestohen, të ndiqen dhe të procedohen sipas ligjeve amerikane, prandaj juridiksioni mbi ta nuk është amerikan. Për këtë arsye, fëmijët e diplomatëve të huaj të lindur në SHBA nuk marrin automatikisht shtetësinë amerikane. Përjashtimi nuk lidhet me faktin se prindërit janë të huaj, por me faktin se ata përfaqësojnë një sovranitet tjetër dhe gëzojnë imunitet diplomatik.
Në këtë kuptim, çështja duket e qartë: një president nuk mund të ndryshojë me urdhër ekzekutiv një të drejtë që buron nga Kushtetuta. Nëse rregulli i shtetësisë nga lindja është kushtetues, atëherë rruga normale për ta ndryshuar nuk është firma e presidentit, as një ligj i zakonshëm, por ndryshimi i Kushtetutës. Këtë e konfirmoi edhe vendimi i Gjykatës së Lartë në çështjen Trump kundër Barbara-s, ku shumica vendosi se urdhri i Trumpit binte ndesh me Amendamentin e 14-të.
Atëherë, si shpjegohet që tre gjyqtarë nuk iu bashkuan plotësisht këtij leximi? Argumenti i këtyre gjyqtarëve ishte se shprehja “nën juridiksionin” duhet lexuar më ngushtë. Sipas tyre, nuk mjafton vetëm prania fizike në territorin amerikan. Ata i kushtuan më shumë rëndësi statusit të prindërve, sidomos në rastet kur prindërit janë vizitorë të përkohshëm ose pa status të ligjshëm. Ata u përpoqën ta dallonin rastin Wong Kim Ark, duke thënë se ai kishte të bënte me prindër që banonin në mënyrë të qëndrueshme në SHBA, jo me çdo kategori të huajsh.
Ky këndvështrim e zhvendos qendrën e rëndesës nga fëmija te prindi. Teksti i Amendamentit të 14-të nuk thotë “fëmijë të lindur nga prindër me status të rregullt”. Nuk thotë “fëmijë të lindur nga rezidentë të përhershëm”. Nuk thotë “fëmijë të lindur nga njerëz që Kongresi i pranon si të përshtatshëm”. Ai thotë: të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe nën juridiksionin e tyre. Fjalët “nënë”, “baba”, “i ligjshëm” dhe “i përkohshëm”, që ishin thelbësore në urdhrin e Trumpit, nuk gjenden në tekstin e Amendamentit të 14-të.
Vendimi i Gjykatës së Lartë e mbrojti këtë parim. Ai konfirmoi se fëmija i lindur në territorin amerikan, kur nuk bën pjesë në përjashtimet e ngushta si fëmijët e diplomatëve të huaj, është qytetar amerikan që në lindje. Statusi i parregullt i prindërve nuk e nxjerr fëmijën jashtë Kushtetutës.
Ky vendim është i rëndësishëm sepse vendos një kufi të qartë për pushtetin ekzekutiv. Presidenti amerikan ka fuqi të mëdha, ndoshta më të mëdhatë që mund të ketë një drejtues në një demokraci kushtetuese. Ai drejton qeverinë federale, firmos urdhra ekzekutivë, përcakton politika dhe ndikon drejtpërdrejt në jetën e vendit. Por edhe kjo fuqi ka kufij. Presidenti mund të zbatojë ligjet; ai nuk mund të rishkruajë Kushtetutën. Shtetësia nga lindja nuk është favor administrativ që jepet ose hiqet me firmën e një presidenti. Ajo është një e drejtë kushtetuese. Rezultati 6 me 3 tregon se, pavarësisht presionit politik dhe fuqisë së madhe të Shtëpisë së Bardhë, kur rregullat janë të shkruara qartë dhe institucionet funksionojnë, gjërat vendosen në vendin e tyre. Në këtë rast, Gjykata e Lartë i kujtoi Presidentit se Kushtetuta nuk është një dokument që mund të përshtatet sipas vullnetit të ditës, por kufiri themelor që mbron qytetarin nga çdo pushtet, edhe nga pushteti më i lartë në vend.

