GAZETARIA SI ART I KUJTESËS

7 Minuta Lexim

Nga Zyrafete Shala-

Me librin “Gjarpri ilir lidh shekujt”, doajeni i gazetarisë shqiptare Nehat Islami, edhe njëherë e vendos lexuesin përpara një modeli shkrimi ku ndërthuren informacioni, vlera estetike dhe dëshmia dokumentare e kohës, cilësi këto që i përkasin vetëm gazetarisë së mirëfilltë profesionale. Fillimisht, kjo vepër ishte konceptuar si një ribotim i plotësuar i librit “Një adresë në Bukuresht”, botuar më 2016 nga shtëpia botuese “Faik Konica”. Mirëpo, gjatë përzgjedhjes dhe sistemimit të materialeve, u pa qartë se korpusi i shkrimeve të reja e tejkalonte ndjeshëm përmbajtjen e botimit paraprak, duke i dhënë kësaj përmbledhjeje identitetin dhe përmasat e një libri të ri.

Titulli i librit është marrë nga shkrimi kushtuar iliriologut të njohur Aleksandër Stipçeviq, i cili në këtë vepër paraqitet jo vetëm si studiues i qytetërimit ilir, por edhe si një interpretues i vazhdimësisë historike dhe kulturore shqiptare. Simboli i “gjarprit ilir”, i trajtuar në shkrimin për Stipçeviqin, shtrihet përtej dimensionit arkeologjik apo mitologjik, duke marrë kështu kuptimin e një metafore identitare që lidh kohët, hapësirat dhe fatet shqiptare. Ngjashëm me këtë simbolikë, edhe fryma e identitetit kombëtar lidh strukturën e brendshme të librit; në secilin kapitull gjenden shkrime që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, ndërlidhen me çështjen shqiptare: qoftë përmes prezantimit të figurave të rëndësishme kombëtare, qoftë përmes personaliteteve botërore që kanë prekur dhe mbështetur fatin historik e kulturor të shqiptarëve, apo edhe përmes përshkrimit të përpjekjeve të popujve të tjerë për t’u përballur me stuhitë e egra të kohës, të cilat pashmangshëm krijojnë asociacione me rrugëtimin historik të popullit tonë.

Pikërisht ky bosht tematik i jep veprës kohezionin e saj të brendshëm dhe e shndërron librin në një udhëtim kulturor, historik dhe emocional nëpër kohë. Në këtë vepër janë përfshirë reportazhe, intervista, meditime dhe analiza të shkruara gjatë dekadave të ndryshme të veprimtarisë së autorit, të botuara në shtypin shqiptar të kohës, kryesisht në të përditshmet “Rilindja” e më pas “Bujku”, por edhe në “Zërin e rinisë”. Të rilexuara sot, këto tekste marrin një dimension të ri: ato nuk mbeten vetëm dëshmi gazetarie, por shndërrohen në dokumente të kujtesës kulturore dhe historike shqiptare.

Struktura kompozicionale e librit është ndërtuar mbi pesë njësi tematike, të cilat, ndonëse të ndryshme në përmbajtje dhe hapësirë veprimi, lidhen organikisht përmes së njëjtës frymë kulturore dhe shpirtërore. Nga figurat shqiptare dhe arbëreshe, te takimet me personalitete botërore; nga reflektimet mbi Kosovën dhe fatin historik të shqiptarëve, deri te reportazhet nga kultura dhe vende të tjera, libri ruan një vijë të brendshme tematike dhe emocionale që i jep atij koherencë të plotë. Në këtë rrjedhë, secili kapitull funksionon si një segment i veçantë i kujtesës, ndërsa të gjitha së bashku ndërtojnë një afresk shumëdimensional të diversitetit tematik e njerëzor që ka përshkuar gazetarinë dhe krijimtarinë publicistike të Nehat Islamit.

Një ndër vlerat më të spikatura të librit është gama e gjerë e personaliteteve me të cilat autori ka komunikuar ose që i ka trajtuar në mënyrë eseistike e dokumentare. Në këto faqe lexuesi ndesh figura të rëndësishme të botës shqiptare dhe ndërkombëtare, si Ibrahim Kodra, Viktor Eftimiu, Marije Kraja, Aleksandër Stipçeviq, Miroslav Kërlezha, Zhak Preveri, Naguib Mahfouz e shumë të tjerë. Përmes tyre ndërtohet një hapësirë e gjerë dialogu, ku përvoja shqiptare vendoset përballë rrjedhave të kohës dhe qytetërimeve të ndryshme botërore. Në planin përmbajtësor, libri shtrihet në disa drejtime: trashëgimia ilire dhe arbëreshe, kultura shqiptare, çështja kombëtare, realiteti shoqëror i Kosovës, përvojat ndërkombëtare dhe reflektimet mbi fatin e njeriut në kohët moderne. Pikërisht kjo larmi këndvështrimesh dhe përvojash e bën këtë vepër një dëshmi të rëndësishme të jetës shqiptare dhe të horizonteve shpirtërore e intelektuale të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Siç dëshmohet edhe në shkrimet dhe veprat e tij të mëparshme, nga pikëpamja stilistike Nehat Islami kultivon një gjuhë të rrjedhshme publicistike, të pasur me elemente narrative dhe refleksive. Për më tepër, ai arrin të krijojë një ekuilibër të natyrshëm ndërmjet faktit dokumentar dhe ndjeshmërisë letrare, duke i bërë tekstet e tij tejet të komunikueshme për lexuesin dhe njëkohësisht me vlera të rëndësishme arkivore. Pikërisht kjo është arsyeja pse shumë prej këtyre shkrimeve, jo vetëm e tejkalojnë kohën në të cilën janë shkruar, por mbeten edhe sot model i një gazetarie që e kupton thellësisht misionin e saj përtej informimit të përditshëm. Në këto shkrime, gazetaria shfaqet si kërkim, kujtesë dhe përgjegjësi kulturore. Përmes një pune të palodhur hulumtuese, Nehat Islami ka rikthyer në vëmendje ngjarje dhe vlera shqiptare të mbetura në periferi të kujtesës sonë kolektive, ka aktualizuar personalitete që kishin fituar respekt në hapësira të ndryshme ndërkombëtare, por që shpesh nuk njiheshin sa duhet nga vetë publiku shqiptar. Pikërisht në këtë dimension qëndron edhe vlera e veçantë e kësaj krijimtarie publicistike, e cila dëshmon se gazetaria, kur mbështetet mbi dijen, kulturën dhe kërkimin e vazhdueshëm, shndërrohet në një formë të rëndësishme të kulturës dhe kujtesës kombëtare.

Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e shtypit të dikurshëm mbetet e shpërndarë, e harruar ose vështirë e qasshme për lexuesin, përmbledhja e këtyre shkrimeve në një vëllim të vetëm krijon mundësi të reja për studiuesit, lexuesit dhe brezat e rinj që të njihen më nga afër me periudha të rëndësishme të jetës sonë shoqërore, kulturore dhe kombëtare. Për Botimet “DRINI”, është privilegj i veçantë të sjellë para lexuesit edhe një vepër të gazetarit doajen Nehat Islami, autor që me përkushtim shumëvjeçar ka lënë gjurmë të rëndësishme në gazetarinë, kulturën dhe mendimin shqiptar. Jemi të bindur se “Gjarpri ilir lidh shekujt” do ta zërë vendin e merituar në bibliotekën e publicistikës shqiptare dhe do të mbetet një referencë e çmuar për studiuesit dhe lexuesit e interesuar për kujtesën, kulturën dhe përvojën historike shqiptare.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull