Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës, VV nuk jep emër për kryetar. Ndërpritet seanca konstituive

2 Minuta Lexim

Kuvendi i Kosovës  ka nisur sot seancen konstituive, pak pas orës 10:00. Seanca u kryesua nga Avni Dehari, i cili është deputeti më i moshuar, ashtu siç e kërkon procedura. Gjate seances u krye edhe betimi i deputeteve te kesaj legjislature. Pas betimit, seanca vijoi me bisedimet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kryeministri, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje pasi mori fjalën në Kuvend tha se iu nevojitet kohë shtesë për marrëveshje politike me partitë, duke mos prezantuar kështu emrin e LVV për kryetar të Kuvendit. Kjo ka sjellë që seanca të ndërpritet.

Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar sërish takim dhe mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në një letër që Bedri Hamza i ka dërguar Kurtit sot, thuhet që PDK-ja do të mbetet në opozitë, dhe i kërkohet Vetëvendosjes të përfundojë procesin e konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera.

“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Aty do ta japim kontributin tonë për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, shkruan Hamza në letër.

Afati për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit skadon sonte në mesnatë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull