Nga Ervin Nezha-
Fjala propagandë është një nga fjalët më të zakonshme në sferën politike.
Zakonisht qeveritë nuk kanë qejf ta dëgjojnë ndërsa opozitat e trumpetojnë. Shpërndarja e qëllimshme e informacioneve, ideve, thashethemeve, miteve për të ndikuar te mendimet, emocionet dhe veprimet e një grupimi njerëzish është përkufizimi mē i kollajtë i fjalës propagandë. Përgjithësisht ajo është jetëshkurtër. Përsëritja e të njëjta fjalëve, thjeshtimi ekstrem i mendimit, mesazheve, mungesa e logjikês e kthejnë në qesharake. Ajo bëhet e lexueshme edhe nga mendjet më naive, pas një farë kohe. Por ka raste kur ajo ndērtohet në mënyrë aq brilante saqë edhe kur të gjithë e kuptojnë qëllimin propagandistik, sërish janë të mrekulluar nga ajo që ndiejnê, shohin, dëgjojnë.
Rasti i Puyi-t, Perandorit të fundit të Kinës, është një rast, kur propaganda kthehet në art.
Puyi u bë perandor kur ishte 2 vjeç. U rrit në Qytetin e Ndaluar, që ishte qytet ku jetonte perandori dhe shpura e tij. Atje ai ishte i izoluar nga bota. I rrethuar nga eunukët dhe shërbëtorët, u edukua si në mesjetë sepse ajo ishte tradita perandorake. Në 1914 ai abdikoi nga froni kur erdhën republikanët në pushtet. Por republikanët e lanë të jetonte deri në vitin 1924 në pallat, pastaj e debuan. I mbetur pa atdhe dhe pa pushtet perandori i kërkoi ndihmë Japonisë. Japonia pa te Puyi, një mundësi të madhe për të shpalosur idenë e sajë për Harmoninë e pesë racave. Ata e vendosën Puyi-n perandor të Mançurisë, një pjese të Kinës Verilindore. Puyi ishte një kukull në duart e japonezve, një i burgosur luksi nê pallatin perandorak, që i tregohej popullit si udhëhqës. Madje Japonezët propagandonin se ai qe i barabartë me Perandorin Japonez. Pas pushtimit të Mançurisë nga Bashkimi Sovjetik, Puyi u burgos dhe jetoi në Siberi. Pas pesë vitesh BS ia dorëzoi ish perandorin, aleatit të saj komunist, Kinës. Këtu fillon loja brilante e Mao Ce Dun-it. Kur pritej që ky të ishte fundi i perandorit, Mao, bën një lëvizje gjeniale. Ai e fal perandorin. Veç i ve kusht se përpara se të jetonte si qytetar i lirë, ai duhej dërguar në një kamp riedukimi për të mësuar moralin komunist dhe ideologjinë marksiste. Kështu ish perandori bën 9 vite burg dhe punë. Ai që dikur mendohej nga masa popullore se ishte perêndi, tani fshinte udhët e qytetit bashkë me ta. Perandori lan vetë rrobat, lustron këpucët dhe bën pazar. Merr edhe zanatin e kopshtarit. Nën diktimin e autoriteteve policore ai shkruan edhe librin “Nga perandor në kopshtar”. Në libër, ai kërkon falje të thellë, e quan veten një kriminel, keqbërës të formuar nën ndikimin e pushtetit të vjetër feudal. Por, po ashtu, e quan veten njeri me fat që pushteti i ri, i dha mundësinë që të edukohet dhe të fillojë një jetë të re, të bukur, si bir i thjeshtë i popullit. Populli e merr mesazhin. Sistemi komunist paraqitet si modeli më superior, të cilit i përulet edhe perandori. Jasht Kinës libri ngjall interes dhe rrëfen se përderisa ish perandori, nuk u vra, por u riedukua, tregon se Kina Socialiste zbaton një drejtësi hyjnore.
Vetë Mao Ce Duni darkon me Puyi-n dhe në prani të gazetarve i thotë se tani që je bir i thjeshtë i Kinës, ashtu si unë, vota jonë është e barabartë.
Por ka raste që kurthin e propagandës të bijen edhe vetë mjeshtrit e propagandës. Në kohën kur qytetet gjermane po bombardoheshin për ditë, dhe Gjermania po e humbte luftën, duhej mbajtur lart morali që pushteti të rezistonte sa më shumë. Por edhe të ruhej besimi i aleatëve që lëkundeshin. Kështu Gëbelsi, ministri i propagandës naziste, hodhi në qarkullim një mit, që mashtroi popullin, aleatët e tyre strategjikë, Çurçillin madje edhe vetë Hitlerin. U përhap një thashethem gjigand se në një tunel sekret po përgatitej “Arma e Hakmarrjes”. Gëbelsi kështu po jepte mesazhin, se dakord Forcat Aleate dhe Bashkimi Sovjetik po përparojnë, qytetet gjermane po kthehen në gërmadha, por Gjermania ende nuk e ka thënë fjalēn e fundit. “Arma mrekullibërëse” quhej V3. Askush nuk e dinte çfarë ishte por që për tre muajt e ardhshëm, Gjermania do ta vinte në punë, dhe mjaftonte një shkrepje për të hequr nga harta Londrën. Aq shumë zuri vend kjo si propagandë, sa thuhet se çdo ditë Hitleri kërkonte raporte si po ecte puna e ndërtimit të kësaj super arme. Çurçilli u alarmua dhe shpalli një program krejt të veçantë për të zbuluar tunelet sekrete të Gjermanisë naziste. Tuneli ku po ndërtohej një top i rrallë, me grykë rreth 3 km, ku predha merrte energji sa herê kalonte një segment rruge, u zbulua dhe u bombardua para se të vihej në punë. Por ekspertët thanë se edhe sikur të vihej në punë efekti i saj ishte shumë i kufizuar. Edhe sot, efekti i propagandës i ngatërron njerëzit, pasi shumë e konsiderojnë atë “bombën bërthamore” që po ndërtonte Gjermania naziste. Në fakt nazistët nuk patën kurrë një projekt bërthamor si ai i Manhatan. Kjo shpjegon edhe një fakt shpesh të anashkaluar nga historianët tanë, të cilët e kanë të vështirë të kuptojnë se pse elita politike kolaboracioniste shqiptare vazhdonte bashkëpunimin edhe në kohën që dukej ashiqare se lufta kishte marrë fund.
Propaganda efektive është ajo që prek pjesën emocionale. Ajo që nuk parashtrohet drejtpërdrejt por lihet të nënkuptohet. Kur Britania duhet të rekrutonte ushtarë për luftën e Dytë Botërore, nuk përdori as detyrim, as forcë. Në Tv dhe në Kinema ( në fillim të filmit), luhej një reklamë ku një familje e lumtur pranë pemës së krishtlindjeve hapte dhuratat dhe vajza e vogël, pyeste të atin:”Baba, ç’bëre ti, kur filloi lufta?” Kjo reklamë synonte të rriste përgjegjësinë, të prekte emocionalisht, të rriste ndjenjën e fajit. Ndërsa në qytete shfaqej një poster ku e njëjta vajzë e bukur i dhuronte djalit me uniformën e Ushtrisē Mbretërore një pendë të kuqe gjeli, dhe një djali tjetër civil, një pendë të bardhë pule. Kjo reklamë synonte të nxiste egoizmin mashkullor për të vepruar.
Rezultati? Rekrutimet ishin rreth 3 herê më të mëdha sesa gjatë Luftës së Parë Botērore, kur u bënë me detyrim.
Në vitet 20-30, në SH.B.A, pirja e duhanit nga femrat ishte tabu. Kjo kushtëzonte gjysmën e tregut. Ndaj menaxheri, dhe konsulenti për marrëdhëniet me publikun i kompanisë Lucky Strike Edward Bernays, bëri një lëvizje brilante. Në një tubim të femrave për liri dhe pushtet, ai pagoi disa modele, që ndezën në mënyrë shpërfillëse para turmës së fotografëve cigare. Fotot e tyre, paraqisnin triumf, mendësi të re, sensualitet, pushtet. Ato u bënë model frymëzimi. Dhe që nga ajo ditë cigarja për gratë ishte normalitet.
Raste të ngjashme, ka plot, por sido që të jetë propaganda, historia tregon se ajo nuk është thjesht një mjet gënjeshtre, por një art i fuqishëm që formëson perceptimin njerëzor. Kur ajo ndërtohet mbi emocione, simbole dhe dëshira të thella arrin të fshijë kufijtë midis realitetit dhe iluzionit. Nga gjunjëzimi ideologjik i një perandori në Kinë, te mitet ushtarake që mashtruan edhe vetê Hitlerin e kolaboracionistët, e deri te manipulatimi i normave sociale në Perëndim, e shembuj të tjerë plot, propaganda triumfon atëherë kur pushon së qeni e dukshme. Ajo nuk na detyron të besojmë, por na bën të dëshirojmë të besojmë. Sa kohë që njeriu do të udhëhiqet nga emocionet më shumë se nga logjika e ftohtë, propaganda do të mbetet makineria më e padukshme dhe më e suksesshme e kontrollit mbi shoqërinë njerëzore.

