Me pakta, busti i shkrimtares Kokalari duhej te ishte ne Fakultetin Filologjik

2 Minuta Lexim

Nga Ervin Nezha-

Sot, 46 vite më parë, vdiq në Rrëshen të Mirditës, e vetmuar dhe në internim Musine Kokalari. Unë nuk dua, dhe nuk kam dëshirë të bëj biografinë se kush ishte Musine Kokalari, sepse kam miq në facebookun tim, që e dinë shumë më mirë se unë. Por zgjodha të postoj diçka rreth asaj që sipas mendimit tim përfaqëson Musine Kokalari.
Unë nuk di ndonjë rast tjetër ku një grua intelektuale, shkrimtare të ketë bërë qëndresë më madhështore, stoike dhe shpërfillëse ndaj një regjimi sesa Musine Kokalari. Rasti më i rëndë i ngjashëm është ai i poetes ruse Anna Akhmatova. Por pavarësisht se regjimi i Stalinit, i pushkatoi bashkëshortin, i burgosi tre herë të birin dhe i ndaloi veprën, Akhmatova nuk u burgos asnjëherë.
Musine Kokalari doli në gjyq në 1946, me dy vëllezër të pushkatuar. U dënua 20 vjet burg. Dhe ende pa dalë nga burgu, një muaj përpara, i firmosën dokumentet, për ta internuar në Rrëshen, ku për të mbijetuar punoi në ndërtim. Gatuante llaç dhe mbante tulla. Por ajo që e bën të veçantë Musine Kokalarin është qëndresa e saj gati e pashpjegushme po të kemi parasysh sa i fortē ishte represioni i diktaturës. Qëndrimi i saj në gjyq me fjalët; Unë nuk kam nevojë të jem komuniste për të dashur vendin tim…” janë himn lirie, janë revoltë, janë dinjitet, qëndresë, dashuri. Fotografia e saj para mikrofonit, mbuluar me të zezë, është një akt simbolik i paprecedentë botëror, një fotografi universale me nênshtresa të mëdha kuptimore, që shpalosin gjithë botën tragjike të Musinesë por edhe Shqipërisë Komuniste. Ndërsa krehja e saj, tregon se arma më e fortë për të mposhtur të keqen është e bukura. Për të gjithë veprimtarinë e saj intelektuale, letrare dhe politike, Musine Kokalari, më e pakta duhet ta kishte shtatoren/ bust në oborrin e Fakultetit Filologjik dhe Çmimi më i madh letrar në vend, duhet të mbante emrin e saj

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull