Pleqëria ose aftësia të bësh paqe, jo me të tjerët po me veten

5 Minuta Lexim
Nga Çapajev Gjokutaj-
Me Kolin takohemi rrallë, një a dy herë në vit, shumicën e herëve krejt rastësisht. Kemi qenë bashkënxënës në 7-vjeçaren e atëhershme. Më bën përshtypje se ka 3-4 vjet që, në vend të më pyesë për shëndetin, fjalët e para janë: ‘Vazhdoj të punoj te studioja e mbesës’.
Dje s’e mbajta veten dhe ia ktheva: ‘Që punon e kuptoj, po s’e di a të punon apo jo?’ dhe vura gishtin në të ëmtha. Me sa duket nuk e pa se me një buzëqeshje djallëzore ma ktheu: ‘Jo si në rini ‘gjitmonë gati, po prapë bereqarves’. ‘E kisha fjalën për kokën e madhe e jo të voglën, i thashë, se kjo imja rastis që më lë në baltë e më nxin faqen’. Qeshëm, shkëmbyem edhe dy tri batuta dhe u ndamë.
Me sa duket Koli akoma nuk ka bërë paqe me veten, edhe tani që po u afrohet të tetëdhjetave ka hall t’u mbushë mendjen të tjerëve se është i fortë dhe vital. Dhe mbase nuk ka dhe aq shumë faj. Nëse ka një art që mësohet ngadalë dhe me një lloj brenge plot dinjitet, është arti i plakjes.
Pleqëria nuk është thjesht një moshë biologjike, as një numër që grumbullon vite mbi supe, është stadi ku bota fillon të zhvishet nga trajtat e saj të rreme. Gjithçka që në rini duket si stuhi këmbëngulëse (ambiciet e papërmbajtshme, nevoja për të pasur të drejtë, etja për pranim nga të tjerët) me kalimin e kohës zbutet, merr ngjyrat e perëndimit dhe në fund nis e fashitet.
Përballja e madhe e pleqërisë nuk bëhet me të tjerët, por me veten tënde. Të bësh paqe me veten do të thotë të ulesh në të njëjtën tryezë me të gjitha dritëhijet e jetës sate: me fitoret që sot mund të duken të vogla, me dështimet që dikur dukeshin fatale, me fjalët që duhet t’i kishe thënë dhe me ato që do të ishte më mirë të mos e kishin kaluar mollën e Adamit. Paqja në këtë moshë nuk vjen ngaqë jeta që ke jetuar ka qenë e përsosur, por vjen ngaqë arrin të kuptosh se përsosmëria ishte iluzion rinie.
Nëse fëmija e sheh botën si një hapësirë që duhet zbuluar dhe i riu si një arenë ku duhet triumfuar, i moshari i urtë fillon ta shohë si një spektakël nga i cili sot a nesër do largohet. Pleqëria është momenti kur vëmendja zhvendoset nga jashtë brenda. Përditë e më shumë dhimbjet e trupit apo mpakja e takatit nuk përjetohen më si një padrejtësi e fatit, por si një ftesë e natyrës për të ekonomizuar frymën, për të braktisur zhurmën e botës dhe për t’u përqendruar te thelbësorja.
Dhe pastaj vjen pragu i fundit. S’e dimë çfarë fshihet përtej atij pragu: një përjetësi ku shpirti gjen strehën e vet përfundimtare, apo një hiç total dhe heshtje e përjetshme. Kjo mbetet ndër enigmat e madha të ekzistencës. Por bukuria e plakut të paqtuar me veten qëndron te fakti se e sheh këtë enigmë përgjithësisht i qetë, me pak frikë e ndrojtje po kurrsesi jo me tmerr. S’jam as i pari, as i fundit, i thotë vetes, njeri mes njerëzish.
I zhytur në paqe, plaku që i ka bërë hesapet me veten nuk ikën i kapur në befasi, por si një udhëtar që ka mbërritur në stacionin e fundit pasi ka bërë një rrugë të gjatë e të lodhshme. Atij që ka arritur ta pranojë veten me të gjitha dritat dhe hijet, as përjetësia nuk i duket e pamundur dhe as hiçi nuk i ngjan drithërues.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull