Deputeti Petrit Vasili është përjashtuar për pesë ditë nga Kuvendi.
Sipas njoftimit nga Kuvendi, anëtarët e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën votuan me tre vota pro përjashtimit të tij.
Ky vendim erdhi pas përdorimit të fjalëve fyese nga ana e deputetit në drejtim të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
“U mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, marrë shkas nga sjellja joparlamentare e deputetit z. Petrit Vasili, ku gjatë leximit dhe interpretimit jo të saktë të Rregullores së Kuvendit dhe në kundërshtim me procedurat, ju drejtua me fjalë fyese Kryetarit te Grupit të PS, z. Balla, në fillim të punimeve te seancës plenare, datë 24.11.2022. Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 5 (pesë) ditë” për deputetin z. Petrit Vasili. Ky vendim hyn në fuqi në datën 25.11.2022”, sipas njoftimit.