Nga Dashnor Kokonozi-
Ideja e “banalitetit të së keqes”, e formuluar nga Hannah Arendt më shumë se 65 vjet më parë, vazhdon të qarkullojë si një formulë filozofike që nuk mund të vihet në dyshim në kuptimësinë e një procesi vërtet të ndërlikuar.
Ajo, për një moment u duk sikur i jepte botës së qytetëruar një alibi morale për të kuptuar krimet e nazizmit, dhe më pas, me një lehtësi të frikshme, edhe ato të komunizmit.
Pyetja që shtrohej ishte brutale: A është njeriu vetë, në natyrën e tij, aq i ndyrë, aq i fëlliqët dhe i pashpirt, aq i gatshëm për mizori, sa të kryejë krime të përbindshme si ato në kampet e shfarosjes?
Arendt mendoi se kishte gjetur një zgjidhje : e keqja nuk është domosdoshmërisht demonike; mund të jetë thjesht rutinë, burokraci, zbatim urdhrash. Një mekanizëm i ftohtë ku individi zhduket dhe mbetet vetëm ingranazhi.
Por për të tjerë, kjë ide rrezikon të sheshojë përgjegjësinë individuale deri në zhdukje, gjë nga e cila çuditërisht përfituan më shume, në mënyrë të nënkuptuar do të thoja, funksionarët e totalitarizmit komunist.
Arendt shkoi në Jeruzalem për të ndjekur procesin e Adolf Eichmann-it, por sipas dëshmive, pasi kaluan ditët e para ajo u mërzit në sallën ngjitur, ku Eichmann-i përsëriste të njejtat gjëra. Arendt mendoi se e kishte kuptuar njeriun që kishte përpara, një burokrat mediokër, një njeri pa imagjinatë, pa urrejtje të vetën, thjesht një zbatues urdhrash. E çuditëshme pra sepse ai ishte shef i Reichssicherheitshauptamt, zyra Kryesore e Sigurisë së Rajhut që merrej me “Çështjet hebraike”.
Pastaj, ajo ndaloi së ndjekuri procesin. Nuk pa pjesën më të rëndësishme të dëshmive, kur filluan pyetjet ndaj tij. Portreti i Eichmann-it nisi të shfaqej krejt ndryshe, jo një burokrat i mërzitshëm, por një nazist me bindje, një njeri që jo vetëm zbatonte urdhra, por i besonte, i përkrahte, i ushqente. Nuk ishte, pra një njeri “banal”, por pjesë aktive e së keqes radikale. Veçse, siç thamë H. Arendt nuk ishte më në sallë.
Në fakt, ajo nuk gaboi në analizën e totalitarizmit, aty ishte brilante, por në portretin e Eichmann-it. Gabimi i saj u kthye në një teori që u përqafua nga shumë njerëz.
Skandali që shpërtheu ishte i madh, me të drejtë.
Sepse të thuash se Eichmann-i ishte thjesht një burokrat, do të thotë të minimizosh vetëdijen kriminale të një njeriu që kontribuoi në shfarosjen e një populli. Vazhdimi i procesit tregoi të kundërtën:
Eichmann-i nuk ishte viktimë e sistemit; ai ishte pjesë e grupit të arkitektëve të tij. Por duke mos ndjekur procesin deri në fund, H. Arendt, nuk e pa këtë transformim.
Megjithë kritikat e ashpra, ajo këmbënguli deri në fund në teorinë e saj.
Një teori që sot vazhdon të citohet si e vërtetë e padiskutueshme, ndonëse vetë faktet e procesit e rrëzojnë.

