Jeta sekrete e fjalëve (Pse politika, para se të na marrë shpirtin, na merr gjuhën)

4 Minuta Lexim

Nga Dashnor Kokonozi-

(Pse politika, para se të na marrë shpirtin, na merr gjuhën)

Gjuha është terren pushteti. Nëse na privohet kuptimi i vërtetë i fjalëve, humbasim aftësinë për të menduar. Prandaj është e rrezikshme t’u lejojmë politikanëve të drejtojnë vendin duke deformuar kuptimet, duke i kthyer fjalët në mjete të qëndrimiot në pushtet e të mendimit dhe kuptimit të botës.

Kur në dritën e skandaleve të padëgjuara pushtetarët relativizojnë gjithçka duke thënë “kjo ndodh në çdo vend”, ata krijojnë mjegull, fallaci që zhvendos vëmendjen. Etikisht, normalizimi i së keqes nëpermjet gjuhës, është vetë forma më e rrezikshme e së keqes. Kjo është strategji për të dobësuar indinjatën publike. Një strategji e tillë “gjuhësore” e banalizimit shkatërron kuptimin e fjalës korrupsion në përmasën katastrofike që ka përftuar në vendin tonë duke e paraqitur si një fenomen “normal”.

Qeveria e sotme shqiptare me kohë ka krijuar një “novalingua” të vetën: një gjuhë e re, e turbullt, e qëllimshme, që synon të mjegullojë realitetin për të zgjeruar hapësirat e kontrollit.

Kur flasin për “Paketë të maleve”, nuk artikulojnë një politikë zhvillimi, por një mënyrë tinzare për të shtrirë tentakulat në zona ku e dinë se nuk janë të mirëpritur. Është e njëjta logjikë që kolonizatorët përdornin kur u ofronin popullsive indigjene xhingla vezulluese për t’u marrë tokën dhe më pas shpirtin. “Paketë të maleve”, në këtë rast, nuk është mjet komunikimi, por mjet pushtimi.

PPP-ja, e paraqitur si partneritet modern mes shtetit dhe sektorit privat, u shndërrua në një nga mashtrimet më të rënda ndaj taksapaguesve: mungesë transparence, korrupsion, klientelizëm, ndërtime jashtë standardeve të BE-së, dhe një model i opacitetit “qeveri–partner klient”. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që ndërton rrugë vetëm për stinën e verës, dhe për këtë askush nuk mban përgjegjësi sepse qeveria ka dorë në një krim të tillë.

Edhe “Investitori strategjik”, i paraqitur si shpëtimtar i ekonomisë, nuk ishte gjë tjetër veçse një formë e rafinuar ndërhyrjeje në zonat më të bukura të vendit, ato pak perla që kishin mbetur të paprekura pasi babëzia e pushtetarëve kishte shndërruar qytetet në xhungla urbane. Gjuha, sërish, përdoret si perde: një fjalë e bukur për të fshehur një realitet të shëmtuar.

Kështu funksionon ky leksik i ri qeverita. Ajo kalëron mbi fjalët, i përdor si mjete mashtrimi, ndërkohë që duhet të ishte kuptimi i vërtetë ai që udhëheq zgjedhjen e fjalëve, jo e kundërta. Kjo na çon te “Prania besnike”, një nga talljet më ironike, propagandistike dhe ogurzeza që ka prodhuar shteti shqiptar. Sepse ajo nuk është as prani, e aq më pak besnike është thjesht një emër i bukur për një mungesë të thellë.

Ne e mendojmë botën nëpërmjet fjalëve, sepse fjala është mediumi përmes të cilit gjëja a qenia bëhet e dukshme. Pikërisht për këtë arsye, fjalët kanë qenë gjithmonë një fushë beteje: kush kontrollon fjalën, kontrollon mënyrën se si botës i jepet kuptim. Fjala është arbitrare; nuk ka asnjë lidhje natyrore me gjërat që emërton, dhe kjo e bën kuptimin një territor të hapur për pushtet, interpretim dhe manipulim.

Ata e dinë këtë. Prandaj përpiqen të imponojnë kuptimin e tyre, duke e paraqitur si të vetmin kuptim të mundshëm, si të vetmen “të vërtetë”. Por kur kuptimi shndërrohet në pronë të dikujt, gjuha humbet lirinë e saj ontologjike. Kjo është arsyeja pse duhet kundërshtuar, sepse mbrojtja e fjalës është mbrojtje e mënyrës se si e mendojmë një botë normale.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull