Nga Dashnor Kokonozi-
Sepse, për fat të keq, burrat e shtetit nuk prodhohen në kursin e vizatimit, as në studiot ku mësohet si të bësh poza para kamerës. Aftësia për të mbajtur përgjegjësi është cilësi e rrallë; ndërsa aftësia për t’u fshehur pas shprehjes “unë nuk di asgjë për dardhat pas kurrizit” është zanat i vjetër i “çunave të Tironës” kur vinte fjala për të mbajtur përgjegjësi.
Në fakt, kjo filozofi e “ të tjerëve që bëjnë pisllëqet” është e denjë për komandantin e një çete pionerësh, jo për kryeministrin e një vendi. Por ja që morali i “çunit ” nuk është funksion shtetëror; është thjesht një mënyrë e lehtë për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Ndërsa funksioni politik, për fat të keq, nuk të pyet për moralin e lagjes ku je rritur: nxjerr në shesh vetë thelbin tënd.
Dje, temperatura politike ishte aq e lartë sa të gjithë, madje edhe socialistët, prisnin të dëgjonin dorëheqjen e z. Rama. Prisnin ndjesën e tij, ndoshta edhe një grimë reflektim për udhëtimin në New York, ku gjeti guximin të akuzojë popullin e vet para botës. Por jo: lëvozhga e “çunit të Tironës” nuk çahet kaq lehtë. Ai doli dhe tha se nuk mban përgjegjësi për atë që bëjnë të tjerët. Ironia është se këtë e thonë zakonisht ata që nuk kanë asnjë përgjegjësi, jo ata që fluturojnë me avionë e helikopterë për qejf, mbledhin qeverinë nëpër vende ku pushojnë vetê dhe shpenzojnë miliona për gjethe dekorative te dritarja e zyrës.
Pastaj, me një pafajësi që do ta kishin zili edhe aktorët e teatrit amator, bën të paditurin: “Unë nuk dija gjë për dardhat pas kurrizit”. Ndërkohë që edhe në Francë na vinin zëra se pas takimit me zëvendësin e tij, te zyra ngjitur, investitorëve u bëhej pyetja e famshme: “Po pjesa ime, cila është?”
Përgjegjësitë? Nga kanabizimi te inceneratorët, nga sterilizimi te Check-Up-i, nga SHISH-i te emërimet e turpshme. Thua se ndërkombëtarët të dhanë rekomandime “te shkelqyera” per znj. Hyseni, por në fakt, me atë emrrim si “garip Tirone”, deshe t’ia “dhjesësh” Albin Kurtit, sepse Kosova duhej pyetur e para.
Tahirin e emërove vetë, pastaj bëre të paditurin ndërkohë që vendi u kthye në plantacion kanabisi. Zeqinet i thirre vetë, parlamentin e përdore si bunker kundër drejtësisë, një skemë që e përsërite edhe me znj. Balluku.
Dhe prapë guxon të flasësh për “dardhat pas kurrizit”.
Juristët kanë të drejtë: përgjegjësia penale është individuale. Por përgjegjësia e zgjedhjes së njerëzve që e renditën Shqipërinë si vendin më të korruptuar në Evropë është e z. Rama.
Këtë ai nuk e pranon dot, sepse për fat të keq, z. Rama kurrë nuk u bë burrë shteti, mbeti thjesht një “çun Tirone” me privilegje shtetërore.

