Nga Dashnor Kokonozi-
Më vjen keq që e kam njohur kaq vonë Mjegullën (Niebla) e Miguel de Unamunos.
Për të kuptuar atë që dua të them, ka rëndësi të kujtojmë se Miguel de Unamuno (për të cilin në Shqipëri me sa kujtoj së pari ka folur A. Plasari) u bë i njohur sidomos me veprën e tij filozofike “El sentimiento trágico de la vida”,1913, ku shpalos tensionin e përhershëm midis arsyes dhe etjes njerëzore për pavdekësi.
“Mjegulla” është me sa di unë, rasti i vetëm kur një autor përdor historinë e një dashurie të dështuar për ta çuar personazhin deri në përplasjen me vetë autorin.
Si fillim po jua tregoj subjektin si biçim përralle. Në qendër është jeta e Augusto Pérezit, një i ri i pasur, i vetmuar që nuk ka asnjw drejtim në jetë, asnjë bindje të qëndrueshme. E vetmja qenie e afërt për të është qeni i tij, Orfeo. Jeta e Augustos ndryshon kur sheh rastësisht në rrugë një vajzë, Eugenia Domingo del Arco. Bbie në dashuri me të, por një lloj dashurie që është më shumë projektim i brendshëm sesa ndjenjë reale.
Problemi është se Eugenia është e lidhur me Mauricion, një njeri i varfër dhe dembel. Kjo nuk e pengon vajzën ta refuzojë Auguston tonë.
Augusto këmbëngul në mënyrën e vet. U zgjidh familjarëve të saj problemet ekonomike dhe, fshehurazi, paguan hipotekën e shtëpisë së Eugenias. Ky gjest, në vend që ta afrojë, e fyen Eugenian dhe e largon edhe më shumë.
Ndërkohë, një vajzë tjetër, Rosario, e dashuron Auguston me sinqeritet, por ai nuk e vëren këtë gjë, madje e shpërfill.
Më në fund, Augusto hedh hapin vendimtar dhe i propozon martesë Eugenias. Për habinë e tij, ajo pranon. Veçse pak ditë para martesës, ai merr një letër ku Eugenia i shpjegon se nuk e do dhe se ka vendosur të ikë me Mauricion.
I dërrmuar, Augusto mendon të vrasë veten. Por, si njeri që analizon gjithçka deri në absurditet, vendos të kërkojë këshillë nga vetë Miguel de Unamuno, autori i romanit, të cilit i ka lexuar librin mbi tragjizmin e ekzistencës dhe vetëvrasjen. (Ai që folëm më sipër, edhe pse kjo nuk thuhet drejtëpërdrejtë)
Dhe kështu mbërrijmë te një akt i paprecedent metafiksioni, ku personazhi përballet me autorin.
Në takimin e tyre, Unamuno i zbulon një të vërtetë tronditëse: Augusto nuk është njeri i vërtetë. Është vetëm një personazh i shpikur. Për pasojë, nuk mund të vendosë as për vdekjen e vet, sepse nuk ka një ekzistencë reale jashtë vullnetit të autorit. Augusto kundërshton, madje hedh idenë se ndoshta edhe vetë Unamuno nuk është tjetër veçse personazh në ëndrrën e dikujt tjetër. Debati i tyre është një nga skenat më të guximshme dhe më moderne të letërsisë evropiane. (Une i gjej paralele me idetë e fundit se vete jeta jone është një simulim inteligjence artificiale i krijuar nga një civilizim shumë i avancuar)
Augusto kthehet në shtëpi dhe vdes. Nuk e kuptova nëse vetëvritet apo autori vendosi ta zhdukë. Romani e lë të paqartë, si vetë mjegulla që i jep titullin.
Fjalën e fundit funebre e ka Orfeo, qeni i Augustos, i cili paraqitet si qenia që e ndien më sinqerisht humbjen e të zotit…
Pas Servantesit, letërsia spanjolle nuk kishte krijuar një lojë kaq të guximshme me kufijtë e realitetit dhe trillimit. Me Mjegullën, Miguel Unamuno krijoi çastin e pabesueshëm kur personazhi ngriti sytë nga qielli dhe pa fytyrën e Zotit të tij: autorin.

