Nga Artan Shkreli-
…
Në Piazza Cafarelli, në Romë, ku janë zyrat e “Musei Capitolini”, në oborrin e jashtëm të tyre, ndodhet një objekt skulpturor që është marrë në Shqipëri.
Bëhet fjalë për Stelën e Selenicës (vendi ku u zbulua), një artefakt mjaft i lashtë, i shek III pes, me dimensione 0.93x 0.50 m., stelë e cila paradoksalisht qëndron në qiell të hapur si zbukurim i një… shatërvani urban!
Përposë botimit të saj nga ana e L. Ugolinit (në “Albania Antica”, 1927), N. Ceka në një shkrim të dikurshëm, jep detaje jo vetëm të subjektit të gdhendur, por edhe të boshllkeut të habitshëm ligjor për të justifikuar mbajtjen nga ana e Italisë së një vepre që përndryshe i takon Shqipërisë.
Objekti i cmuar, përvetesuar asokohe nga drejtori italian i minierës së Selenicës, u cua në Itali (ku ka me dhjetramijëra artefakte antike) duke e zhveshur Shqipërinë nga një monument jo thjesht artistik por edhe historik pasi përkujton konfliktet e Ilireve me kolonët helenë për zotërimin e bitumit të çmuar.
I takon qeverisë shqiptare të ndërmarrë një aksion të
vendosur diplomatik për sjelljen në atdhe të stelës, në këtë vendin tonë të varfëruar skajmërisht në rrjedhë të kohërave nga humbjet e tij arkeologjike, jo vetëm prej pafuqisë dhe injorancës, por edhe për shkak të indiferencës endemike shtetërore.
——-
(Foto e stelës marrë nga muri i atdhetarit Hasan Aliaj dhe plotësuar me një imazh të rindërtuar se si paraqitej luftëtari përpara dëmtimit të skulpturës).

