A është gjuha fashiste?

4 Minuta Lexim

Nga Dashnor Kokonozi-

Edhe në forumet sociale të arealit shqip, është sjellë shpesh ideja e Roland Barthes-it se “gjuha është fashiste”. Ndonëse jam përpjekur prej kohësh të njoh veprën e këtij filozofi, teoricieni të letërsisë, semiologu e mendimtari të rëndësishëm francez, për këtë çështje nuk kam qenë gjithnjë i kthjellët. Gjërat nuk janë aq të thjeshta. Për më tepër, boshllëqet që na la mungesa e librave të kësaj natyre në kohën kur duhej t’i kishim lexuar, nuk mbushen lehtë.
Megjithatë, polemika për këte shprehje qe kur u tha shkaktoi debate të stuhishme, vazhdon të rikthehet herë pas here edhe në France.

Për ta thënë shkurt, Barthes-i e shprehu këtë ide në vitin 1977, gjatë ligjëratës së tij inauguruese në Collège de France. (Për kureshti, ky nder këtë vit iu bë studiueses dhe filozofes shqiptaro-britanikes, Lea Ypi.)
Barthes-i u shpreh kështu:
« Mais la langue, comme performance de tout langage, n’est ni réactionnaire ni progressiste ; elle est tout simplement : fasciste ; car le fascisme, ce n’est pas d’empêcher de dire, c’est d’obliger à dire. »
Përkthimi shqip që më dha IA ishte:
“Por gjuha, si realizim i çdo ligjërimi, nuk është as reaksionare, as përparimtare; ajo është thjesht fashiste, sepse fashizmi nuk është të pengosh të thuhet, por të detyrosh të thuhet.”
Në fakt, pjesa e fundit bëhet më e qartë nëse kuptohet kështu: “…por të detyrosh që gjërat të thuhen në një mënyrë të caktuar.”

Siç e kuptoj unë, sipas Barthes-it, gjuha nuk na lejon të themi gjithçka krejt lirisht; ajo na detyron të zgjedhim kategori gramatikore, gjini, kohë foljore, forma sintaksore e kështu me radhë.

Tani i që u “sqaruam për termat” shtoj se dje po dëgjoja një ligjëratë të filozofit Luc Ferry, për problemet e gjuhes me femijet e sotëm. Kur u pyet për këtë shprehje të Barthes-it, ai u përgjigj me një ironi të dukshme:
“Po, që prej vitit 1977, gjuha është shndërruar në një fushë beteje mes reaksionarëve dhe progresistëve. Mirëpo kjo ide është thjesht absurde. Ajo që karakterizon fashizmin nuk është fakti që dikush pengohet të flasë, por detyrimi për të folur në një mënyrë të caktuar. Në të vërtetë, pjesorja e shkuar, kur kundrinori i drejtë vendoset para foljes ndihmëse “me pasë”, duhet të pajtohet. Dhe ndjekja e këtij parimi, sipas kësaj logjike, do të ishte fashiste.
Por si mund të thuhet një marrëzi e tillë, vazhdoin ai? Kjo i tejkalon të gjitha budallallëqet që mund të imagjinohen.”

Mua personalisht, kjo replikë nuk më ndihmoi të kthjellohem plotësisht. Ka apo nuk ka të drejtë Barthes-i?
Gjithsesi, përfundimisht marr guximin të them se ai ka të drejtë, por edhe nuk ka.
Ka, sepse kush merr përsipër të flasë apo të shkruajë një gjuhë duhet t’u nënshtrohet rregullave të saj. Nuk mund të komunikosh pa pranuar një minimum disipline të përbashkët. Por nuk ka të drejtë kur e quan këtë detyrim “fashist”. Krahasimi duket i tepruar dhe, në fund të fundit, më shumë provokon sesa shpjegon.

Po të ndiqnim këtë mënyrë të arsyetuari, pothuajse çdo rregull që na imponon një rend logjik do të meritonte të njëjtin epitet. Fashiste do të na dilnin jo vetëm rregullat e gramatikës, por edhe teorema e Talesit, ligjet e Njutonit, madje edhe vetë graviteti, i cili, me një autoritarizëm të padurueshëm, vazhdon të na detyrojë të biem poshtë sa herë që provojmë të kundërtën.
Barthes-i ishte një mendje brilante, por ndonjëherë edhe mendjet brilante, për t’u dëgjuar më mirë, e teprojnë pak me metaforat.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull