28 NËNTOR – NJË DITË E SHENJTË PËR SHQIPËRINË!

2 Minuta Lexim
Nga Arben Isaraj-
Ka data që nuk janë thjesht pjesë e historisë, por bëhen përjetësisht pjesë e shpirtit të një kombi.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorën time të lindjes, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Në atë çast historik, pas shekujsh robërie, një komb rifitoi lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të qenë zot i fatit të vet.
Për mua, kjo ditë mbart një emocion të veçantë. Vlora nuk është vetëm qyteti ku kam lindur; është trualli ku historia u bë përjetësi, ku flamuri u shndërrua në simbol të një ëndrre shekullore dhe ku Shqipëria shpalli para botës se ishte e gjallë, e lirë dhe e pamposhtur.
Sot, përulemi me nderim e mirënjohje para atyre që sakrifikuan gjithçka për këtë ditë të madhe. Por pavarësia nuk është vetëm një trashëgimi për t’u festuar; është edhe një amanet për t’u mbrojtur, me dashuri për atdheun, me dinjitet, përgjegjësi dhe bashkim.
Le të mos harrojmë kurrë se flamuri nuk na përket vetëm si kujtim i së kaluarës, por edhe si përgjegjësi për të ardhmen.
Vlora është qyteti ku kam lindur, por 28 Nëntori është dita kur lindi Shqipëria jonë e lirë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen!
Lavdi përjetë Pavarësisë dhe atyre që e bënë të mundur!
Gëzuar 28 Nëntorin!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull