Protesta tete ore ne qender te Tiranes ka pasur gjate dites se sotme edhe shume episode dhe incidente me lendime, goditje, pengime dhe sulme ndaj gazetareve, fotoreportereve dhe operatoreve te mediave. Kjo ka shkaktuar reagime nga organizatat e gazetareve dhe disa media te vendit. Ne reagimin e vet organizata me e madhe e gazetareve ne vend, Unioni i Gazetareve Shqiptare shprehet:
Përsëriten episode të pengimit të reporterëve në krye të detyrës nga punonjës të policisë së shtetit
Pranë UGSH gjatë ditës së sotme, më 29 Nëntor 2026 janë paraqitur disa ankesa nga reporterë dhe fotoreporterë të cilët kanë qenë duke raportuar për protestën disa orëshe në qendër të Tiranës.
Reporteri Izmir Akulli është përballur me agresivitetin verbal të një punonjësi policie si dhe urdhrin e tij për të mos komunikuar, ndërkohë që është penguar të vijojë regjistrimin e episodeve që ndodhnin në kushtet e një mjedisi me bomba tymuese dhe mjete neutralizimi.
Ndërkohë që episode goditjesh janë shënuar edhe ndaj gazetarit Xhoi Malësia, i cili për disa momente ka ndier lëndime për shkak të mjeteve të përdorura nga ana e policisë.
Një ditë më parë episode dhune u denoncuan për rastet ndaj gazetarëve Elkier Bushkolaj, Lindita Çela, Lorin Kadiu si dhe një fotoreporteri dhe operatori.
Ripërsëritjet e episodeve të tilla ndaj reporterëve dhe mosrespektimi i rolit të tyre në krye të detyrës, përbën një shqetësim serioz dhe kanë shkaktuar reagime të shumta nga editorë dhe organizata gazetarësh.
UGSH në mënyrë të përsëritur ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve ligjore për ndërshkimin e të gjithë personave përgjegjës dhe autorëve të këtyre episodeve.
Heshtja dhe sidomos mosreagimi publik i Drejtorisë së Përgjithshme ndaj reagimeve të UGSH dhe organizatave të tjera, sidomos atyre rajonale dhe ndërkombëtare, po monitorohet si papërgjegjshmëri dhe injorim i detyrimit për sigurinë ndaj fjalës së lirë dhe cungim i lirisë për raportim dhe informim.
UGSH është informuar gjatë tri ditëve të fundit nga organizata partnere dhe kordinatorja jonë në Bruksel se në ditët e para të javës që po vjen do të ketë disa ankesa zyrtare ndaj autoriteteve shqiptare.
Ndërkohë që mbetemi në pritje të rezultateve hetimore dhe ndëshkimeve ligjore ndaj personave me uniformë, të denoncuar si autorë të kësaj dhune dhe episodeve lënduese ndaj gazetarëve.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

