Nën presion nga bankat, qeveria kujtohet të ftojë qytetarët të investojnë në tituj borxhi

7 Minuta Lexim

Qeveria shqiptare reklamoi për shqiptarët e zakonshëm mundësinë e investimit në titujt e borxhit publik, një shenjë kjo që tregon stresin që bankat e nivelit të dytë i kanë imponuar Ministrisë së Financave në tregun tradicionalisht të kontrolluar prej tyre.

Në një njoftim të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, qytetarëve u ofrohen “norma më të larta” interesi se sa depozitat, dhe “risk zero”, informacione këto që bien në kategorinë e gjysmë të vërtetave.

“Investoni në bono thesari dhe obligacione”, thuhet në dritaren pop-up e cila i shfaqet vizitorit të faqes së internetit financa.gov.al, faqja zyrtare e Ministrisë së Financave.

Tregu i borxhit publik në Shqipëri prodhon gati gjysmë miliardi euro fitime vjetore për investitorët, por pjesa dërrmuese e parave furnizojnë fitimet e bankave, të cilat duket se kanë edhe fuqi të konsiderueshme për të imponuar norma më të larta interesi se sa është e logjikshme. Dhe qeveria shqiptare e ka ndjerë së paku dy herë këtë fuqi tregtare të bankave, në dy kriza të ndryshme, ajo e viteve 2012-2013, dhe ajo aktuale.

Në të dyja rastet, Ministria e Financave, e drejtuar në këto dy periudha nga dy qeveri të ndryshme, është përpjekur të dalë nga kurthi në të cilin vegjeton sa herë që interesat nuk janë kaq të larta, duke ftuar qytetarët e zakonshëm të investojnë në tituj borxhi. Vetëm se efikasiteti i fushatave të tilla duket se lë për të dëshiruar, për sa kohë ndodhin vetëm në periudha krize.

Aktualisht vetëm 10% e borxhit publik të Shqipërisë blihet nga individët, të cilët janë ajo pjesë e vogël e shqiptarëve që njëkohësisht ka para dhe njëkohësisht ka nivelin e nevojshëm të njohurive financiare për të kuptuar borxhin publik, të mirat dhe rreziqet që një investim i tillë mbart. Mungesa e informacionit dhe e kulturës financiare në përgjithësi vërehet edhe në faktin që, pjesa e tregut të borxhit publik të mbajtur nga individët, ka rënë nga 15% në vitin 2015, në 10.38% sot.

Interesat e borxhit publik janë anomalisht të larta në Shqipëri që prej dekadash, për shkak se tregu i borxhit publik dominohet nga një numër i kufizuar bankash, të cilat duket se gjenden në konfliktin e interesit mes të vepruarit si agjentë të Ministrisë së Financave në shitjen e titujve të borxhit dhe të përfituarit nga diferenca mes interesave të depozitave dhe interesave të titujve të borxhit.

Aktualisht një në çdo tre lekë asete të bankave janë të investuara në tituj borxhi, kryesisht të qeverisë shqiptare, gjë që tregon se interesi i bankave është i lartë që situata në treg të mbetet e tillë dhe që qytetarët të jenë sa më të painformuar në lidhje me ekzistencën e mundësisë për të investuar në borxhin publik.

Borxhi publik shqiptar ofron me të vërtetë norma interesi të konsiderueshme dhe përbën një mundësi të mirë investimi për qytetarët që kanë para për të investuar. Gjithsesi, si çdo gjë në këtë botë, nuk janë pa rrezik, siç thotë Ministria e Financave. Ato i nënshtrohen rrezikut të inflacionit dhe rrezikut të kursit të këmbimit.

Bonot e thesarit 12-mujore u shitën në ankandin e fundit përkundrejt një norme interesi prej 5.8%, interes shumëfish më i lartë se sa interesat e zakonshme të ofruara nga bankat e nivelit të dytë për depozita me afat. Për të investuar në bono thesari duhet të kesh 300 mijë lekë të rinj të gatshme minimalisht. Titujt e tjerë të borxhit publik, si obligacionet, kanë interesa më të larta. Ankandi i fundit i obligacioneve 15 vjeçare u mbyll me një normë interesi prej 8.39%, i cili përfitohet nga investitorët dy herë në vit.

Rreziqet e investimit

Titujt e borxhit publik i nënshtrohen rrezikut të inflacionit, të kursit të këmbimit si dhe të ecurisë së normës së interesit. Nëse një titull borxhi jep interes prej, fjala vjen, 5%, ndërsa inflacioni është 7%, përfitimi real i investitorit është minus 2%. Po kështu, në rast se një qytetar i mban kursimet e veta në një monedhë të fortë si psh., euro apo dollar amerikan, por i këmben këto në lekë me qëllim që të investojë në titujt e borxhit publik në lekë, atëhere ai detyrohet të pranojë probabilitetin që kursi i këmbimit të ndryshojë. Përgjatë pesë viteve të fundit, kursi i këmbimit ka ndryshuar në përfitim të investitorëve. P.sh., një qytetar që ka këmbyer euro me lekë pesë vjet më parë me kursin 140 lekë për euro, përveç interesave që ka përfituar nga borxhi publik, ka përfituar edhe nga fakti që euro kushton sot 117 lekë. Por përgjatë pesë viteve të ardhshme mund të ndodhë e kundërta, gjë që askush nuk mund ta parashikojë.

Titujt e borxhit publik afatgjatë i nënshtrohen edhe rrezikut apo përfitimeve të ndryshimit në kushtet e tregut. P.sh., nëse blen sot një titull borxhi 5-vjeçar me interes 4% dhe dëshiron ta shesësh në tregun sekondar në vitin e dytë pas emetimit, atëhere çmimi i shitjes varet. Në rast se interesat e tregut janë rritur ndërkohë, obligacioni i blerë duhet të shitet me çmim më të ulët se sa vlera nominale ndërsa në rast se interesat kanë rënë, mund ta shesësh me çmim më të lartë se sa vlera nominale.

Me pak fjalë, titujt e borxhit janë asete, vlera e të cilave është e luhatshme. Kur investon në to, ke përfitime, ke edhe rreziqe.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull