Enver Robelli
Ky libër trajton karrierën e një krimineli serb të luftës i cili pak para se të shpërbëhej Jugosllavia ishte oficer në Kumanovë. Nga atje e dërguan në Prishtinë ku priste të shpërthejë lufta dhe ai të kryejë krime masive. Meqë lufta s’po shpërthente, e urdhëruan të shkojë në Knin të Kroacisë. Atje e humbi njërën ndër betejat e para kundër një komandanti të armatës kroate, i cili ishte shqiptar nga Kosova.
Nga Kroacia e dërguan në Bosnjë. Atje trupat (para)militare krimet e tyre i filluan me vrasjen e shqiptarëve. Në qytetin e Bijelinës u vranë disa shqiptarë, tmerret që ata s’i mbijetuan i dokumentoi fotografi amerikan Ron Haviv. Në një fotografi tjetër shihen dy paramilitarë serbë duke i hedhur benzinë mbi kokë Hajrush Ziberit, një shqiptari nga rrethina e Shkupit. Në BIjelinë u vranë edhe vëllezërit Përparim e Vllaznim Rexhbeqaj nga Gjonaj i Prizrenit. Në Sarajevë një rrugë bart emrin Bajram Zenuni. Në këtë libër, natyrisht, zë vend edhe kontributi i oficerëve nga Kosova dhe viset e tjera që kaluan në mbrojtje të Bosnjës. Mbi të gjitha ky libër është një kronikë e luftës së Bosnjës e rrëfyer në bazë të biografisë së Ratko Mlladiqit, i cili tashmë është i dënuar për gjenocid në Srebrenicë dhe krime masive të luftës në pjesë të tjera të Bosnjës.
Ideja për të dokumentuar krimet e tij (dhe rrjedhimisht shkruar këtë libër) shkrepi pashmangshëm në Zagreb më 26 maj 2011, atë ditë kur në një fshat të Vojvodinës u arrestua Ratko Mlladiqi. Tani libri është shtypur dhe pret lexuesit dhe lexuesit e tij. Gjendet te libraria KOHA në Prishtinë, më shumë detaje në këtë web-adresë: https://www.facebook.com/botimetkoha/