E Dua-n edhe amerikanët

2 Minuta Lexim

“Dua është një super yll jashtë skene, po aq sa në të”.

Këto janë fjalët e Ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, pasi ka darkuar me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ku kjo e fundit ka zhvilluar një vizitë të beftë në Tiranë.

“Bisedë e mrekullueshme mbi njohjen e fuqisë dhe përgjegjësisë që të gjithë ne kemi (edhe nëse ende nuk e kemi shfaqur atë)”, shkruan ambasadorja në një postim në Instagram.

Sipas saj, qasjet si e Dua-s, e bëjnë botën një vend më të mirë. Këtë, mund ta bëjë çdokush në mënyrën e tij.

Më herët, Dua zhvilloi takime edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Këngëtarja me famë botërore, u mësua se është përfshirë në projektin e rindërtimit të kopshteve, pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në një konferencë për shtyp ndërkohë, Dua foli për projektet e saj muzikore. Po ashtu, edhe për angazhimin aktiv për të rritur imazhin e Shqipërisë në botë.

“Kam dëshirë të bëj një këngë shqip. Nuk e di nëse jam e aftë të shkruaj shqip. Por, dëshira është e madhe”, iu përgjigj ajo interesit të Albanian Post mbi projektet muzikore.

Ndërsa, mbi të qenit një ambasadore e Shqipërisë në Botë, ajo shprehu veçse krenari mbi origjinën e saj.

“Është me rëndësi të zhbëjmë stigmën që bota ka për shqiptarët. Ne kemi të rinj shumë të talentuar, me shumë ide. Duhet t’i tregojmë botës këtë fakt”.

Albanian Post ka arritur gjithashtu të mësojë se Dua do të jetë në Shqipëri për disa ditë. Ajo do të jetë e angazhuar me zhvillimin e projekteve të saj. E shoqëruar nga familja dhe i dashuri, Anwar Hadid, Dua do të ketë edhe kohën e saj për të shijuar bregdetin shqiptar.

/Albanianpost.com

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull