Mbërrijnë në Shqipëri 14 fëmijë dhe 5 gra shqiptarë nga kampi i ferrit Al Hawl. Një ditë më parë, ishte një gazetar kurd që njoftoi mbi operacionin e kthimit në Shqipëri të fëmijëve dhe grave.
Ndërkohë sot nga aeroporti “Nënë Tereza”, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky ishte një operacion i jashtëzakonshëm dhe se 19 bashkatdhetarë u kthyen nga kampet e Ferrit.
“Kjo është ora që përmbyll një operacion të jashtëzakonshëm. 19 bashkatdhetarë të tjera nga kampet e ferrit në Siri, këtë herë 5 gra dhe 14 fëmijë të cilët mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekje të gjatë. Nuk diskutohet falë ndihmës së posaçme nga konsulli në Liban, Abass Ibrahim”, tha Rama. Sipas tij, riatdhesimi është një proces i ndërlikuar dhe i vështirë.
“Ne nuk do të ndalemi, pavarësisht se ky proces është i vështirë”, tha Rama. Nga raportimet mësohet se të riatdhesuarit fillimisht do të qëndrojnë në struktura të posaçme.
Rama u shpreh se dy persona kanë refuzuar të paraqiten për riatdhesim.
Gjenerali libanez ka luajtur një rol kyç në përpjekjet e riatdhesimit, së bashku me shërbimet e inteligjencës nga vende të tjera.
Kjo është përpjekja e tretë për riatdhesimin e shqiptarëve nga territoret luftarake në Siri. Në tetor të vitit të kaluar, 5 shqiptare u riatdhesuan ndërsa një fëmijë shqiptar u riatdhesua një vit më parë.
Disa qindra burra shqiptarë iu bashkuan Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera që luftonin në Siri dhe Irak në fillim të viteve 2010. Shumë u vranë dhe gratë e fëmijët e tyre kanë qenë të ngujuar në kampet siriane.