Lufta mes Kanadasë dhe Kinës, dënohet me 11 vite burg për spiunazh biznesmeni i njohur. Reagon ashpër Trudeau

2 Minuta Lexim

Një biznesmen kanadez është dënuar me 11 vite burg në Kinë për spiunazh. Michael Spavor u ndalua në 2018 bashkë me ish-diplomatin kanadez Michael Kovrig, dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai ka qendruar në ambientet e paraburgimit.

Ky vendim do të sjellë një përplasje diplomatike Kanada-Kinë e cila ka nisur me ekstradimin e Meng Ëanzhou, drejtues i lartë i gjigandit kinez Huawei.

Jo vetëm kaq, Spavorit do i konfiskohen edhe pasuri nga shteti kinez si dhe do i jepet një masë dëbimi. Kritikët e kanë akuzuar Kinën se po luan politikën e pengjeve me Kanadanë, por dhe vende të tjera.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau e denoncoi vendimin si “të papranueshëm dhe të padrejtë”, duke thënë se ai pason “më shumë se dy vjet e gjysmë paraburgim arbitrar, mungesë transparence në procesin ligjor dhe një gjykim që nuk plotësonte as standardet minimale e kërkuar nga ligji ndërkombëtar. ”

Ai shtoi se administrata e tij “po punon gjatë gjithë kohës” për të siguruar lirimin e Spavor dhe një kanadezi tjetër që përballet me akuza spiunazhi në Kinë, Michael Kovrig.

Spavor ka disa ditë kohë që të apelojë vendimin, ndërsa mbeten ende të paqartë hapat e mëtejshëm që ai do të hedhë.

Si Spavor ashtu edhe Kovrig-të njohur zakonisht në Kanada si “dy Michael”-u arrestuan në vitin 2018 nën akuzat për spiunazh, vetëm disa javë pasi autoritetet kanadeze arrestuan një drejtues të lartë në firmën e telekomit Huawei me bazë në Kinë, duke pretenduar se ajo kishte komplotuar për të anashkaluar sanksionet e njëanshme amerikane ndaj Irani.

Të dyja palët kanë mohuar çdo keqbërje, me zyrtarë kinezë dhe avokatët e  Huawei që këmbëngulin se Meng nuk e ka shkelur ligjin, ndërsa kryeministri Trudeau tha se arrestimet e Pekinit bazoheshin në “akuza të rreme” dhe ishin hakmarrje për problemet ligjore të Meng.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull