Komedia “Tag”, lexim skenik në festivalin e teatrit në Sibiu

2 Minuta Lexim

Komedia “Tag” vepër e autorit Bashkim Hoxha, me regji nga Andia Xhunga ka qenë pjesë e sezonit artistik të Teatrit Kombëtar. Një vepër teatrore e suksesshme, për të cilën Teatri Kombëtar njoftoi se të mërkurën u bë leximi skenik në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Sibiu. “Të dashur Miq të Teatrit, ju njoftojmë se sot, datë 25 gusht, ora 13:00 do të bëhet leximi skenik i veprës “Tag” të dramaturgut të mirënjohur Bashkim Hoxha, në kuadër të edicionit të 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Sibiu, i cili është një nga evenimentet më të rëndësishme e prestigjioze të teatrit në rajon. (Leximin mund ta ndiqni në website zyrtar të Festivalit në adresën www.sibfest.ro). Komedia “Tag” mbetet një nga produksionet më të suksesshme të Teatri Kombëtar në vitin 2018, me autor z. Bashkim Hoxha dhe vendosur në skenë nga regjisorja Andia Xhunga”, shprehej dje teatri në faqen e tij. Vepra është përkthyer në rumanisht dhe leximi skenik i veprës u bë nga aktorë rumunë.

Gjithashtu, vepra do të botohet dhe do t’i shpërndahet aktorëve, agjentëve, regjisorëve, studentëve që do të marrin pjesë në festival. Teatri Kombëtar bën me dije se është hera e parë që një vepër shqiptare është përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij festivali. “Urojmë që kjo ngjarje e rëndësishme artistike, do të shërbejë për të vazhduar edhe në të ardhmen me të tjera vepra, duke kontribuar kështu, në zhvillimin dhe evidentimin e dramaturgjisë bashkëkohore shqiptare. I urojmë suksese të mëtejshme dramaturgut të njohur Bashkim Hoxha”, shprehet Teatri Kombëtar. Kjo vepër teatrore shqiptare me regji nga Andia Xhunga erdhi në skenë me aktorët të njohur. Në role interpretuan Olta Daku, Gert Ferra, Indrit Çobani, Adelina Muça, Mehdi Malka, Naun Shundi, Erjona Kakeli, Besmir Bitraku, Genti Deçka, Rajmonda Bulku dhe të tjerë. Skenografia i besua skenografit të njohur Genc Shkodrani, ndërsa atmosfera e fshatit në kostume erdhi nga Berina Kokona.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull