Ronaldo bëhet lojtari më i paguar në Premier League, por në Europë i dyti, pas Mesit

3 Minuta Lexim

Me ardhjen e Kristiano Ronaldos tek Mançester Junajtid, ai bëhet futbollisti më i paguar në Premier League angleze. Në fakt, vendimi i tij i papritur shtangu drejtuesit e Sitit dhe tashmë krerët e “sky blues” janë armiqësuar me Jorge Mendesin, menaxherin e yllit luzitan. Sipas mediave britanike 55-vjeçari nga Lisbona këshilloi CR7 për të ndërruar mendje, pavarësisht faktit se ishte pikërisht ai vetë personi që po ndërmjetësonte në bisedimet ndërmjet futbollistit portugez dhe krerëve të Sitit. Historia dihet, Kristiano ndryshoi destinacion, falë edhe ndërhyrjeve të shumta të ish-futbollistëve të famshëm të “red devils” Geri Nojvill, Rio Ferdinand, Patrice Evra, por sidomos pas telefonatës që pati me ish-trajnerin e tij te Junajtid Aleks Ferguson. Tani “Telegraph” bën të ditur se Kristiano Ronaldo do të shndërrohet në lojtarin më të paguar të Premiership-it Anglez, duke kaluar në këtë mënyrë edhe rrogën e kilianit Aleksis Sançez, që përfitonte plot 560.000 stërlina në javë, bashkë me bonuset apo dhe të drejtat e imazhit, sidoqoftë shumë larg yllit tjetër argjentinas Lionel Mesi, që merr plot 1.000.000 pound në javë te Paris SG. Në Mbretërinë e Bashkuar mediat zbuluan detajet e marrëveshjes dhe kristiano ka firmosur një kontratë 2-vjeçare, që përmban gjithashtu edhe opsionin e 12 muajve shtesë. Familja Glazer që zotëron klubin e Mançester Junajtid synon rikthimin e “djajve të kuq” te titulli pas tetë vjetësh dhe në fakt pronarët amerikanë të “Djajtë” nuk janë kursyer aspak, por kanë shpenzuar para për të kënaqur trajnerin norvegjez Ole Gunar Solskjaer dhe fuqizuar njëkohësisht skuadrën edhe me emra të tillë si Xhedon Sanço dhe Rafael Varane. 12 vjet më parë pasi fitoi gjithçka mund të fitohej me Mançester Junajtid ylli portugez la “djajtë e kuq”, për t’u transferuar në Primera Division, në radhët e Realit të Madridit. CR7 është i vetmi lojtar në historinë e këtij sporti që ka fituar gjithçka mund të fitohej në dy kampionate të ndryshme dhe me dy klube si Junajtid apo Reali i Madridit. Ndërkaq në ishull mediat kanë zbuluar gjithashtu edhe interesimin e Kristianos për të zgjeruar akoma më shumë rrjetin e tij të hoteleve. Në këtë mënyrë pas hoteleve luksoze në Madeira, Lisbonë, Neë York, Madrid, Marrakeç dhe Paris, Kristiano ka vendosur të ndërtojë një tjetër hotel në Qytetin e Mançesterit. Duke lënë mënjanë dy hotelet në atdhe të gjithë hotelet e tjera pas vitit 2015 Ronaldo i ka ndërtuar në bashkëpunim me Grupin Pestana.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull