Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Humbi zgjedhjet, Basha: Nga 25 Prilli PD doli më e fortë dhe më e bashkuar

basha-3-558x405

Kreu i PD-së Lulzim Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, tha se PD doli më e fortë dhe më e bashkuar nga zgjedhjet e 25 Prillit, të cilat sipas tij nuk kishin asnjë lidhje me demokracinë.

Basha tha se PD u bë pjesë e zgjedhjeve duke përdorur vetëm mjete të ndershme, ndërsa Edi Rama është i korruptuar dhe i pabesë.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.

Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë.

Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë.

Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama.

Të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit.

Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore,

me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit,

me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi,

me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në selinë e Partisë Demokratike përmes programit tonë.

Një program i detajuar, me angazhime konkrete, për cdo sektor të shoqërisë, që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të cliruar potencialin e cdo shqiptari, që clironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri.

Një program që ka në qendër familjen shqiptare, si shtylla e politikave tona; një program që synon forcimin e shtresës së mesme, si motori i zhvillimit dhe i transformimit të shoqërisë, sepse një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.

Kuvendi i PD-së nisi me një minutë heshtje në nderim të kujtimit të viktimave që humbën jetën si pasojë e Covid 19 në vendin tonë, ndërkohë që punimet pritet që të vijojnë deri në orët e pasdites, ku dhe do të votohen 300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

7500 delagatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike janë thirrur këtë të për të votuar Këshillin e ri Kombëtar të kësaj force politike. Mes 600 emrave të propozuar në kryesi nga Lulzim Basha, Kuvendi do të përcaktojë me votë 300 anëtarët e rinj të këtij forumi, që do të përzgjedhë më pas edhe Kryesinë re, ndonëse kësaj të fundit ende si ka mbaruar mandati.

Lista e gjatë e propozimeve të kryedemokratit nuk ka sjellë surpriza, pasi Basha e ka parë të udhës që të dërgojë për votim të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ata të Këshillit Kombëtar, përfshi edhe kritikët e tij, Edit Harxhin, ish-Sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe Kryetarin e Këshillit, Bujar Nishani.

Por ky i fundit për shkak të posteve të larta që ka mbajtur nuk i nënshtrohet votimit duke u zgjedhur automatikisht. Ajo që ngjall kureshtje është se pas kritikave të forta në adresë të Bashës, a do ta ripropozojë emrin e Nishanit sërish për të drejtuar Këshillit Kombëtar, apo kryedemokrati ka vendosur t’ia besojë drejtimin e këtij organi ndonjë figure tjetër me peshë në PD.

Gjithashtu, të shtunën do të votohen edhe ndryshimet statutore të propozuar nga kreu i demokratëve Basha, të vetmet që morën pëlqimin e Kryesisë. Përmes tyre Basha synon zgjerimin e kryesisë, Këshillit Kombëtar, shtimin e sekretariateve dhe atë të nënkryetarëve.

Kuvendi Kombëtar do të njihet gjithashtu edhe me analizën e humbjes së demokratëve në zgjedhje, që e cilësojnë masakër elektorale. Pas Lulzim Bashës dhe 19 drejtuesve politikë të qarqeve, fjala do të jetë e hapur për këdo.

Leave a comment