Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Muzeu “Onufri” në Berat, me shërbim audioguidash në 4 gjuhë

-800-0-6123376307dd6

Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Koleksioni i muzeut kombëtar të ikonografisë “Onufri” përbëhet nga objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Në këtë muze është dhe shërbimi i audioguidave dhe sipas ministres së Kulturës Elva Margariti numri i vizitorëve është në rritje. “E kuqja e ikonave të Onufrit, surrealja e skenave të Çetirëve e disa prej ikonografëve më të shquar, që kanë lënë firmat e tyre në ikonat e afresket e kishave e manastireve shqiptare, e bëjnë muzeun “Onufri” në Berat një nga më të vizituarit nga turistët.

Falë edhe shërbimit të audioguidave në 4 gjuhë, numri i vizitorëve ka ardhur në rritje”, shprehej ministrja e Kulturës ditët e fundit në një status të saj, në Facebook. Koleksioni i “Onufrit” përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit XIX. Ikonostasi i katedrales “Fjetja e Shën Mërisë” mban si datë vitin1807. Ai konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes.

Leave a comment