Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Këndi me objektet e Nënë Terezës, në Muzeun Historik Kombëtar

-800-0-612dc2ed0aaab

Këto ditë vere, ku më datë 26 u shënua edhe 111-vjetori i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, vëmendja e atyre që vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar përqendrohet te këndi i Nënë Terezës. Muzeu Historik Kombëtar shprehet se ndonëse objektet janë të pakta ky kënd tërheq kërshërinë e vizitorëve me anë të stendave që përmbajnë foto nga aktiviteti bamirës i misionares së madhe. “Ndër objektet e ekspozuara bie në sy një kryq, në të cilin paraqitet Krishti i kryqëzuar si edhe një libër me urata kishtare, që titullohet “Të lëvdojmë së bashku Zotin”. Këto sende kishtare Nënë Tereza, në vitin 1991, ia ka dhuruar patër Zef Pllumit.

Ky i fundit më 1997, ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar. Objekt me rëndësi është ruzaria e Nënë Terezës, me të cilës ajo lutej vazhdimisht për shpëtimin e botës. Këtë ruzare Nënë Tereza ia pati dhuruar motër Terezinës, më 10 mars 1991. Tjetër objekt është një peshqir, të cilin e ka përdorur Nënë Tereza gjatë ditëve të qëndrimit të saj në shtëpinë e z. Tonin Shpati”, shkruan Muzeu Historik Kombëtar në një material, që ka publikuar për objektet. Në muajin prill të vitit 1991, Nënë Tereza vizitoi kishën Françeskane në Tiranë, ku ndër të tjera ka dhuruar një ujëbekore si edhe pesë gota bronzi me motive floreale. Këto relike të bamirëses së madhe At Zef Pllumi më 14 nëntor 1997 ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar. Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike.

Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës. Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator të 1997 në Kalkuta, Indi.

Leave a comment