Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

A ËSHTË KABINETI “RAMA 3” ZGJIDHJA QË NA DUHET?

qeveria rama 2

Nga Xhovan SHYTI –

Edhe vetëm pak ditë duhet për të mësuar përbërjen e kabinetit të ri qeverisës të etiketuar si “Rama 3”, që është paralajmëruar se do të ketë me shumicë femra ( një eksperiment tjetër ky nga ana e drejtuesit të tij Edi Rama), ndërkohë që pyetja e lindur është: A do të jetë kjo qeveri e duhura për ti dhenë zgjidhje malit me probleme të Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Referuar atyre çka kanë mbjellë dy kabinetet e para, pra “Rama 1”, e viteve qeverisëse 2013-2017 dhe “Rama 2” e viteve 2017-2021, përgjigja është “jo”. Nuk është e duhura dhe as duhet shpresuar tek finalizimi i një rilindjeje, të premtuar elektoralisht tetë vite ma parë,  apo tek ndonjë qeverisje e shqueshme ndryshuese në këtë mandat të tretë të Ramës, i cili edhe në qeverisjen e dytë u hoq zvarrë duke e thelluar hendekun e lumit të premtimeve elektorale të pambajtura.

Një hendek që nisi të hapet qysh në mandatin e parë 2013-2017, duke sjelle goditjen e parë zhgënjyese të një milion shqiptarëve të cilët të dërmuar nga politikat grabitqare të kabineteve të mëparëshme qeverisëse besuan tek “rilindja”, slogani mbi të cilin Edi Rama ngriti gjithë godinën e propagandës elektorale, poshtë të cilës rreshtoi në formën e programit elektoral qindra premtime joshëse, pjesa dërmuese e të cilave edhe sot, pas dy mandateve rezultojnë të pambajtura.

E megjithatë, duke përdorur gjithfarë lloj rrugësh ligjore e joligjore, e duke përfituar nga berishizimi acarues i opozitës, Edi Rama ja doli ta shtjerë në xhep edhe mandatin e tretë, megjithse nuk paraqiti asnjë program qeverisës, përveç vizionit imagjinar të të ardhmes e premtimit për të sjellë ujin 24 orë cep më cep vendit, duke e ruajtur si deri më sot, monopolin shtetëror edhe pse ndërmarrjet bashkiake të ujësjellësave kanë abuzuar rendshëm me të ardhurat miliardëshe që administrojnë. Çka do të thotë se me këtë formë administrimi bashkiak as që bëhet fjalë për të patur ujë 24 orë dhe gjithsa Edi Rama premtoi nuk është veçse slogani i radhës.

Megjithse kanë kaluar tetë vite qeverisjeje nën kabinetet e kryesuara nga i njejti udhëheqës i pashqitshëm, Shqipëria ndodhet në të njejtin pozicion: jashtë Bashkimit Europian ( një tjetër premtim madhor i pambajtur nga qeverisjet Rama), e papërfillur nga që nuk dëgjon të bëjë “detyrat e shtëpisë”, dhe shqiptarët gjenden me po të njejtin status social (madje më keq se në qeverisjet e mëparëshme). Me paga mjerane, me po të njejtat pensione pleqërie e invaliditeti mjerane, me po të njejtat shuma qesharake të ndihmave ekonomike e sociale mjerane, që nuk mjaftojnë as për të shlyer taksat e tatimet bashkiake të Lali Erit e ato të qeverisë qendrore Rama, dhe jo për të jetuar minimumi normalisht.

Ka ndodhur kjo ndërkohë që paratë e takspaguesve janë bërë mullar nëpër investime të tipit PPP e tenderime abuzive, nga ku përfitimet e pamerituara të zyrtarëve të lartë e zyrtarëve të vegjel janë me thasë. “Loja” e kësaj grykësie vijon ende edhe pse institucioni më i ri i drejtësisë SPAK ka realizuar jo pak arrestime.

Konstatohet kjo “grykësi” po të ndjekësh raportimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe medias së shquar për paanësi politike dhe guxim profesional, ku ish ministra, ministra në detyrë, drejtorë, zvendësa e shefa të të gjtha ngjyrave denoncohen nga që vijojnë ritualet e tenderave pa konkurim, pa iu dridhur qerpiku.

Nëse nën qeverisjet Meksi, Nano, Meta, Majko, Berisha korrupsioni ishte një version që sundonte kupolën e pushtetit, ndër tetë vitet e  qeverisjes së Edi Ramës ndodhi që metastazat e tij prekën gjithë strukturën zyrtare të administratës që vijon ta ketë korruptimin refren të punës së sherbestarisë. Tetë vitet e qeverisjes Rama do të mbahen mënd për çimentimin e korrupsionit që pasuron shtetarët me paratë e buxhetit të taksapaguesve të tejvarfër falë politikave amatoreske të qeverisë së kryesuar për tetë vite nga Edi Rama, me profesionin baze piktor i pashquar.

Në emër të “rilindjes” zyrtarët e të gjitha niveleve vijojnë të njejtin ritual si përgjatë këtyre tridhjetë viteve të ikura, duke i krijuar vetes benifice përfituese të paligjëshme, trashje të portofoleve, ndërkohë që taksapaguesve u servir varfërim të mëtejshëm. Duke qenë kështu treguesi më i mirë i faktit se deri këtu vete kapaciteti qeverisës i kabineteve të kryesuara nga Edi Rama.

Çka, rrjedhimisht, do të thotë të mos presim më shumë nga qeverisja e tretë e kabinetit feminist “Rama 3”, ku gjelkokoshi do vijoj të jetë po i njejti piktor që ka komanduar kabinetet e mëparshme mashkullore, pjesëtarët e të cilëve kishin detyrë veç të firmosnin teksturdhërat e “Kryerilindasit” delirant, i cili, si dikur Sali Berisha, është kapur pashqitshëm ndër kangjellat e dritareve të kabinetit kryeministror dhe meazallah se dëgjon të shkulet. / Arberianews.net

  THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbërianeës.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Related Posts

Leave a comment