Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Reforma territorial, ekspertët dhe politika shohin nevojën për rishikim

Reforma territoriale

Përfaqësues të partive kryesore politike dhe ekspertë në Shqipëri, po artikulojnë domosdoshmërinë e rishikimit të reformës territoriale, e cila u miratua në vitin 2014 vetëm nga shumica e majtë qeverisëse, pasi opozita bojkotoi seancën parlamentare. Partia demokratike në opozitë ka mjaft kritika për rezultatet e deritanishme të reformës dhe pritet të kërkojë në parlament një komision të posaçëm për rishikimin e saj. Zyrtarë të qeverisë pranojnë që ka probleme, por shtojnë se reforma territoriale ka sjellë edhe mjaft efekte të dukshme pozitive.

Dy partitë e mëdha në Shqipëri, PS në qeverisje dhe PD në opozitë pritet së shpejti të nisin një diskutim të gjerë mbi ecurinë e reformës administrativo-territoriale, të miratuar afro 7 vjet më parë. Në Shqipëri gjatë 3 dekadave pas rrëzimit të regjimit komunist qeverisja vendore njeh dy kulme të rëndësishme, miratimin e ligjit për pushtetin vendor në vitin 2000, sipas fyrmës së kushtetutës të miratuar në vitin 1998, dhe reformën territoriale të vitit 2014 që erdhi si domosdoshmëri e zhvillimeve social-ekonomike në vend. Reforma administrative- territoriale, solli reduktimin e njësive vendore, nga 373 prej tyre 308 komuna dhe 65 bashki, në vetëm 61 bashki dhe la të paprekur numrin 12 të qarqeve. Pas opozitës edhe zyrtarë të qeverisë kanë pranuar se ajo duhet rishikuar. Sot ka disa këndvështrime mbi kostot financiare dhe mënyrën se si shërbimet janë ofruar tek qytetarët.

“4 vjeçari, 2015-2019 ishte e përqendruar tek rilindja urbane. Banorëve duhet t’u kryhet shërbimi me të njëjtin standard si në qendër ashtu dhe në perfieri të bashkive. A është realizuar 100% kjo. Absolutisht jo. A ka përmirësime? Unë mendoj absolutisht po. Ka një ndryshim rrënjësor, ku bashkitë me të ardhurat e tyre arrijnë të bëjnë investime. Kryesisht këto investime janë të orientuara në zonat rurale. Në shërbimin e infratrukturës rrugore, në shërbimin e pastrimit, ndriçimit, gjelbërimit etj. Pra, ka një përmirësim por, nuk është në nivelin e pritshmërive”, tha për Zërin e Amerikës Adelina Farrici, drejtore ekzekutive e Shoqatës për Autonomi vendore.

Reforma territoriale e vitit 2014 u miratua në Kuvend vetëm nga shumica e majtë pasi PD në opozitë e bojkotoi seancën parlamentare. Të djathtët e kundërshtuan ndarjen e re territoriale me argumentin se nuk i shërbente decentralizimit të pushtetit vendor, afrimit të shërbimeve tek qytetarët dhe se sipas tyre fshihte qëllime elektorale. Deputetja e PD në qarkun e Dibrës Dhurata Çupi, eskperte për qeverisjen vendore, sjell këtë shqetësim.

“Kemi një përqëndrim në të ashtuquajturën rilindja urbane, investime në qendrat e qytetit. Kemi nga ana tjetër zero investime në komuna. Shërbimi publik sot mungon tek qytetarët për shkak të hapësirave të mëdha gjeografike dhe mungesës së investimeve. Mjafton t’ju sjell një shembull nga qarku Dibër që unë përfaqësoj. Një qytetari duhet të udhëtojë 4 orë me makinë për të takuar kryetarin e bashkisë së Dibrës nga komuna Lurë, sepse ka mungesë totale të infrastrukturës rrugore”, u shpreh për Zërin e Amerikës Dhurata Çupi, deputetet e PD për qarkun e Dibrës.

Drejtori i shoqatës së bashkive Agron Haxhimali sjell një tjetër argument kur bëhet fjalë për nivelin e shërbimeve në zonat e thella të vendit.

“Më shumë se 50% e bashkive në Shqipëri kanë sipërfaqe dhe territor kodrinor dhe malor që do të thotë, aksesi në infrastrukturë, aksesi në komunikim për vetë natyrën që ka Shqipëria është shumë i kufizuar. Të gjitha këto krijojnë vakum apo një nivel të ulët të demokracisë lokale në vend”, tha për Zërn e Amerikës Agron Haxhimali, drejtor i Shoqatës së Bashkive.

Ekspertët mendojnë se decentralizimi i pushtetit vendor arrihet duke i kaluar atij sa më shumë kompetenca të shoqëruara me financa. Qeverisja vendore i siguron financat nga transfertat e kushtëzuara, që jepen nga qeveria për disa funksione të deleguara nga pushteti qëndror, nga transfertat e pakushtëzuara, për të cilat ligji parashikon që të jenë jo më pak se 1% e PBB, dhe që transferohen nga qeveria për funksionet e vetë qeverisjes vendore, si dhe nga të ardhurat e vetë pushtetit vendor, huamarrjet apo donacionet.

Specialistë të financave vendore në Ministrinë e financave thonë se vlerësimet për reformën janë shumë-dimensionale, por në aspektin financiar dhe fiskal sipas tyre efektet pozitive janë të dukshme. Buxheti në tërësi për pushtetin vendor është rritur afro dy herë thonë zyrtarët. Para vitit 2015 kur nisi aplikimi i reformës territorial, ai ishte rreth 310 milion dollarë ndërsa në buxhetin e vitit 2022 është parashikuar të jetë rreth 590 milion dollarë. Edhe të ardhurat e vetë pushtetit vendor nga taksat dhe tarifat vendore ishin rreth 110 milion dollarë dhe sot janë rreth 270 milion dollarë, pra janë rritur mbi dy herë, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, dhe përbëjnë rreth 45 % të gjithë buxhetit në tërësi për pushtetin vendor. Pjesa tjetër mbulohet me transferta të pakushtëzuara nga buxheti i shtetit dhe hapësira të tjera fiskale. Por si paraqiten të dhënat në raport me PBB?

“Shpenzimet e buxhetit vendor në raport me e Produktin e Brendshëm Bruto për vitin 2022 do jenë 3.2%. Krahasuar me atë para reformës ishin 2.1% por, duhet të sqaroj faktin që pavarësisht se ka një rritje të konsiderueshme krahasuar me përiudhën para reformës këtu kemi shumë për të bërë, sepse në nivelin e decentralizimit nuk jemi të kënaqur me 3.2% PBB. Pra, ka vend për të thelluar procesin e decentralizimit dhe për të rritur këtë masë të shpenzimeve krahasuar me Produktin e Brenshëm Bruto”, u shpreh pwr Zërin e Amerikës Fran Brahimi Drejtor i financave vendore në Ministrinë e Financave.

E megjithatë ekspertë të opozitës thonë se nuk mund të këtë bazë krahasimi me vitet para reformës, pasi organizimi i pushtetit vendor ndryshoi rrënjësisht me zbatimin e reformës territoriale të vitit 2014, qeveria qëndrore transferoi mjaft funksione në vitin 2016 në pushtetin lokal bashkë me transferat financiare për këtë qëllim. Shpenzimet për buxhetin vendor, sipas opozitës janë në ulje. Në vitin 2019, siç thotë ajo, ishin 3.3% të PBB dhe për vitin 2022 parashikohen 3.2. Edhe transferta e pakushtëzuar e qeverisë ndaj pushtetitvendor , që sipas ligjit duhet të jetë jo më pak se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas ekspertëve të PD në opozitë në vitin 2022 parashikohet në këtë kufi, me një ulje 0.1 % krahasuar me vitin 2021. Me kaq buxhet 61 bashkitë , thotë opozita, nuk mund të përmbushin përgjegjësitë, funksionet dhe shërbimet e shumta administrative dhe publike.

“Besoj që do të biem të gjithë dakort që rishikimi i reformës territoriale duhet të shoqërohet me një paketë decentralizuese, me një paketë që i jep autoritet bashkive, fondet dhe buxhetin por jo duke i mbajtur peng, duke i kaluar buxhetin apo duke i rritur buxhetin, por përkundrazi duke i dhënë autoritet bashkive”, u shpreh Dhurata Çupi, deputete e PD për qarkun e Dibrës.

Aktualisht PD pritet të depozitojë në kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën territoriale. Mjaft ekspertë kanë artikuluar domosdoshmërinë e një ndarje të re territoriale me më shumë bashki, me qëllim për të afruar shërbimet tek qytetarët. Pak kohë më parë në një reagim publik kryeminstri Edi Rama e pranoi nevojën e rishikimit të saj, por shtoi se nuk pajtohet me idenë e opozitës për të rritur numrin e bashkive. Por nëse do të shkohet në kuvend me një paketë të re ligjore për reformën territoriale, votat e opozitës do të jenë vendimtare pasi për miratimin e saj duhet shumicë e cilësuar ose thënë ndryshe 84 vota në parlament, që shumica qeverisëse e vetme nuk i ka dhe në këto kushte konsensusi me PD është i domosdoshëm./Mimoza PICARI- VOA/

Related Posts

Leave a comment