Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

NJË ZOTIM PËR REGJISTRIMIN E PASURISË LEKSIKO-FRAZEOLOGJIKE TË GJUHËS SONË

Capture

Kur prej më shumë se tridhjetë vitesh nuk organizohen më ekspedita leksikologjike për të mbledhur fjalë, kuptime e frazeologji nga gurra popullore dhe nuk përsëritet i ashtuquajturi “Aksion për fjalën e rrallë” me mësuesit e gjuhës e të letërsisë shqipe në gjithë vendin po ashtu për mbledhjen e fjalëve e të shprehjeve drejtpërdrejt nga goja e popullit, që sollën prurje të çmuara për pasurimin e Kartotekës së leksikut të shqipes, si edhe kur nuk vilet më rregullisht e plotësisht ligjërimi i sotëm në të gjitha fushat e gjuhës së shkruar (letërsi, publicistikë, vepra shkencore, përkthime etj.), në Universtetin Publik “Fan S. Noli”, Korçë, në mbyllje të Konferencës shkencore ndërkombëtare kushtuar politikave gjuhësore për pakicat në Ballkan më datën 12. 11. 2021, u miratua njëzëri një “Memorandum bashkëpunimi” nga studiues e profesorë të gjuhës shqipe, të mbledhur në këtë konferencë shkencore. Qëllimi kryesor  i këtij memorandumi është krijimi i një platforme të përbashkët për pasurimin e Kartotekës së leksikut të shqipes.
Memorandumi u nënshkrua nga drejtues të departamenteve dhe pedagogë të gjuhës shqipe nga universitetet shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo nismë vjen edhe për të mbështetur projektin me rëndësi kombëtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. Në memorandum theksohet se plotësimi i kartotekës elektronike me leksikun dhe frazeologjinë në veprat letrare, shkencore dhe publicistike të viteve të fundit është një domosdoshmëri, sidomos kur prej shumë vitesh nuk realizohen ekspedita leksikologjike për të mbledhur fjalë, kuptime e shprehje të gjuhës shqipe.   Një nismë e tillë  pritet ta nxisë vjeljen e materialit leksikor e frazeologjik.

Universiteti i Korçës/ Administrata vjedh paratë, naftën e librat, abuzim me dietat - Shqiptarja.com


Deklarata e marrëveshjes:

Ne, drejtues të departamenteve dhe pedagogë të gjuhës shqipe nga universitetet shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut:

  • të mbledhur me rastin e konferencës shkencore ndërkombëtare kushtuar politikave gjuhësore për pakicat në Ballkan;
  • për të mbështetur projektin me rëndësi kombëtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe;
  • duke e quajtur të domosdoshme plotësimin e kartotekës elektronike me leksikun dhe frazeologjinë në veprat letrare, shkencore dhe publicistike të viteve të fundit;
  • pas diskutimeve të pjesëmarrësve të konferencës lidhur me këtë memorandum bashkëpunimi;

propozojmë që:

  1. Punimet e diplomave të studentëve të filologjisë në universitetet tona t’i orientojmë për vjeljen dhe përpunimin leksikografik e frazeografik të leksikut dhe të frazeologjisë në veprat letrare, shkencore dhe publicistike të viteve të fundit;
  2. Të hartojmë një udhëzues të veçantë për vjeljen e materialit leksikor e frazeologjik në ndihmë të studentëve diplomantë të filologjisë që do të orientohen në këto fusha;
  3. Pas mbrojtjes së diplomave, materialet në formë elektronike do të dërgohen në Kartotekën Elektronike “ad hoc” për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, sipas të gjitha rregullave për pronësinë intelektuale;
  4. Ky Memoradum bashkëpunimi do të bëhet i njohur për t’u përkrahur dhe zbatuar nga gjithë departamentet dhe katedrat e gjuhësisë në universitetet tona.

Korçë, 12.11.2021

Ky “Memorandum” është njëherazi ftesë bashkëpunimi për të gjithë mësuesit, shkrimtarët, përkthyesit, publicistët, lëvruesit e dashamirët e gjuhës sonë amtare, që mund të japin ndihmesën e tyre në pasurimin e Kartotekës elektronike të mbarë shqipes, si edhe për Kartotekën ad hoc të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, që po hartohet me bashkëpunimin e forcave shkencore nga Shqipëria, Kosova,  Republika e Maqedonisë së Veriut e arbëreshë të Italisë.

Çdokush është i mirëpritur të marrë pjesë në këtë nismë mbarëkombëtare për të nxjerrë në dritë këtë thesar të vyer të gjuhës sonë!

 

Leave a comment