Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ballkani i Hapur nuk do të ketë sukses pa përfshirjen e të gjitha vendeve të rajonit

Konferenca-nga-Vjosa-Osmani-dhe-Stevo-Pendarovski-2-of-10

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha të mërkurën se nisma Ballkani i Hapur nuk mund të ketë sukses përderisa në të nuk janë të përfshira të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku zhvilloi takime me udhëheqës të institucioneve të Kosovës.

Maqedonia e Veriut është pjesë e nismës Ballkani i Hapur, në të cilën bëjnë pjesë edhe Serbia e Shqipëria ndërsa kundërshtohet nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

“Kësaj nisme i mungon diçka sepse në vend se të marrin pjesë gjashtë shtetet nga Ballkani Perëndimor, marrin pjesë vetëm gjysma dhe qëndrimi im është se deri sa kjo nismë nuk i përfshinë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kjo nuk do të ketë sukses. Dhe qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësimin tregtar e ekonomik, por jo edhe politik, mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është nismë që ka institucione, ka burime, që Ballkani i Hapur nuk i ka”, tha zoti Pendarovski.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përsëriti qëndrimin kundër pjesëmarrjes në këtë nismë duke theksuar se Kosova ka rezerva të mëdha sa i përket aspekteve politike të kësaj nisme, por edhe sa i përket ekonomisë e sigurisë sepse sipas saj, synimi është të përdoret njëfarë paradhome që të zvarritet procesi e integrimit evropian.

Osmani-Pendarovski
Në foto: Vjosa Osmani- Stevo Pendarovski.

Presidentja Osmani ngriti shqetësimin për rritjen e ndikimit rus në rajon përmes Serbisë.

“Si Republikë e Kosovës jemi të përkushtuar që jo vetëm të refuzojmë ndikimet e tilla dashakeqe, por të punojmë me të gjithë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që parandalohen ndikimet e tilla destabilizuese. Rajonit tonë i duhen hapa konkretë në ecjen drejt integrimit evropian por në të njëjtën kohë i duhet paqe dhe stabilitet afatgjatë i cili në asnjë mënyrë nuk mund të arrihet në qoftë se depërton ndikimi dashakeq i Rusisë nëpërmjet trampolinës së vet Serbisë”, tha ajo.

Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se vendi i tij mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e mospajtimeve ndërmjet tyre.

“E dimë që ky është një proces shumë i vështirë dhe i ndërlikuar por besoj që të gjithë njerëzit me vullnetin e mirë në rajon dhe më gjerë, do ta mbështesin zgjidhjen e problemit dhe në fund do të nënkuptojë paqe për rajonin. Më lejoni me këtë rast të përsërisë qëndrimin tim se Republika e Maqedonisë së Veriut mbështet zgjidhje të përbashkët të ndërsjellë që do të kontribuojë për qëndrueshmërinë rajonale dhe që nuk do ta rrezikojë sigurinë e shteteve fqinje”, tha ai duke nënvizuar se mbështet përpjekjet e aleatëve evropian dhe amerikanë për gjetjen e zgjidhjes së çështjeve të hapura.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur për shkak të mospajtimeve lidhur me përparësitë e trajtimit të temave. Bashkimi Evropian që lehtëson këtë proces ka thënë se nuk do të thërras një takim të radhës të udhëheqësve të të dy vendeve pa arritur së pari një përafrim qëndrimesh që siguron rezultat të bisedimeve./Zeri i Amerikes/

Related Posts

Leave a comment