Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Reportazh –  Q Y T E T I   M E S   D Y   L U M E N J Ë V E

foto cerriku 2

Reportazh –  Q Y T E T I   M E S   D Y   L U M E N J Ë V E

Sapo Dielli cel rrezet e tij mbi kreshtat e majave të malit të Bukanikut, drita e argjendë e tij derdhet plot bujari mbi këtë qytet. Jo pak prej banorëve të këtushëm u gëzohen shëllimit dimëror, apo dhe kërkojnë hije në verë nën drurët e lulishtes mes dy lagjeve. Ndërsa lumi i Devollit  cek brigjet jugore të tij, lumi i Shkumbinit, sikur e “përshëndet” në anën veriore. I vendosur në mes të fushës, rrethuar me kodra të buta, 15 mijë banorët e tij i gëzohen fushave pjellore e një pjesë, dërgesave të emigrantëve, për të zbutur jetesën. Ky është Cërriku, i ngritur afro 70 vjet më parë ne fushën plot ferra të Pazhokut. U projektua nga specialsitët rusë, kohë, kur miqësia me ish-Bashkimin Sovjetik, përjetonte vitet e “mjaltit”! Inxhinierët rusë projektuan uzinën e naftës, ku krahas saj, ngritën pallatet e para dykatëshe me dysheme e cati druri. Këto ndërtesa shëmbëllejnë edhe sot, kur miqësia e dikurshme ka mbetur thjeshtë një imazh. Uzina e përpunimit të naftës do të sillte të ardhurit e parë nga Skrapari, Gramshi e zonat për rreth. Uzina në kapacitetin e plotë të punës së saj, kishte afro 700 punëtorë, inxhinierë e specialistë. Një tubacion nga Kucova, (ish-qyteti “Stalin”), sillte naftë viskoze. Pas përpunimit në këtë uzinë, dy tubacione përcillnin po në Kucovë benzinë e benzol për avionë të kohës. Mbetjet hidrokarbure prej bitumi tepër cilësor, derdheshin në fuci llamarine, ndërsa tepricat në një rezervuar të madh, poshtë Uzinës. Më këtë bitum janë shtruar rrugët e ish-Jugosllavisë e të disa shteteve europiane. Në periferi të qytetit do të ngrihej SMT-ja, më e madhja dhe më e modernizuara për kohën, ku do të punësoheshin mbi 200 punëtorë e mekanikë. Jeta nisi vrullshëm në këtë qytet të vogël. Qytetit do t’i shtohej edhe lagjia Nr 3, me ngritjen e fermës, që thithte gjithë pjesën tjetër të fuqisë punëtore. U ngrit edhe Instituti i Duhanit, më i madhi në vend, pasi fushat rreth tij e zonat, si Dumreja, Shtërmeni e Sulova, kultivonin kulturën e duhanit. U hapën tri shkolla tetëvjecare, një gjimnaz dhe një shkollë bujqësore, e dyta për nga rëndësia, pas asaj të Golemit. Në vitet e ish-Metalurgjikut, afro dy mijë punëtore do të punësoheshin në Kombinat. Kësisojë, nga familjet cërrikase, nuk kishte asnjë të papunë.

Po sot?

Cërriku vegjeton i kapërthyer nga ky tranzicion, që nuk dihet se kur mbaron ciklin e vet. Uzina e naftës, e shndërruar në gërmadhë, ka mbetur si imazh i gjallë tek ish-naftëtarët. Gjithcka u cmontua për skrap. Edhe një pjesë e ndërtesave është rrënuar sikut t’i kishte rënë bomba automike! Vjedhësit e pazbuluar përvetësuan bitumin e rezervuarit e gjithcka tjetër mbi e nëntokë të sipërfaqes së uzinës. Ferma u zhbë e toka e saj iu nda atyre, që punonin aty. SMT-ja u shpërbë. Në ca kthina të vogla punojnë ende dhjetra mekanikë të mjeteve bujqësore. Shkolla bujqësore u tkurr. Instituti i duhanit u shndërrua në një zyrë me dy a tre punonjës. Duhan nuk mbillet më, sepse nuk ka treg shitjeje. Fushat, që prodhonin gjithcka, kanë rënë në duar të atyre, që nuk e punojnë tokën. Disa, që nuk kanë tokë, porqë ia dinë kimetin, kanë marrë sipërfaqe me qera e jetojnë me tokën. Intelektualët kanë marrë rrugët e kurbetit, apo edhe të Tiranës, të Durrësit, apo gjetkë. Këtu kanë mbetur ish-naftëtarët përtej të shtatëdhjetave, të tjerë, që kanë ndonjë dyqan të vogël apo kioskë cigaresh, e ca të tjerë, që i “buzëqeshin” ndihmës ekonomike. Stoik ka mbetur vetëm Radiostacioni. Dikur emetonte emisione radio “Tirana” në shqip e në shumë gjuhë të botës. Sot administrohet nga specialist e inxhinierë kinezë. Radiostacioni mbetet zëri i Kinës në Europë e më gjërë.  E, megjithatë, ky qytet vazhdon të votojë më shumë majtas, se djathtas. Ai ka votuar Rezhep Mejdanin, që u bë President, Namik Doklen dy herë, që u bë nënkryetar Parlamenti, e plot të tjerë, që zor se u “kujtohet” emri! Për hir të së vërtetës duhet thënë, se punë ka, por dhe nuk punojnë. Fushat  dhe klima,  që favorizon prodhimin e gjithckaje, vec kafesë, kanë mbetur pa Zot. Bashkisë i janë shtuar edhe katër ish-komuna e popullsia varion mbi 50 mijë banorë. Drejtuesi i ri i Bashkisë, realisht ka vizion të ri për zhvillim. Ai përpiqet për një infrastrukturë moderne, për shtimin e investitorëve vendas e thithjen e investitorëve të huaj. Lulishtja në qendër është rivilatizuar. Edhe rrugët e lagjeve me asfalt. Pamja urbane flet me kërkesat e kohës. Por, një dreq e di, kush ishte arkitekti i një ore të madhe në qendër të qytetit, që nuk ka punuar kurrë. Është një pllakë e madhe betoni e hekuri, që, jo vetën ndan si muri i dikurshëm i Berlinit, dy lagjet, por i zë edhe diellin sheshit para godinës së kinoklubit të rikonstruktuar. Jo pak, por qindra ton beton e hekur, për të mbajtur një orë elektronike, që nuk peshon më tepër se një kilogram!!!

Tek ky qytet, sidoqë i varfër, nuk  është fashitur shpresa për një jetë më të mirë. Ndërsa dy lumenjtë, Devolli e Shkumbini i kalojnë anash duke i kthyer “shpinën”, dembelët e qytetit, i kthejnë shpinën Diellit…Ky është Cërriku i ditëve të sotme…E nesërmja, mbase flet ndryshe…

Leave a comment