Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Reportazh – Një natë, mes dy ditëve në Kosovë…

kosove7

Reportazh

 

Një natë, mes dy ditëve në Kosovë…

 

Kishim muaj, që përgatiteshim për një aktivitet në Kosovë. Bashkë me Xhimin, morëm kontakte, si në komunën e Prishtinës, ndonjë poërfaqësues të qeverisë së Kosovës, biznesmen, etj. Na uruan, që një, ndër aktivitetet e Unionit të Gazetarëve Shqiptar, do të mbahej në Prishtinë, Mitrovicë e Prekaz. Aktiviteti përfshinte dy netë e tri ditë mes kolegëve e personaliteteve arsimore, kulturore, politike e më gjërë. Përcaktuam perfaqësues nga të gjitha degët e UGSH në 12 qarqet e Shqipërisë. Po ashtu, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Presheva. 10 vite më parë dega e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Elbasan, do të iniconte një aktivitet me përmasa të gjëra e që u pagëzua “Dita e Miqësisë”. Qëllimi,  njohje e miqësi mes kolegësh, shkëmbim përvoje e tryeza bashkëbisedimesh me tematikë nga puna dhe jeta e gazetarëve mbarëshqiptar në Rajon. Aktiviteti, mori udhë nëpër shumë qytete të Shqipërisë, në Shkup, në Ulqin, në Preshevë e gjetkë. Përvjetori i dhjetë na gjen në Prishtinë, në kryeqytetin e dytë të kombit tonë. Aktiviteti mbushi këtë vit dekadën kremtuese, me iniciativë të degës, Elbasan, mbështetje të shoqatës “RessEgnatia“ e bashkëorganizimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptar, me drejtues, Aleksandër Cipa.

 

“Hotel Bjeruti” në Grand-Hotel

Sipari i aktivitetit të ditës së parë me një minidokumentar prej 11 minutash. Aty shpeloseshin shkurt, pasazhe filmike nga nëntë edicionet e organizimit të Ditës së Miqësisë. Mjaft mbresëlënës promovimi i një një libri të vecantë nga një autor i vecantë. Personaliteti i nderuar i gazetarisë e publicistikës shqiptare në Kosovë, Nehat Islami vjen me botimin “Hotel Bejruti”. Islami, mbase mbetet i vetmi gazetar lufte, që për shumë vite ka ushtruar profesionin në Bejrut. Për librin e tij ka folur vetë autori e për të kanë folur jo pak gazetarë të pranishëm. Aktiviteti ia ka lënë vendin ndarjes së cmimeve vlerësuese për mjaft emra të gazetarisë shqiptare në Shqipëri e Kosovë. Më pas i lihet vend tryezës së  bashkëbisedimit me temë “Skenat mediatike në kërkim të një tregu mediatik”. Sakaq, një darkë modeste në periferi të Prishtinës.

Në Mitrovicën “jetime”

Udhëtimi drejt Veriut të Kosovës, në Mitrovicë, pothuajse për shumicën e gazetarëve ishte një surprizë. Pak prej tyre kishin vizituar këtë qytet më herët. I bukur. I pastër. I qetë. Pak i ftohtë. Njerëz të ngrohtë e bujarë. Cmime shumë herë më të lira, se në Prishtinë. E këndëshme vizita në radiotelevizionin e Mitrovicës. Ai është ngritur afro 23 vjet më parë nga gazetari i njohur, Nexhmedin Spahiu. Ai na bën një rezyme, jo vetëm për televizionin. Për stafin, apo për mbijetesën në ekonominë e tregut në këtë qytet të varfër. Spahiu flet për historinë e vjetër dhe të re të këtij qyteti. Historia e tij lidhet me mjaft ngjarje në Kosovë e Shqipëri. Flet për problemet social-ekonomike të këtij qyteti, por dhe për ato që ende nuk kanë marrë zgjidhje, për shkak të politikës serbe. Lumi Ibër duket i qetë, por brenda qetësisë së tij, sikur fsheh “stuhi” nacionale. Mbi urën, që ndan qytetin shqiptar më dyshë, një makinë policie e parkuar pjerrtas. Dy policë, që nuk “ngatërrohen” me kalimtarë të rastit. Këndej urës banorë shqiptar. Andej, serbët në shumicë. Problemet mes dy pjesëve me lumin e “ngrirë” në mes, të pazgjidhura. Këtu thonë se pak vëmendje po i kushtohet nga qeveritë e dy vendeve të të njëjtit komb. Sipas shumë banorëve, shpresën e mbajnë më shumë në qiell, sesa në tokë! Mitrovica duket si “jetime” me “prindër” gjallë! Në kthtim, një ndalesë në Prekaz. Për disa minuta në memorialin muzel të legjendarit, Adem Jashari. Përballë stendave dhe shtëpisë së Luftës, impresione krenarie dhe dhimbjeje. Duket sikur epopeja e luftës së UCK-së kulmohet me këtë ngjarje…

 

Shqipëria strehoi mbi 500 mijë kosovarë, kosova nuk mbajti dot 50 gazetarë!

E pabesueshme! Cfar u premtua, mbeti në letër. Sikur nuk ishte thënë asgjë. Aktiviteti i planifikuar për tri ditë e dy netë, përfundoi me një natë mes dy ditëve dhe me shumë sakrifica. UGSH, shoqatë jo-fitimprurëse është e mbetet kështu. Aktiviteti “Dita e Miqësisë” është organizuar me mbështetjen dashamirëse të qeveritarëve vendor, apo zëmërgjërësisë së ndonjë biznesi. Në Kosovë, ky aktivitet mbeti zbuluar. U deshën kontributet e disa individëve. Megjithatë, ia dolëm. Aktiviteti përfundoi me sukses. Si autor i këtyre radhëve, mu desh të shkruaja dhe një frazë si postulat, “Shqipëria strehoi mbi 500 mijë kosovarë, Kosova nuk mbajti dot 50 gazetarë”! E, kjo nuk lidhet me kolegët tanë të butë e të mirë këtu, apo dhe me miq mes shqiptarësh të Kosovës…

 

Leave a comment